E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do të rritet mosha, jo kontributet

Reforma e pensioneve duket se do jetë një nga më të rëndësishmet që qeveria pritet të ndërmarrë gjatë këtij viti. Sinjalin në këtë drejtim e ka lëshuar kryeministri i vendit, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, ku është shprehur se reformimi i sistemit të pensioneve është bërë domosdoshmëri. Për herë të parë, Kryeministri ka pohuar se skema aktuale e pensioneve është bërë një gangrenë për buxhetin, duke i marrë më shumë se 15 miliardë lekë çdo vit nga arka e shtetit, të cilat nuk mbulohen nga sigurimet. “Në rast se ne u detyruam të punojmë, të operojmë në kushtet më të vështira për pensionet, sot ne fusim nga buxheti i shtetit 1% të GDP-së, nëse deficiti buxhetor është 3%, 1/3 e tij ose 33% vijnë vetëm nga derdhja që bëjmë ne në fondin e pensioneve, nga buxheti i shtetit, nga taksat e taksapaguesve, por ne duhet të bëjmë që gjenerata tjetër të mos derdhë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, por kjo të mbulohet nga kontributet, ne do ta bëjmë këtë”, - tha Kryeministri para deputetëve demokratë. Ai tha se, krahas krizës së borxheve, disa vende do të kërcënohen nga kriza e fondeve të pensioneve. Duket se hapi i parë në këtë drejtim do të nisë me rritjen e moshës së pensionit. “Do të vendosim një sistem të atillë, dhe nuk do të rrisim kontributet e punëtorëve, por do të bazohemi në një rishqyrtim tërësor të kontributeve dhe do të bëhet e mundur që gjenerata që vjen pas 15 vitesh a 20 vitesh të mos ketë më detyrimin për të derdhur nga buxheti i shtetit, fonde të mëdha”, - tha Kryeministri. Kryeministri e ka sinjalizuar rritjen e moshës së pensionit, në krye të reformës, pasi jetëgjatësia mesatare, sipas tij, po zgjatet në mënyrë të ndjeshme nga 70 në 78 vjeç.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›