E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjeshta e artë në Malësinë e Tiranës, nga Shënmëria te Maja e Meçekut

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Penelatat e para të vjeshtës ndihen në Tiranë por janë të paimagjinueshme në male, ku vera e gjatë e përvëluese ka “vulosur” shpatet me ngjyrën e artë të barit dhe të kuqen e shkurreve. Pemët ende “mbahen” duke krijuar kombinime fantastike të së gjelbrës me nuancat vjeshtore të së verdhës, të murrmes e kafes.

E gjitha kjo as nuk mund të përshkruajë kënaqësinë e një ecjeje në Malin me Gropa në malësinë e Tiranës, ndërsa bari i gjatë tërësisht i artë përkundet nën freskinë e flladit të shtatorit dhe befas përballesh me peizazhet hënore të malit por që kësaj radhe shkëlqejnë si thesare ari e bizhush.

Magjia e fshatrave të Tiranës në vjeshtë përzjen ngjyrat, aromat dhe shijet që ndihen në ajër. Drita e diellit ndryshon peizazhet, ndërsa nisemi drejt Majës së Meçekut, pika më e lartë e Malit me Gropa një prej monumenteve më të jashtëzakonshme të natyrës sonë.

Udhëtimi nis në fshatin piktoresk të Shënmërisë, një toponim i krishterë në një zonë pothuajse me popullsi muslimane por jo i pazakontë për luginën e Shëngjergjit ku emrat e fshatrave e lagjeve mbartin dëshmi të forta të periudhës paraosmane.

Shëngjergj, Shënmëri, Shëllinë (Shën Elena), Shëngjin janë disa nga toponimet që ndeshen në zonë.

Rrënojat dhe gjurmët e kishave të vjetra në Luginën e Shëngjergjit përfaqësojnë trashëgimi të çmuar historike që daton kryesisht nga shekujt XII–XIV, periudhë kur kjo zonë njihej me emrin mesjetar “Tomadhe” (ose Tame Dea – Hyjnesha e Burimeve të Ujit).

Malësia e Tiranës është xhevahiri i fshehur që mund të zbulohet lehtësisht nga Tirana, vetëm një orë larg arrin në një botë tjetër ku malet e larta takohen me kanionet e fshehura, shpellat misterioze dhe ujëvarat e harlisura.

Mikpritja po ashtu ka mbetur si dhe duart e palodhura të njerëzve. Ndërsa kalojmë përmes fshatit në ajrin e pastër të mëngjesit dhe tingujt e bagëtive, kopshtet ofrojnë fiqtë e fundit të sezonit, ndërsa rrushi me erë derdhet rrethimeve i parezistueshëm. Banorët të ftojnë të marrësh, me buzëqeshje e dashamirësi.

Pemët madhështore të arrave dhe gështenjave janë plot me kokrra, arrat gati për t’u mbledhur ndërsa gështenjat ende duke u pjekur.

Shtegu fillon të ngjitet përpjetë përmes shkurreve ndërsa pylli me pisha dallohet që larg nga aroma.

Ajo që e bën Malin me Gropa unikal është relievi i tij karstik, i përbërë nga qindra hinka dhe gropa gjigante të formuara nga tretja e gëlqerorëve.

Sapo dalim në pjesën e zhveshur malore, përpara nesh shfaqet ai që me të drejtë quhet “peizazhi hënor” por këtë herë, ky peizazh hënor nuk është i hirtë dhe i ftohtë si në dimër kur zona mbulohet me dëborë.

Qilimi i artë i barit ka mbuluar çdo shpat e pllajë ndërsa qielli ende i kaltër stërpikur me re të bardha mbyll horizontin.

Ngjitja e fundit drejt Majës së Meçekut (rreth 1828 metra lartësi) kërkon pak mund, por pamja nga lart fshin çdo lodhje. Maja të dhuron një pamje magjike sikur ndodhesh në në koshere bletësh me hojet e arta ngado të hedhësh sytë. Më në largësi horizonti mbyllet i kaltër, ndoshta është qiell e ndoshta është edhe deti.

Zbritjen e shijojmë në çdo hap pasi lodhja ka mbetur pas.

Fshati na pret me mikpritjen e bujtinave dhe restoranteve tradicionale ku nuk mund të mos shijosh byrekun e ngrohtë me barishte të shijshme, dhe sallatën e domateve të famshme të zonës, bukën e misrit me shëllirë e patatet e saponxjerra nga toka.

Në Shënmëri ujin mund ta marrësh direkt nga rubineti. Burimet ujore të Shën Mërisë janë strategjike për furnizimin me ujë të pijshëm të kryeqytetit.

Historikisht, nën këmbët e shkëmbinjve të fshatit Shën Mëri shpërthejnë 6 deri në 7 gurra ujore shekullore. Këto burime që vijnë nga masivi i Malit me Gropa kanë një prurje të jashtëzakonshme. Sipas burimeve shkencore, uji i pastër karstik mblidhet në vaska të mëdha nëntokësore dhe që nga viti 1964, përmes tubacioneve të çelikut furnizon Tiranën.

Edhe pse ka pësuar tkurrje të popullsisë, pasi dikur numëronte rreth 300 shtëpi, fshati vijon të ketë gjallëri dhe punë. Çatitë e kuqe të reja ndriçojnë nën diell, ndërsa i sodit nga ballkoni panoramik i bujtinës që na mirëpret.

Së fundmi, jo vetëm Shënmëria por gjithë zona e Shëngjergjit është rigjallëruar në aspektin ekonomik për shkak të rritjes së turizmit. Qindra vizitorë frekuentojnë bujtinat dhe agroturizmet e shumta që kanë lindur përgjatë rrugës apo edhe në fshatrat e luginës.

Ndërsa qëndrojmë në bujtinë, na tërheq vëmendjen një kamionçinë e ngarkuar me arka me domate të sapovjela. Rrugës do të kemi mundësi të ndalojmë pranë parcelave dhe të blejmë domatet e famshme të zonës.

Por, surpriza më e bukur ishte se të zotët e parcelës na lejuan të vilnim vetë domatet që do blinim e të shijonim aromën e gjetheve dhe të tokës.

Domatet e Shëngjergjit e meritojnë vërtet të quhen fruta aq të ëmbla dhe të shijshme janë.

Ndërsa dielli ulet në horizont, mbyllet një ditë e kaluar bukur mes natyrës dhe njerëzve punëtorë të Shënmërisë për t’u kthyer sërish pasi aty çdo stinë krijon peizazhe, aroma e ngjyra të reja.

Peizazhet e Malit me Gropa, foto: ATSH 1 nga 24

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›