E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen në një javë filmi në Marubi

SHKRUAN: Ilda Lumani 08-09-2011 11:53

Ajo që njohim më së shumti nga Brazili janë salsat, vallëzimet ekzotike dhe karnavalet e famshme… Për herë të parë, në Shqipëri ka ardhur një dritare e re, një realitet dhe një fiction, që vetëm kinemaja mund ta përshkruajë. Pas çeljes për herë të parë të ambasadës së Brazilit në Tiranë ka nisur tashmë edhe veprimtaria konkrete e saj. Hapi i parë, një inicitativë me vlerë siç është Festivali i Filmit Brazilian, organizuar nga kjo ambasadë, në bashkëpunim me Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi. Ka nisur pikërisht këtë fillim jave, në një ceremoni sa miqësore aq edhe diplomatike. Në pasditen e së hënës, kur edhe është shfaqur i pari film që ka çelur Festivalin e Filmit , ka marrë pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, pjesëtarë të Trupit Diplomatik në Tiranë, miq të kinemasë dhe artëdashës. Drejtori i Akademisë “Marubi”, regjisori i mirënjohur Kujtim Çashku, në përshëndetjen e tij, përveç ambasadorit Ruda Gonzales Seferi, ka vlerësuar prezencën e zotit Basha në këtë Festival. “Jam i kënaqur që ambasadori i Brazilit Seferi dhe të tjerë ambasadorë miq kanë ardhur këtu. Jam i lumtur që sillni në Shqipëri për herë të parë kinemanë braziliane dhe gjithashtu, jam i lumtur që duhet të ndajmë këtë çelje të kësaj jave, me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, zotin Lulëzim Basha. Gjithashtu dhe jam i lumtur që çelim këtë sezon të ri, këtu në Marubi, me aktivitete të tilla. Jam i lumtur që zoti Basha na ka përkrahur edhe kur ne kemi pasur probleme me ambientet tona dhe shpresoj, që ai është një antenë dhe do ta mbajë këtë antenë në interes të kulturës kombëtare, do të jetë një antenë për kulturën europiane”, u shpreh Çashku. Ndërsa ambasadori Ruda Gonzales Seferi, tregoi se “ky është evenimenti i parë artisik kulturor që ndodh në SHqipëri. Për këtë, do të falenderoja ata që bënë të mundur realizimin e kësaj jave filmi, zotin Kujtim Çashku, kuratorin dhe regjisorin Diego Hoefel, i cili organizon këtë festival filmi. Kjo javë filmash, është një mënyrë për tu treguar Brazilin shqiptarëve. Është një Brazil ndryshe, është një Brazil në tërësi, dhe promovohet për herë të parë në vendin tuaj. Shpresoj, që edhe publiku shqiptar të njihet me kulturën braziliane dhe të vijojnë të tjerë aktivitete kulturore”. Në fakt, pjesëmarrja e njërëzve në natën e parë të javës së filmave, tregoi interesin që kishin shfaqur të gjithë të pranishmit në këtë aktivitet. Regjsori i ri dhe kuratori i kësaj jave, që do të vijojnë me filma të shkurtër dhe të gjatë, Diego Hoefel u shpreh se: “në këto ditë të qëndrimit tim në Tiranë kam mësuar se shqiptarët i njohin telenovelat braziliane. Por ato nuk janë të rëndësishme sot. Këto filma, që do të shfaqen gjatë festivalit bëjnë pjesë, në atë që, në Brazil quhet lëvizja e kinemasë së re. Kinemaja e re është një lëvizje, që ka lindur si një vazhdimësi e një refleksioni, lidhur me kinemanë e re që tashmë është një lëvizje e re në gjithë botën, me qendër në Japoni, Itali, Francë. Filmat lidhen me mënyrën sesi gjuha e filmit do të ndikojë për të prezantuar realitetin që na rrethon. Është nëj kërkim mbi poezinë e realitetit, e cila gjendet në mënyrën se si është kryer filmi. Kjo, është edhe një shfaqje që shërben si eksperiment për filmat e rinj në Brazil. Filmi i parë që hapi javën ishte një film që është shfaqur edhe në festivalin e fundit në Venecia, dhe është një nga filmat më të rëndësishëm në Brazil, si pjesë e kësaj lëvizjeje. Nuk është film aksion, por është një film, që kërkon durim për ta kuptuar dhe është i thellë, është një film, që njëherazi flet për realitetin tonë”, - u shpreh Hoefel. Gjatë kësaj jave, do të shfaqen katër filma me metrazh të gjatë dhe katër me metrazh të shkurtër.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›