E Shtunë, 31 Tetor 2026

MERMERI QË PIKON...

Zija ÇELA

Ky tregim u botua për herë të parë në gazetën “Drita”, më 29 mars 1981, kur sapo kishin nisur demostratat e masive në Prishtinë. Kjo qe një rastësi, nuk u bë me qëllim. S’po ndalëm në historinë si u botua (sapo kisha vajtur vetë në gazetë), as në qëndrimin e rreptë zyrtar. Njeriu gjithmonë mund të jetë shpejt, ashtu si gjithmonë mund të jetë vonë. Mirëpo koha për shkrimtarët është tjetër, sepse tjetër është edhe koha në art. Kështu, po rrëfej vetëm dy fjalë për rrethanat para shkrimit. Gjatë fundit të tetorit 1979, me një dërgatë që kishte në krye Dritëro Agollin, u ndodha në Prishtinë. Mikpritësit na shëtitën shumë, qytet më qytet, na çuan edhe në Gadimë. Një mbrëmje, pasi pamë një shfaqje në Teatrin Krahinor të Prishtinës, më “rrëmbyën” ca të rinj e të reja gjimnazistë, që gjithashtu kishin qenë në sallë. Dritëroi më lejoi që të largohesha, pra të ndahesha nga grupi, se atëherë edhe kjo ishte e ndaluar. Prej asaj nate kam disa foto të paharrueshme, që më pas m’u dërguan nga Prishtina. Mbas shumë vitesh po ua rikthej të rinjve të dikurshëm, bashkë me këtë tekst. Por ndoshta prapë jam vonë, apo prapë shpejt? (Autori)

Ishim në katin e pestë të “Grand-Hotelit” në Prishtinë dhe Branko Brankoviçi tregonte një anekdotë. ǒështë e vërteta, ai tregonte me nuanca. Por ne e kishim të vështirë t’ia merrnim vesh gjuhën dhe, më tepër se anekdotat, na e ndillte gazin e qeshura e tij. Branko Brankoviçi qeshte me zë të lartë dhe në një mënyrë, gati-gati, alarmuese. Më dukej sikur ai kishte ardhur në dhomën tonë kastile për të na lehtësuar lodhjen e udhëtimit. Pak nga pak, duke u larguar nga atmosfera e anekdotave, atij sikur iu shua diçka përbrenda dhe i ra në fytyrë një hije e lehtë mërzie. Ndoshta ishte hija e qortimit, që nuk vonoi të na e bënte:
“Ah, millij, millij, po ç’është kështu! Shkoni në Gjakovë, Pejë e Prizren dhe nuk lini asnjë adresë në portinerinë e hotelit. Kam pyetur dje, kam pyetur sot, pyeti edhe Darinka me telefon, kurse në portineri asnjë fjalë për ne. Keq, shumë keq, Hatxhi!”, m’u drejtua mua, duke i shtuar emrit tim një “t”. Befas, më erdhi për të qeshur duke menduar se kushedi sa qesharak do të tingëllonte emri im, sikur Brankoja t’i shtonte edhe atë prapashtesën karakteristike sllave: Haxhiviç apo Haxhioviç. Por ai e kishte ende në fytyrë hijen e mërzisë, prandaj u përmbajta. “E kur do të filmoni prapë?” “Nesër”, thashë. “ Mirë, shumë mirë, gjer nesër kemi darkën përpara. Do të zbresim në restorant?”, ndryshoi ai.
Nuk kishte shumë që ishim kthyer nga Gjakova, ku kishim filmuar Çarshinë e Madhe dhe me shoqëruesin tonë, një redaktor të emisioneve kulturore të RTV të Prishtinës, e kishim lënë që darkën ta hanim nga ora nëntë. Prandaj, kur trokiti dera, menduam mos i kishte dalë ndonjë e papritur dhe po ngjitej lart të na njoftonte; por nuk ishte Halimi. Kishte ardhur për vizitë Branko Brankoviçi. Tani ora po i afrohej nëntës dhe ne mund të zbrisnim, sapo Iliri të ndërronte rrobat. “Si nusja, - i thashë Brankos për Ilirin, - gati jam, po s’jam gati.” Ai më rrahu supet dhe u ngrit i pari, si për të na nxitur.
Me Brankon ishim njohur gjatë një darke në “Bozhur”. Në darkë e kishin ftuar si njeri të njohur në fushën e etnografisë e të folklorit. Ai kishte ardhur me të shoqen, Darën, një grua si nja tridhjetë e dy-tre vjeçe, shtatlartë dhe elegante. Darën na e paraqiti me këto fjalë: “Moja zhena, moja zhizn i moja umrje!” (“Gruaja ime, jeta ime dhe vdekja ime.”) Gruaja i tundi gishtin tregues me kërcënim dhe piu dy gllënjka verë nga gota e të shoqit. Më pas, ajo e përsëriti dhe unë e kuptova se, në të vërtetë, Dara e bënte këtë gjest sa herë i pëlqente veçmas diçka dhe donte ta shpërblente tjetrin me njëfarë përkëdheljeje. “Ah, drugarica, drugarica! - psherëtiu Brankoja duke u kthyer nga e shoqja. - Ah, drugari, drugari! - psherëtiu duke u kthyer nga ne. Pastaj, duke patur frikë se nuk do ta kuptoja me atë serbokroatishten time të çalë, e ftoi shoqëruesin të ndërmjetësonte: “Ndoshta nuk jeni në një mendje me mua, po mbi të gjitha veprat e Shekspirit unë vë Romeo e Zhuljetën. Nëse Hamleti, në vend të Ofelisë do të kishte njohur Zhuljetën, ju siguroj se nuk do ta dashuronte, pikërisht sepse tek ajo do të gjente atë që i mungonte atij: forcën e karakterit. Ja përse sot nuk është aq në modë Hamleti. Kurse Romeo e Zhuljeta është një mesazh tronditës për të gjitha kohërat. Unë them se Shekspiri këtë vepër e ka shkruar për të gjithë ata njerëz që s’do të bashkohen kurrë dhe për dëshirat që kurrë nuk bëhen realitet. Dhe njerëz që humbin e dëshira që digjen gjithmonë do të ketë.” Ai u ndal, i hodhi një sy së shoqes, si për ta adresuar bisedën dhe pastaj, duke dashur ta zbuste disi efektin, m’u kthye miqësisht: “Do ta shihni, druzhe Hatxhi, dhe do të bindeni vetë!”
Vështrova njëherë nga Halimi mos më jepte ndonjë sqarim të mëtejshëm, pasi nuk e kuptova se cilin Romeo e Zhuljeta do të kisha rast të shihja. Gjer atëherë, me sa dija, Teatri Krahinor i Prishtinës nuk e kishte vënë në skenë atë dramë të Shekspirit. Po Halimi po kujdesej t’i mbushte gotën Ilirit, kështu që vështrimi im ndeshi në atë të Darës. Ajo buzëqeshi në një mënyrë të tillë, sikur të donte të shfajësonte edhe të shoqin, edhe veten. Kishte diçka të sinqertë dhe prekëse në atë buzëqeshje. Ndoshta këtë e theksonte kaltërimi i zbardhëlluar i syve që, sapo i picëronte në qoshet, dukej sikur ia stërpiknin fytyrën me dritë. “Bravo, bravo! - iu drejtua Brankos. - Më bie t’ju mbaj mëri, por e pranoj se keni folur shumë bukur!” Dhe piu përsëri një gllënjkë nga gota e të shoqit. Mua nuk e di përse m’u kujtua Ivan Petroviçi i Çehovit dhe ai qëndrimi i tij prej babaxhani me shprehjen: “Vdis, Denis, më mirë nuk ke për të shkruar.” Dara bëri një brom me ne. Edhe Brankoja cakërroi gotën dhe, dalëngadalë, tërhoqi vëmendjen e tavolinës me anekdotat për Hasen e Husen. Bashkëshortët u treguan gjer në fund të sjellshëm dhe, gjer në fund, në marrëdhëniet e tyre sikur shprehej një gjendje e veçantë.

Brankoja më rrahu supet dhe u ngrit i pari, si për të na nxitur. Në holl kishte njerëz. Poltronat e veshura me lëkurë të zezë dhe, në përgjithësi, mermeri i errët me krisa e damarë të bardhë, krijonin një hije salloni. Diku poshtë nesh, si prej një bodrumi të thellë, vinte një rropamë e mbytur xhazi. Brankoja se pse u sëkëlldis, ai bëri përpara gjithë energji, sikur atë çast po shkonte të zihej me dikë pikërisht për klubet e natës. Por, befas, hapi krahët dhe qëndroi: “Ja, Halimi paska ardhur!” Halimi ishte ulur në një poltron të qoshes. Çuditërisht, edhe pse nuk kishim ngrënë darkë, kruante dhëmbët me një fije shkrepseje. Ai nuk e pinte duhanin, po mbante një kuti shkrepseje vetëm për dhëmbët. Ishte njeri disi i heshtur dhe, qejfi i tij, të tregohej sa më i përpiktë.
- As topi s’e luan, të parët e kanë përcaktuar me kohë: traduttore-traditore (përkthyesi është tradhtar), - u ankua Brankoja duke përdorur shprehjen e njohur. - U zhduke tri ditë me miqtë dhe asnjë adresë për mua. Ah, druzhe Halim! - psherëtiu. - Me lejen tuaj, - qeshi pastaj, duke iu drejtuar gjithnjë Halimit, - ju shoqërues i parë dhe unë shoqërues i dytë. Këtej, ju lutem! - bëri me shenjë nga restoranti.
Te shkallët më hodhi krahun dhe zbritëm bashkë. Ai vinte i gjatë e dilte si nja një pëllëmbë sipër meje. Më duhej ta mbaja kokën lart, por edhe ai e mbante disi të varur dhe kështu, kur bisedonim, shiheshim sy më sy. Ai kishte sy depërtues dhe, si çdo ballkanas, i shoqëronte fjalët me gjeste. Kur po pinim aperitvin, m’u duk se Brankoja bëri një pushim me veten. I ra në fytyrë po ajo hije mërzie, që kisha vërejtur në dhomë dhe, në atë pushim, sikur mundohej të justifikonte diçka të pathënë midis nesh. Atij i rëndoi heshtja dhe tha:
- Miqtë duhet ta falin Darinkën. Jeni të lutur nga ana e saj ta falni. Me gjithë dëshirën e madhe, ajo mungon sonte në tavolinën tonë.
Natyrisht, nuk kishte ndonjë detyrim për darkën, po gjersa kishte pasur dëshirë dhe s’kishte ardhur, duhej të kishte diçka. “Ndodhi ashtu”, tha Brankoja. Pa dashje, ktheva kokën nga vështronte ai dhe u habita pak, kur pashë Darinkën në një tavolinë më afër sporteleve. Ishte me një burrë që nuk ma kishte zënë syri më parë në “Grand”. Ajo ishte veshur me një fustan të lëshuar, ngjyrë të mbyllët e disi ceremonial. Mbase e priste ardhjen tonë, sepse na përshëndeti nga tavolina e vet duke u ngritur pakëz dhe duke tundur kokën lehtë.
“Mbaroi stadiumi në Mitrovicë?”, pyeti Brankoja. “Në të mbaruar është”, tha Halimi. E ndjeu se tjetri kishte pyetur për të ndërruar atmosferë, prandaj shtoi një hollësi: “Përndryshe, do të jetë gati kah tetori.” “Marrim edhe nga një lloza?”, propozoi Brankoja. Unë ashtu doja, raki si Brankoja, por Halimit i thashë, ti nuk ka kuptim të vonohesh gjithnjë. E kuptoi ku desha të dilja dhe uli sytë disi i turpëruar.
Ditën që do të venim në Ferizaj, Halimi na zbuloi një të “fshehtë”. “Kafet do t’i pimë nga unë, - na ftoi në mëngjes. - Mbrëmë u shtuam me djalë.” E dinim se vetë ishte beqar dhe pandehëm mos ishte bërë dajë nga e motra apo xhaxha nga i vëllai. Po motrat e vëllezërit i kishte gjithashtu të pamartuar dhe më të rinj nga vetja. “Lindi nana, - tha duke u skuqur gjer te veshët. - Ishim tetë dhe tash u bamë dhjetë vllazën e motra. Kështu deshi baba...” Mbase kishte të drejtë disi të skuqej, sepse duke gjykuar nga mosha e Halimit, e ëma duhej t’i kishte kaluar të dyzetat. “Apo s’do të bajnë edhe kolegët hajgare me mua... Lene, lene!” I premtuam se do t’ia ruanim “të fshehtën”, por për sekrete të tilla nuk mund të gjesh kasafortë. Sapo hipëm në makinë, shoferi që kishte pritur përjashta, e ngau: “Ëh, ëh, i thuaj mixhës Sait se, sidoqoftë, me Fetah Asllanin nuk barabitet. Baba im ka njëmbëdhjetë, shyqyr!”
- Nuk ke pse ngutesh, - më tha. - Në shtëpi s’ka mbetur asgjë mangut për mua. Jo, he burrë, s’kisha pasë dert me hangër darkën gjithmonë kështu, - shtoi pastaj.
Brankoja kuptoi se po stepeshim për diçka. U përpoq të dilte nga pushimi me veten dhe u ankua:
- Nuk po arrijmë t’ju kënaqim sonte. Pa u bëmë edhe ceremonialë e harruam se aperitivi më i mirë është humori.. E pra, në fshatin tim, - nisi të tregonte, - kemi patur dikur një leshko, njëfarë Dragan Gjuroviç. I hollë dhe i gjatë Dragani, thoshin se mendtë ia kishte pirë sorra. Se si ra fjala njëherë dhe dikush pyeti në katund përse janë aq të gjatë malazezët. Atëherë u ngrit leshkoja e foli: “Gjyshi Marko thoshte gjithnjë se malazezët bëhen stërhallë duke zgjatur qafën nëpër male, e zgjasin mbrapa shkrepave për të parë nëse është pjekur gruri në Fushë Kosovë!”
- Branko! - ia ndërpreu të qeshurën Halimi, duke i tërhequr vëmendjen.
- ǒështë? - pyeti ai.
Ishte Dara, gjithnjë në tavolinën e kreut, me atë burrin e panjohur që, s’di përse, nxirrte vazhdimisht shaminë, sikur po mbytej nga djersët. Ajo na pëshëndeti si herën e parë dhe Brankoja, pasi piu një gllënjkë raki, e kujtoi të shoqen me fjalët: “Gruaja ime, jeta ime dhe vdekja ime.” Pastaj na u drejtua ne, ju lutem, e di mirë se njeriu nuk ngopet me fjalë, dëshironi të hamë tani? Ai thirri kamerierin dhe, ndërsa vazhdonte biseda, porositëm darkën. Në sallën e madhe të restorantit hynin e dilnin njerëz. Ndoshta në atë orë kishin arritur nga aerodromi edhe udhëtarët e avionit të fundit. Pak më tej, në dy-tri tavolina të bashkuara, ishin ulur rresht e rresht një grup kinezësh. Kisha parë kinezë edhe nëpër rrugë. Ata ishin të veshur të gjithë njëlloj, siç visheshin dikur në Tiranë dhe, ndoshta pikërisht nga uniformiteti i veshjes, përvujtnia e njëtrajtshme e fytyrave apo mania për grupim, të kujtonin disi legjionet e vjetra që përhapeshin vazhdimisht. Biseda kishte ngecur te: “Gjyshi Marko thoshte gjithnjë se hordhitë osmane u ngulën mirë në Ballkan tamam atëherë, kur grekët i thirrën për ndihmë...” Jo, ishte një mendim që m’u përshkua aty për aty, kjo nuk ishte thënë në bisedë. Biseda kishte ngelur te fushatat e dikurshme kalorsiake, çmimi i grurit, ndoshta te futbolli apo mbrapshtitë e fatit. Por do ta rifillonte Brankoja aty?
- Ku do të filmoni nesër? - pyeti.
- Në Gadimë, - thashë.
- Pra, doli fjala ime, - ia bëri Brankoja i gjallëruar, - do të shihni pikërisht Romeon e Zhuljetën. I shihni me vëmendje, ju lutem. Keni për t’u bindur se, në llojin e vet, ato përbëjnë një kryevepër po aq tronditëse sa ajo e Shekspirit. O Zot, çfarë mrekullie! Është për t’u çuditur, por vërtetojnë tamam idenë që buron nga tragjedia e Shekspirit: në këtë botë do të ketë gjithmonë ëndrra, që nuk realizohen kurrë dhe njerëz, që kurrë nuk mund të bashkohen.
Ai kishte folur me një ton disi pikëllues e heshti gjatë. Heshtëm edhe ne. Po ai dreq Halimi, përse nuk më jepte ndonjë hollësi më tepër, sepse unë, si në “Bozhur”, nuk po kuptoja ç’ishin këta Romeo e Zhuljeta e Kosovës dhe ç’lidhje kishin me dashnorët e famshëm veronezë. ǒështë e vërteta, ato fjalët e Brankos të ngjallnin një ndjenjë dhembjeje e trishtimi për ndarjet e përjetshme dhe për shpirtrat që duhen, por që s’bëhen dot bashkë. Natyrisht, nuk kishte lidhje, por mua sepse më shkonte në mend se Halimin ndoshta e trishtonte afrimi i ndarjes dhe m’u kujtuan fjalët, që na kishte thënë në Prizren: “Edhe sa ditë jemi bashkë? Më duket se më shumë e ndezëm, sesa e shuam mallin!”
Por në ato çaste, si ta kisha zemrën të zbrazët, më përpiu mendimi nëse mund të filmohej Romeo e Zhuljeta. Veçse më parë duhet të dija se ç’fshihej prapa këtyre emrave, ndonjë çift real, ndonjë legjendë apo... “Nëse nesër shkojmë në Gadimë, - iu drejtova më në fund Brankos, - a mundet që...” “Haxhi!”, më thirri Halimi. “ǒështë?!”, ia ktheva si Brankoja pak më parë. Ishte përsëri Darinka. Atë burrin e panjohur e shihja në profil. Pjesa e dukshme e fytyrës, me lustrën e djersës, shkëlqente si parafinë. Ai njeri sikur kishte përbrenda një zjarr tretës apo diçka tjetër, munduese e sfilitëse. Pak më vonë, Brankoja do ta përmblidhte fare thjesht, ai ka ethe, ka temperaturë, në këtë vend të gjithë kemi temperaturë. Por ky m’u duk një teprim, sepse tjetrin ndoshta e shqetësonin edhe ndërprerjet e Darës. Veçse, kësaj here, ajo na përshëndeti fare shkurt dhe ne e përshëndetëm gjithashtu nga vendi.
E nëse nesër shkojmë në Gadimë, rifillova, a mundet që atë Romeon... Brakoja buzëqeshi dhe unë s’e mbarova pyetjen, sepse ai e kishte kapur dëshirën time. Natyrisht, më ndërpreu, është e mundshme, bile ju mund t’i filmoni edhe këtu. Si këtu?! u habita. Në këtë sallë, tha ai. Heshti. Një grimë herë shihja si thithte cigaren dhe si i afrohej shpuza te buzët. “Ju me siguri nuk e dini se cili është ai burrë, - tha për njeriun që shoqëronte Darën. - As ti, Halim. Ai njeri ka ardhur nga Ljubjana. Ka leuçemi e kurohet pa shpresë në një klinikë të specializuar. Dikur janë njohur me Darën në Akademinë e Arteve të Bukura. Atëherë ishin studentë dhe ai e dashuronte. Por Dara s’ndiente gjë dhe kështu... Kështu, ai ka ardhur nga Ljubjana me lutjen që të hanë një darkë bashkë. Ishte diçka që nuk mund të mos ia plotësoje. Në qoftë se ai gënjen për atë leuçeminë, kjo është puna e tij. Sidoqoftë, për Darinkën ai ka qenë gjithnjë një i vdekur. Ah, si u turbullova edhe unë këto ditë!..”
Tregimi i tij ra si saç në bisedë dhe duhej të prisje të ftohej ca, pa të mund të thoje diçka. Dhe ndoshta asgjë nuk do të shtohej më, sepse edhe Dara po vinte. Ata të dy ishin ngritur dhe, teksa ndaheshin, po këmbenin fjalët e fundit më këmbë.
- Branko Brankoviç, ju lutem, - u dëgjua papritur zëri i Halimit, - meqë na lejuat këtë intimitet, desha të përfitoja sa pa ardhur Dara. Unë e kuptoj çfarë keni parasysh kur thoni se për Darinkën ai njeri ka qenë gjithnjë një i vdekur. Po përse atëherë, në krye të bisedës, i morët për Romeo e Zhuljeta?
Brankoja më shkeli syrin dhe u mundua ta fshihte këtë gjest, duke shuar cigaren. Pastaj buzëqeshi në një mënyrë të hidhur, por edhe të përmbajtur, siç buzëqeshin zakonisht njerëzit me logjikë të fortë:
- Unë nuk i mora si Romeo e Zhuljeta, unë i deklarova të tillë. Dhe ata janë të tillë, pikërisht sepse nuk u bashkuan!.. Por më duket se sonte e tepruam me këtë motiv. Apo jo, Hatxhi?
- Për pasojat njeriu mund të flasë gjithnjë gjatë, - thashë.
- Po, po, - qeshi ai, - e saktë!
Nuk patëm më kohë, sepse Dara ia mbërrini. Ishte ende e prekur: vuante që tjetri po vdiste aq i ri dhe, kur u ul në tryezë, iu rrëmbushën sytë.
- Ti je e mrekullueshme, Dara, - i tha Brankoja. - Unë kurrë s’kam për t’u penduar që të adhuroj. Ja, ne pikërisht për gratë po bisedonim, - u mundua t’ia ndërronte atmosferën. - Dhe unë po thoja se ne, burrat, edhe kur detyrohemi të trillojmë diçka, të shumtën skuqemi nga turpi, kurse gratë, ngaqë janë tepër të dhembshura, dalëngadalë fillojnë t’i besojnë asaj që lozin vetë... E ti po qan me të vërtetë? - e ngacmoi.
- Pusho, nuk ke arsye të dyshosh, ariu i bardhë, - e përkëdheli gruaja. Asaj iu drodhën qepallat dhe unë pata përshtypjen se lotët do t’i shndërroheshin në qumësht. Sa e pastër dukej Dara!
- Ah, Hatxhi, - psherëtiu, - ah, miq të dashur, po darka po mbaron, kurse unë ende nuk kam pirë një gotë verë me ju!
Brankoja mbushi gotën dhe dora, që mbante shishen, i dridhej ngadalë.

Na u desh të bënim ca xhirime të tjera dhe në Gadimë vajtëm pas dy ditësh. Ndërsa i vija kasetën aparatit, më dukej sikur e kisha ende në sy Fushën e Kosovës, të rrafshtë e të pamatshme, me heshtjen e shurdhët të hapësirave të mëdha. Binte dielli dhe, vende-vende, ku toka ishte lëvruar, dherat e zeza e të shkrifta ndrisnin butë, si flokë të lëshuar gruaje. Një aty e një këtu shquheshin shtëpitë e kosovarëve, me gardhet e pojatat, me mullarët e barit si qeleshe në oborr. Tutje, në udhën që vazhdonte, kisha parë shtëpi të tjera të larta, në një stil sllav, me çatitë e pjerrëta dhe kapakët e grilave në pjesën e jashtme të dritareve. Në fasada u kishte rënë suvaja, po edhe qoshet anësore, pak nga pak, ishin kruar duke zbuluar skeletin metalik. Nuk kisha parë asnjëherë shtëpi prej hekuri. Ndoshta, tamam artificialiteti i tyre të krijonte përshtypjen se ishin pa themele dhe se ishin montuar drejt e mbi tabanin e fushës.
- Ta dish, - më tha Halimi, - në qoftë se na mban gjithë ditën këtu, unë do të mbaj gjithë natën në hotel. E ç’mirë, moj nanë! - iu kthye një plake që ishte afruar te makina dhe diç po e pyeste. - I sheh këta të dy? - më veçoi mua dhe Ilirin. - Kanë ardhur dje nga Tirana dhe duan të ikin nesër.
- Jo, hé dadë, kaq shpejt! - ia bëri plaka e hutuar.
Të nesërmen vërtet do të kalonim kufirin. Kishin shkuar pesëmbëdhjetë ditë, por me sa duket koha që shkon gjithnjë është e shkurtër, dhe koha që pret gjithnjë e gjatë. Që në mëngjes, Halimi na ishte ankuar për dhimbje koke, pastaj kishte shtuar menjëherë, po edhe ju, dashkeni të punoni ditën e fundit, kurse ne një Zot e di kur shihemi më!
- Bash prej Tirane je? - më pyeti plaka. Pastaj ia lëshoi litarin lopës që po kulloste aty, si për ta ndier veten më të shpenguar.
- Ai shoku tjetër është nga Tirana, - i thashë.
- E ti, bash nga Shkodra?
- Jo, jam nga Durrësi, po Shkodra nuk është larg.
- E pra, e kam një nip në Shkodër, Qerim Lushën. A e njeh?
- Nuk e njoh. Durrësi nuk është dhe aq afër.
- Po edhe në Durrës e kam një fis, - më zuri ngusht plaka. - Uh, lum dada për të! Avdi Peja i thonë. Ti e njeh, po?
- Kam ikur shpejt nga Durrësi, moj dadë, - e qetësova. - Kam vite në Tiranë.
- Hëhëëë, në Tiranë! - u gëlltit plaka. - E pra, i kam do rrajë fisi edhe në Tiranë. Baba jem, rahmet pastë, shkonte dikur si me kenë tue shkue në Ulqin. A po i njeh ndopak djemtë e Sadri Demollit?
Rashë në hall dhe s’gjeta tjetër shfajësim:
- Do t’i gjej në Tiranë e do t’u çoj selamin tënd, - thashë.
Ajo u drodh. I shtriu krahët, sikur desh të më prekte e foli prej aty:
- U thuej se ke ndeshë dadën Sutë, Sutën e Ramadan Pejës, u thuej. Ata mandej ma çojnë selamin edhe në Shkodër, edhe në Durrës. - Ajo u gëlltit prapë e lëvizi pak. Dhe mua prapë m’u duk sikur do të vinte të më prekte. - Uh, lum dada për ty! - më zgjati duart. - Merre këtë, se nuk po më ndodhet gja tjetër. E ç’u bë, ku shkoi... - Ishte një gjysmë molle. Mishi lëngështor ishte shumë i freskët dhe dukej se molla sapo ishte ndarë me dorë.
Një fëmijë i vogël u rrëzua te këmbët e plakës. Ajo e ngriti dhe vështroi prapë rreth e rrotull, sikur kërkonte dikë. Por edhe mua po më thërrisnin. Halimi kishte gjetur mësuesen, që bënte punën e cicerones në shpellën e mermerit dhe Iliri kishte filluar të filmonte nga hyrja.
- Po ç’bën more, - iu shkreha, - mund të ketë gjëra më interesante në thellësi!
- ǒthellësi! - ia bëri ai si i dëshiruar.
Kur hodha sytë në kubenë e shpellës, i dhashë të drejtë: diçka prej kristali, krisa-krisa e rrëzëlluese, kishte shkruar tavanin. “Ti merru me detajet, - më tha Iliri. - Do të ishte mirë të vinim ndonjë projektor, por ku i dilet me kabllo! Thonë se shpella është një kilometër e gjatë.” Kalova përpara; rrugëza ishte e dystë, e shtruar dhe, nga të dy anët, me parmakë të ulët çimentoje. Mësuesja cicerone përpiqej të më shpjegonte diçka për stalaktitet e stalakmitet; ngulte këmbë se paraqisnin interes të madh, sidomos ngaqë në trup kishin dëgëzime të vogla horizontale. Sipas saj, kjo ishte e pashpjegueshme dhe shumë e rrallë. Fati i speleologëve, ia ktheva, mirëpo unë e kam të vështirë t’i shoh me syrin e tyre. Po, pranoi ajo, ç’është e vërteta, këtu arti e mund shkencën.
Kisha përsipër një damar në formë qemeri, mbushur me motive bimore e gjeometrike. Ngrita aparatin, por te guva ku fillonte damari, ndriçimi elektrik i shpellës mezi depërtonte dhe kuadri më vinte i mjegullt. Dalta e pandjeshme e kohës kishte gdhendur gjithfarë figurash. Herë më bëhej se shihja një tabaka përplot me grurë të qëruar, herë tjetër se pse më shfaqeshin farfuritës, si prej një xhepi të vogël galerie, ato shkëlqimet e ftohta e pikalore të xeherorëve.
- Përse nuk filmoni?
- Guva nuk ka dritë të mjaftueshme, - i thashë mësueses. - Pastaj, më duket sikur diçka të përafërt kam parë edhe gjetkë.
- Mos doni të thoni në Trepçe? - u mundua të bënte një lidhje.
- Në muzeun e kristaleve, - thashë.
- Pikërisht, - u kënaq ajo. - Është një konstatim që e kanë bërë edhe të tjerë. Të dyja llojet e kristaleve janë të bukura. Por ka që thonë se ato të Trepçes të zgjojnë idenë për t’u bërë i pasur, kurse nga kristalet e Gadimës, kushedi përse, të vjen të qash... Sidoqoftë, - tha disi e prekur, - kristalet e kësaj shpelle s’do t’i ndërroja me asgjë në botë, megjithëse e di mirë se ekonomia e mund artin. Ah, arti! - psherëtiu duke e shkurtuar fjalën. Dhe eci më tej, që të mos më pengonte.
“Haxhi, o Haxhi!” Iliri kishte mbetur prapa me Halimin dhe më thërriste, sa herë shihte diçka, për të cilën besonte se më kishte shpëtuar. Akustika i sillte zërat të përforcuar: “Po ky nuk e pi, o Haxhi. Hajt, pije de, se nuk të mbyt! Ama, një vrimë në ujë, lëpije tani. T’u ngjit gjithë nëpër buzë... Brrrr, ky qenka i pështirë për t’u pirë, pa le më ta lëpish. Eh, ojna i ke këto, sot jemi bashkë e bën kështu, po nesër...”
- Si ju duket? - më pyeti mësuesja.
- Halimi pi një ilaç për dhimbje koke dhe bëjnë shaka, - i thashë.
- Ju pyeta për atë këndin atje, - shenjoi ajo. - Nuk ju duket si sy? Përndryshe, është nga thesaret më të vyera të shpellës.
U afova edhe më nga e majta. Prapa parmakut, një pellg i vogël uji ishte shumë i kaltër, sikur aty të ishte tretur gurkali. Dhe sipër, në mermerin që pikonte, ishte sajuar një sy i madh, në formën e bajames, me halat e kristaleve në vend të qepallave dhe me bebëzën që dukej e errësuar për shkak të boshllëkut. Ku ishte trupi i murosur i asaj gruaje, që kishte lënë përjashta vetëm syrin e djathtë?! Një sy dhe një pellg uji, si një pellg lotësh. Haxhi, o Haxhi! Po ta lë një amanet... Dikush po vinte. M’u duk sikur po vinte dada Sutë. Të m’i çosh selam... Cila ishte ajo grua?!.. Trupi në kalanë e Shkodrës dhe syri në mermerin e Kosovës, m’u përshkua nëpër mend.
- Haxhi, more!
- Çfarë ke që këlthet, më tërbove, - i fola Ilirit.
- M’u mbarua filmi e po dal jashtë të marr një kasetë.
Ani, tha mësuesja, e dija se do t’ju pëlqente. Kishit të drejtë pak më parë, thashë. Po, po, mërmëriti ajo, këtu të zbutet shpirti dhe të vjen të qash. Gjërat e mahnitshme kanë një pushtet të çuditshëm, e fryu paksa bisedën.
Halimi filloi të fshinte buzët, që i ngjisnin prej lëngut viskoz të ilaçit. Bënte fresk e krijoheshin korrente nga xhepat e shpellës. Xhepat ishin të zënë me argjilë, por me sa duket komunikonin nëpërmjet të çarave me katet e paeksploruara. Rreth e qark sikur ndihej fshehtësira e diçkaje, që balta ia kishte mbyllur gojën dhe nuk e linte të dëshmonte praninë e vet. U-e-uuu ngulçonte fshehtësira, u-e-uuu ngashërehej në mënyrë të mistershme. Të vinte të ktheje kokën majtas e djathtas dhe të hetoje nëse ajo vërtet ishte ngashërimë apo era ishte fryma e asaj bote, e cila nuk pajtohej me varrin dhe priste të ringjallej...
- Ja dhe Romeo.
Nga erdhi zëri?
- Ja dhe Zhuljeta, - po thoshte mësuesja. - Romeo vjen pak më i gjatë nga Zhuljeta , - shtoi. Ajo po fliste si për të gjallët dhe, kur u mënjanua të binte drita mirë, pashë një stalaktit që zbriste nga kubeja dhe një stalakmit që ngrihej nga trualli i shpellës. Ishin prej mermeri të lëmuar dhe të rrëshqitshëm.
U kthye Iliri e zuri të filmonte sfondin rreth e qark. Mësuesja i rrinte në krah. Skenën për vete, qeshi me atë, aktorët po ia lë atij, shtoi për mua.
Mbeta në heshtje një grimë herë. Pas asaj nate në “Grand”, e kisha pyetur Halimin dhe ai diç më kishte thënë për Romeon e Zhuljetën e Kosovës. Më kishte folur në një mënyrë të përgjithshme dhe me një ndjenjë mosdashjeje, sikur ta bezdiste ajo bisedë. Ai s’më kishte përmendur asnjë nga ato hollësi, që tani i shihja dhe që më duhej t’i filmoja. E ç’pret pra, më nxiti, jepi kameras nëse ke për të filmuar, ose t’i vëmë kapak kësaj pune e të shkojmë, s’e kemi ndër mend ta kalojmë tërë ditën këtu. Ditën do ta zgjas për vete, që të shkurtoj natën për ty, qesha. Mirë, mirë, ia bëri ai, ke për t’ma paguar, sonte hiqi myst gjumit. Nxori shishen e ilaçit, u bë gati të pinte, por vetëm e nuhati. Pastaj thartoi fytyrën i mërzitur.
- Ta dish, ma bëre borxh ditën e fundit.
- Po ç’bëhesh qesharak, - thashë, - do të kemi kohë të rrimë herë tjetër.
Ai vuri duart në xhepa dhe supet se pse iu ngritën.
- Ee, - murmuroi, - kushedi a takohemi ndonjë ditë!
- Po, - tha mësuesja, - pas një milion e pesëqind mijë vjetësh. - Ishte një keqkuptim që lidhej me profesionin e saj. E ndiemë menjëherë, sepse ajo u kthye nga ne dhe vazhdoi: - Zakonisht, të gjithë sa vijnë, i mundon kureshtja nëse Romeo e Zhuljeta do të takohen një ditë. Sipas përcaktimit të shkencëtarëve, ata do të bashkohen pas një milion e pesëqind mijë vjetësh. - Dhe tregoi me dorë distancën e mermerit.
Stalaktiti e stalakmiti ishin nisur në drejtim të njëri-tjetrit dhe dukej sikur dëshira për t’u bashkuar ishte shpirti i fshehtë që i kishte rritur. Po s’ishin bashkuar dot. Mundimi i gjatë nëpër kohë sikur i kishte stepur. S’di pse ndieja një përhedhje nëpër muskujt e krahëve; më turbullonte dëshira t’i zija me dorë dhe hapësirën e ngushtë, si një kufi në boshllëk që i ndante, ta kaloja duke tërhequr herë... “Ah, druzhe, druzhe, - m’u bë se më foli dkush, - është e pamundur të dalësh kundër Shekspirit të madh! Në këtë botë gjithmonë do të ketë ëndrra, që nuk relizohen dhe të dashur, që s’bëhen dot bashkë.” M’u kujtua Branko Brankoviçi me atë fytyrën e madhe dhe me atë shprehjen herë të pikëlluar e herë prej babaxhani. Të ketë dyshuar se Dara e ka dashur ndonjëherë atë njeriun e Ljubjanës? Ta ketë fashitur dhimbjen tani?, pyesja veten. Natyrisht, do ta kishte të tmerrshme, po të humbiste njeriun e tij. Kushedi ç’do të ndiente e kushedi ç’do të bënte Brankoja sikur Darinkën... Më erdhi mirë që miqtë ishin bashkë dhe ishin të lumtur.
Sidoqoftë, ato fjalët e mësueses, që ishin thënë në një çast të papërshtatshëm, sikur na rënduan në shpirt. Sa kohë filmuam, Halimi foli a s’foli dy fjalë. Zinte me gishtërinj pjesën e ballit midis vetullave dhe, herë-herë, më hidhte një vështrim me atë ndjenjën e mërzisë e të mosdashjes për të qëndruar më gjatë. Ai e ruajti këtë mërzi edhe duke vozitur makinën. Vetëm kur bëmë një copë rrugë, na tha, të kishim pirë ujë makar, kam etje.
M’u kujtua copa e mollës që kisha në xhep dhe e nxora.
- Dale, kam edhe unë një copë, - tha Iliri. - Ma dha një plakë, kur dola të ndërroja kasetën. Dhe më la amanet, ma ço selamin...
- Ah, po edhe mua dada Sutë ma dha, - thashë i habitur.
Për disa çaste, copat e mollës m’u lëkundën në shuplakë të dorës. Kushedi përse, ndjeva atë përhedhjen e mëparshme në muskujt e krahëve. Si pa dashur, zura t’i vërtisja dhe, kur copat u bashkuan në grusht, pashë Halimin që po më ndiqte në pasqyrë.
- Hë?- ia bëri.
- Është një mollë, - thashë. - Hëm, djali i mixhës Sait, po u shihkemi prapë, - qesha.
Nuk bëzajti. Pak nga pak, shpatullat iu ngjeshën në sedilje, sikur po rehatohej për të fjetur. Pastaj i fryu nga dritarja asaj fijes së shkrepëses, që mbante ndërmjet dhëmbëve dhe ia mori nën zë:

Mos e qaj me lot, moj dado,
Mos e qaj me lot,
Se shkon viti i parë, moj dado,
Porsi dita sot...

Makina shkonte me shpejtësi dhe, përpara, fusha dukej sikur vinte me turr drejt nesh.

18 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›