E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta me një marsh më tepër, rikthehet Mancaku

Nga DORIAN AGOLLI

Fantazisti durrsak ka lënë pas dëmtimin dhe është gati për tu aktivizuar që në ndeshjen e radhës me Apoloninë në fundjavë

Tani jam gati për të luajtur, por edhe për të shënuar. Kështu shprehet mesfushori sulmuesi i Teutës, Bledar Mancaku, që ka qenë gjithë këtë periudhë i dëmtuar dhe tashmë duket plotësisht i riaftësuar dhe ngadalë ka arritur edhe një formë të mirë sportive, gjë që mund të sjellë aktivizimin e tij në ndeshjen kundër Apolonisë. Kanakari i tifozërisë durrsake shprehet se ndihet i lumtur që më në fund po afron dita e aktivizimit.

Falënderoj presidentin Hasanbelliu, drejtuesit e klubit trajnerin dhe shokët e skuadrës për mbështetjen në këtë riaftësim, por në radhë të parë dua të falënderoj tifozët që më kanë pritur kaq shumë dhe premtoj se nuk do ti zhgënjej jo vetëm për sa i përket lojës, por edhe golave. Ndihem mjaft mirë, jam në shtëpinë time. Mendoj se sezoni i ri do të rikthejë kohët e arta të durrsakëve, pasi merkatoja ka qenë shumë e fuqishme dhe ambiciet tona janë të mëdha këtë sezon.

Golat Teuta i ka fituar ndeshjet e saj me rezultat minimal 1-0, megjithatë, sipas Mancakut, forca sulmuese e Teutës do të vijë në rritje dhe për pasojë edhe golat do të shtohen. Te skuadra ka disa lojtarë që njohin mirë portën, kjo është pozitive, sepse sa më shumë lojtarë të shënojnë, aq më e fortë bëhet skuadra.

Jam i bindur që ne do të shënojmë më tepër gola në ndeshjet e ardhshme, sepse edhe sulmi po forcohet, por edhe konkurrenca është e fortë, gjë që shton ambiciet për të realizuar fitore të thella me gola. Personalisht synoj të shënoj sa më shumë gola për Teutën time dhe do të jap maksimumin për një fanellë që ka qenë gjithnjë e dashur për mua.

Apolonia Ndonëse Teuta ka ruajtur një pjesë të mirë të ekipit të sezonit të kaluar, skuadra e këtij viti, sipas Mancakut, ka diçka më shumë që bën të jetë më e fortë, teksa në fund thotë: Këtë sezon Teuta ka diçka më shumë krahasuar me sezonin e kaluar, pasi grupi është më i konsoliduar dhe është përforcuar me disa lojtarë me përvojë që i japin siguri Teutës në lojë.

Unë mendoj se ne i kemi mundësitë për të vazhduar më këto rezultate dhe në takimet vijuese. Po e përgatisim me seriozitet takimin me Apoloninë, kështu që do të punojmë për ta përballuar me sukses dhe këtë sfidë. Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, pasi luajmë përballë një ekipi të fortë, por ne synojmë ti ndalim në fushën e tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›