Lutaj: Flamurtari nuk do të nënvlerësojë asnjë kundërshtar
Trajneri vlonjat është kthyer nga Suedia dhe ka zhvilluar stërvitjen me të tijtë, duke komentuar përballjen me Pogradecin
Flamurtari u është rikthyer ditën e hënë e pasdite seancave stërvitore, në kuadër të takimit përballë Pogradecit, ndërsa stërvitja është drejtuar nga trajneri Edmond Lutaj, i rikthyer në Vlorë pas një jave mungese, ku ndodhej pranë familjes së tij në Suedi. Lutaj ka theksuar se përballë Pogradecit është ndeshja ku Flamurtari duhet të mendojë veç një rezultat, atë të fitores, përballë një ekipi që nuk duhet nënvlerësuar aspak.
Njeriu që drejton tashmë Flamurtarin mendon se kreu mund të arrihet shumë shpejt, ndërsa sipas tij, diferencat mes ekipeve në superligë janë të pakta, ndaj nuk ka asgjë për tu shqetësuar. Përballë kemi një kundërshtar që unë personalisht e vlerësoj maksimalisht dhe diçka të tillë e kam përcjellë edhe te futbollistët.
Është një nga ato takime ku mund të mendosh se ke tri pikë më shumë në renditje, por unë kërkoj maksimumin në fushën e lojës nga futbollistët dhe tolerimi do të jetë zero, në të kundërt, ndëshkohesh. Pra, pa nënvlerësim ndaj kundërshtarit të radhës, pasi është edhe një ekip që nuk e njohim shumë. Për Pogradecin, ndeshja në Vlorë është edhe një mundësi e tyre për të treguar vlerat në fushën e lojës ndaj Flamurtarit.
Pra, kujdes maksimal gjatë gjithë 90 minutave. Më vjen mirë që situata në ekip është pozitive dhe këtë e kam parë edhe gjatë stërvitjes së fundit, kështu që besoj dhe jam i bindur se ndaj Pogradecit do të arrijmë të fitojmë bindshëm, thekson trajneri vlonjat.
Sulmi Diferencat mes ekipeve nuk janë të mëdha dhe kjo shihet qartë edhe nga pikët që kanë grumbulluar ekipet gjatë këtyre katër javëve kampionat, ndaj nuk duhet të mendojmë se dy humbjet kanë ndikuar te Flamurtari dhe në objektivat tona për këtë sezon. Do të kërkojmë në ndeshjen e radhës që edhe sulmi të dalë në lojën e tij më të mirë, duke shënuar gola, pasi loja e këtij reparti gjithmonë matet me shënimin e golave në portën kundërshtare.
Ne të gjithë kemi besim te lojtarët që luajnë në këtë repart, ndaj nuk ka asgjë për tu shqetësuar. Shkojmë të sigurt në ndeshjen e radhës përballë Pogradecit dhe jam i bindur se do të kemi tri pikë më shumë në fund të 90 minutave pas përfundimit të këtij takimi. Pra, unë e quaj një ndeshje shumë të rëndësishme dhe nuk mund të lejojmë asnjë rezultat tjetër, veç fitores, përfundon trajneri i Flamurtarit, Emdond Lutaj.
Tekniku vlonjat: Formati i kupës, gjetje shumë e mirë
Për Kupën e Shqipërisë është gjetur një format i mirë, pasi kemi shumë futbollistë që kanë më pak minuta në dispozicion në kampionat dhe aktivizimi i tyre në kupë është një mundësi e mirë. Dhe diçka tjetër që dua të theksoj, Flamurtari do të luftojë fort në të dy frontet, si në kampionat, ashtu edhe në Kupën e Shqipërisë, ndaj ndalohen tashmë hapat falsë për Flamurtarin në çdo takim. Qëllimi është që të mos përsëritet asnjëherë ndeshja që kemi zhvilluar përballë Tiranës.
Begaj nuk llogaritet për ndeshjen me Pogradecin
Mesfushori ka shfaqur sërish probeleme dhe është larguar nga stërvitja, duke konfirmuar faktin se do të jetë një mungesë e sigurt për sfidën e së shtunës në Vlorë ndaj Pogradecit. Ndërkohë Lutaj ka saktësuar se është në pritje edhe të futbollistëve të tjerë, si Veliu dhe Telushi, për të parë gjendjen e tyre dhe për të vendosur rreth aktivizimit të të dy futbollistëve si titullarë apo jo ndaj Pogradecit ditën e shtunë.
Trajneri kërkon nga të tijtë të ruhen nga dëmtimet
Vrapime, ndeshje brenda grupit për rreth 45 minuta dhe goditje në portë kanë shoqëruar stërvitjen e së hënës pasdite për futbollistët e Flamurtarit. Një seancë e cila ka sjellë gjatë kësaj kohe të zhvillimit të saj edhe dyluftime të forta mes futbollistëve, ndërsa disa herë Lutaj ka kërkuar kujdes, për të mos rrezikuar nga ndonjë dëmtim i mundshëm. Gjatë zhvillimit të përgatitjeve ra në sy edhe mënyra e lojës së Abrahamit, ku disa herë ka arritur të gjejë edhe rrugën e rrjetës.
