E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen një trajner çek në vend të Duros, Zeqo e mohon

Rreth orës 18:00 të mbrëmjes së djeshme, faqja e internetit e Skënderbeut largon Duron, por trajneri dhe presidenti nuk dinë gjë

Një lajm i çuditshëm dhe që me shpejtësinë e erës është shpërndarë dje në orët e vona të mbrëmjes ka qenë ai i largimit të trajnerit të Skënderbeut, Shpëtim Duro, dhe prezantimin ditën e sotme të trajnerit çek Stanislav Levy. Komentet kanë qenë të mëdha për këtë lajm dhe i pari që e ka përhapur ka qenë e ashtuquajtura faqe zyrtare e klubit Skënderbeut në facebook.

Madje, gazeta ka kontaktuar menjëherë me drejtuesit e kësaj faqeje, të cilët kanë thënë se gjithçka është e vërtetë, pas një sms-je që i ka dërguar një prej donatorëve të Skënderbeut (emri i të cilit ka qenë sekret, por në momentin e fundit është mësuar se mban shkrimin e zv.presidentit të Skënderbeut, Artan Take) administratorit të kësaj faqeje.

Në fakt, edhe pak kohë më parë ka qenë një lajm tjetër, ku të gjithë futbollistët dhe stafi teknik janë gjobitur për rezultate të dobëta me 30% të shumës, ku në kampin korçar të gjithë e kanë pohuar me gojën e tyre, por presidenti Agim Zeqo e mohoi një gjë të tillë. Për të ardhur te lajmi i mbrëmjes së djeshme, sms e ardhur në adresë të faqes është kjo që po botojmë më poshtë:

Nesër prezantohet trajneri i ri i Skënderbeut nga Çekia, Stanislav Levy, ka qenë edhe trajner te Hanoveri    flm z……. për këtë superlajm. 

Pas këtij lajmi, që në klubin Skënderbeu quhet thashethem, gazeta Sporti shqiptar ka kontaktuar me presidentin Agim Zeqo dhe më pas me trajnerin aktual të Skënderbeut, Shpëtim Duro. 

Presidenti Zeqo Në kontaktin e mbrëmjes së djeshme me presidentin Agim Zeqo, ai ka ngritur supet, teksa ka deklaruar: Nuk di absolutisht asnjë gjë dhe unë si president i Skënderbeut e mohoj një lajm të tillë. Nuk e di kush merret me këto fjalë, pasi janë të pavërteta dhe nëse do të kishim një gjë të tillë, do ta bënim publike menjëherë.

Edhe njëherë mos u besoni të tjerëve, pasi kur nuk di gjë unë, s’kanë se si ta dinë të tjerët më parë se mua. Nuk është momenti që të merremi me fjalë të tilla, pasi duhet ta kemi mendjen vetëm te Skënderbeu, në mënyrë që të ngjitet sa më shpejt në krye.

Trajneri Duro Pas fjalëve të Zeqos, gazeta ka kontaktuar mbrëmë vonë edhe me trajnerin aktual të Skënderbeut, Shpëtim Duro, i cili nuk e ka pritur aspak mirë, duke mohuar madje me zë të lartë: Ju lutem, mos u merrni me lajme të tilla që dalin në facebook. E kam thënë edhe njëherë dhe po e përsëris, që nuk kam mbetur unë të heqë dikush, sepse jam trajner që prej 17 vitesh e s’më ka hequr asnjë president.

Unë kam marrëdhënie të shkëlqyera me presidentin dhe, po ta shikoj që diçka nuk shkon, iki vetë dhe nuk kam nevojë të më largojë dikush. Më vjen keq që besoni dhe ju lajme të tilla, por ky është një thashethem që as ka lidhje në këtë moment me mua. Personalisht nuk di gjë dhe mos më pyesni për gjëra të tilla, pasi janë vetëm thashetheme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›