E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjene OPEC pa marreveshje per rritjen e prodhimit te naftes

Takimi i vendeve të OPEC-ut në Vjenë është mbyllur pa sukses, sa i takon nënshkrimit të një marrëveshjeje për të rritur prodhimin e naftës bruto. Arabia Saudite nuk arriti të bindë vendet e tjera prodhuese të naftës për këtë qëllim, ndërsa zyrtarisht Sekretari i Përgjithshëm i OPEC-ut, Abdullah El-Badri ka siguruar se pavarësisht mungesës së konsensusit, situata është nën kontroll. Sipas tij, OPEC ka të ngjarë të mblidhet sërish pas tre muajve.

Mungesa e marrëveshjes përbën një goditje për vendet e industrializuara konsumatore të naftës të cilat shpresonin që OPEC të mund të vepronte për të vënë nën kontroll inflacionin në fushën e karburanteve. Zyrtari i lartë i OPEC nuk dha detaje për vendet që kundërshtuan marrëveshjen, por ka sqaruar se pasiguria e ekonomisë botërore në këto momente, e rritjes ekonomike, e rënies së prodhimit, papunësia e kanë bërë të vështirë atë.

Delegatët e vendeve arabe thanë se Irani, Venezuela dhe Algjeria ishin ndër anëtarët që kundërshtuan rritjen e prodhimit të naftës. Më herët, zyrtarët sauditë njoftuan rritjen e sasisë së naftës me të paktën 500 mijë fuçi në ditë. Kjo shtesë e çon prodhimin e Arabisë Saudite në nivelin e mesvitit 2008 kur çmimi i naftës arriti rekordin prej 147 dollarë amerikanë për fuçi, pak para recesionit.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›