Vjen me tri premiera

Sapo janë përmbyllur xhirimet e filmit të shkurtër artistik “Kafja” (në Kumanovë të Maqedonisë) në skenar të Naser Shatrollit dhe në regjinë e Diellza Miftarit, ndërkohë “Leonardo”, një skenar tjetër fitues në kuadër të festivalit vendor ‘9/11’, do të nisë xhirimet këto ditë, regjinë do ta bëjë Arian Mustafa, ndërsa premiera e filmit do të ndodhë brenda festivalit të lartpërmendur, ndërsa, projekti teatror me titullin “Frigoriferi”, tragjikomedi e dramaturgut në fjalë, është duke u punuar në teatrin “Adriana Abdullahu” në Ferizaj, në regjisurën e Fatmir Hysenit, me të cilën pritet të hapen perdet teatrore nga mesi i shtatorit.
“Kafja” një triler psikodramatik, me një histori kafeje në përmbajtje. “Një kolonë personazhesh elitare do t’i rrëmbej nevoja për të shkuarën e tyre qoftë e lavdishme, qoftë e trilluar. Ata do të provojnë që ta kthejnë të vjetrën e tyre në një kohë moderne, porse, rrudhat e fytyrës së tyre do të ngelen dëshmi reale karshi të bëmave dhe rrjedhave kohore”, u shpreh Shatrolli. Filmi është i mbështetur nga buxheti i shtetit maqedon për faktin se skenari ka qenë njëri nga fituesit e vetëm nga Kosova në një kompeticion përtej vendor.
Producent i këtij projekti artistik është aktori vendor Avni Dalipi. Ndërkohë, projekti tjetër që do të fillojë xhirimet këto ditë gushti është “Leonardo”, fitues i konkursit në festivalin vendor ‘9/11’, në regjinë e Arian Mustafës. “Janë një mori njerëzish që e rrethojnë këtë projekt artistik duke u nisur nga Blerim Gjoci, Trim Musliu, Lulzim Guhelli, Avni Dalipi dhe emra të tjerë të profileve të ndryshme”, theksoi ai. Në anën tjetër, në teatrin e Ferizajit “Adriana Abdullahu” është duke u punuar projekti teatror me titullin “Frigoriferi”, tragjikomedi e dramaturgut në fjalë.
Regjisurën e kësaj tragjikomedie do ta bëjë Fatmir Hyseni, i njohur për punën e tij prej krijuesi, ndërsa në rolet bartëse do të jenë Negjat Gjokli dhe Dardana Mehmeti, dy aktorë me peshë teatrore, ndërsa për skenografinë do të kujdeset skenografi dhe animatori vendor Mentor Berisha, përderisa për muzikën do të përkujdeset Drinor Berisha. Rrjedha e dramës në fjalë janë ‘dy heronjtë e dramës, që janë Atdheu dhe Liria, të cilët do të ndodhen në një frigorifer në kohë lufte e që do të tentojnë që ta sfidojnë vdekjen e tyre nga të ftohtit dhe nga ai realitet fatkeq’.