Vladimir de Gol? Nga Sir Robert Skidelsky*
Zhgënjimi më i madh i erës paskomuniste ishte paaftësia e Perëndimit, veçanërisht e Evropës, për të ndërtuar marrëdhënie të suksesshme me Rusinë. Shumica e politikë-bërësve dhe ekspertëve kanë shpresuar se, pas një periudhe pashmangshmërisht të vështirë tranzicioni, Rusia do t'u bashkohej Shteteve të Bashkuara dhe Evropës në një partneritet strategjik dhe ekonomik, bazuar në interesa të përbashkët dhe vlera. Mund të dyshohej në ritmin e ndryshimit, por jo në drejtimin e tij. Triumfi elektoral masiv i Vladimir Putinit në zgjedhjet për DUMA-n hedh poshtë këtë përfytyrim.
Sot, interesat e përbashkët janë tkurrur dhe vlerat kanë divergjuar. Një Rusi në ripërtëritje është fuqia më revizioniste e botës, e cila nuk pranon status-quo, të bazuar në nocionin e fitores së Perëndimit në Luftën e Ftohtë. Dy asetet më super-të fuqishme të saj, armët bërthamore dhe energjia, e bëjnë një lider potencial të të gjitha atyre fuqive që janë të pakënaqura me pozicionin e tyre në botë. Boshti potencial Rusi-Kinë, që ka në themel rezistencën e përbashkët ndaj hegjemonisë së SHBA-ve, është fillimi i një bipolariteti të ri.
Shpresat perëndimore të trajektores së Rusisë postkomuniste mbështeteshin në tri supozime, që rezultuan të gabuara. Së pari, shumica e elitës së Rusisë nuk e ka pranuar idenë se humbja e perandorisë ishte e pakthyeshme. Së dyti, unilateralizmi i administratës "Bush" lëkundi besimin se SHBA-të do të vazhdojnë t'i sigurojnë botës lidership "multilateral"; në të vërtetë, unilateralizmi i SHBA-ve ishte sinjal për Rusinë që të fillonte të bënte një politikë të vetën unilaterale. Së treti, në planin ekonomik, Rusia ende nuk është integruar me Perëndimin, veçanërisht me Evropën, sikurse pritej.
Çfarë ndodh kur tërheqja e historisë perandorake e një vendi has në kufizimet e pozitës së tij të tanishme ndërkombëtare? A do të përpiqet t'i dobësojë kufizimet? Apo do t'u përshtatet atyre? Opsioni i parë, mund të shkaktojë konflikt ndërkombëtar, i dyti, konflikt të brendshëm.
Besoj se orvatja e Kremlinit të presidentit Putin për t'u imponuar "perandori liberale" ose "demokraci suverene" shteteve post-sovjetike do të dështojë. Natyrisht, Rusia është gati të ushtrojë ndikim të fuqishëm në ish-territoret sovjetike, por do t'i duhet ta ndajë këtë ndikim me të tjerët. Rusia ka fare pak gjëra për të ofruar për sundim ekskluziv.
Bashkimi Evropian, SHBA dhe Kina u ofrojnë ish-republikave sovjetike mundësi "për të ruajtur balancën" në kundërvënien me Rusinë. Sigurisht, nuk është shumë e vështirë të përfytyrohet ribashkimi vullnetar i popullsisë etnike ruse të Bjellorusisë, Ukrainës lindore dhe Kazakistanit verior në Federatën Ruse, por vetëm në një kontekst, në të cilin Rusia shfaqet si një lider i vërtetë rajonal, në të njëjtin nivel me BE-në. Në mënyrë alternative (ose rastësisht), Rusia mund të zbulojë një qendër graviteti të ri biznesi në Azinë e Mesme ose Azinë Lindore, ndonëse si zor që kjo do të ishte "perandoria liberale", që dikur e kishte përfytyruar Anatoli Çubajsi, përderisa ajo do të bazohet në atraksionin e ndërsjellë të diktatorëve.
Rusia gjithashtu nuk do ta transformojë sistemin e vet ekonomik sipas atij anglo-amerikan. Përveç paaftësisë së saj për ta bërë këtë, rusët janë të vetëdijshëm mirë për të metat e modelit anglo-amerikan. Ne mund të shohim njëfarë kompromisi midis kapitalizmit evropian (stil Sarkozy) dhe modelit autoritarist, proteksionist, me vëllim të madh të politikës industriale. Kjo është një lloj zgjedhjeje civilizuese, të cilën vendet sovrane kanë të drejtë ta bëjnë për veten e tyre.
Imperativet territoriale dhe ekonomike të perandorisë do të vazhdojnë ta pengojnë Rusinë të zhvillojë një sistem politik sipas standardeve perëndimore. Klasa e mesme do të rritet, por nuk ka kurrfarë garancie se ajo do të bëhet "liberale" në kuptimin perëndimor. Kështu që sistemi politik i Rusisë, ka gjasa, në të ardhmen e afërt, do të mbetet autokratik me fasadë demokracie. Dhe pse është zhgënjyes, gjithsesi ky është një përmirësim, të cilin Rusia dikur e ka përjetuar me përjashtim të intervaleve të shkurtra të kohës.
Vështirë të presësh që Rusia t'i ofrojë botës një tip të ri universalizmi, meqenëse dikur ajo e bëri me komunizmin. Elementi rus i mesianizmit politik në një shkallë të konsiderueshme ka shterur. Gjithsesi, Rusia, ka gjasa, të jetë e aftë të zhvillohet duke mobilizuar resurset e veta shpirtërore dhe kulturore, që është alternativë tërheqëse si për modelin amerikan, ashtu dhe për atë evropian, nëse ajo do të arrijë sukses ekonomik në një perspektivë afatgjatë.
Nëse Rusia dështon në orvatjen e vet për t'u bërë qendër e pavarur pushteti duke rivalizuar SHBA-të (dhe eventualisht, Kinën), atëherë ç'rol do të luajë ajo? Një analogji sugjestive mund të bëhej me Francën gjatë periudhës së gjatë të hegjemonisë anglo-amerikane. Duke folur në përgjithësi, Franca ishte "partneri i bezdisshëm" në klubin anglo-amerikan, rol, që e luajti deri në orkestrimin e opozicionit ndaj luftës në Irak në vitin 2003.
Dy herë në shekullin e XX-të - më 1931-in dhe sërish më 1969-'70-ën - Franca ndihmoi në rrëzimin e sistemit monetar botëror. Sharl de Goli (Charles de Gaulle) e nxori Francën nga aleanca ushtarake e NATO-s. Franca, e vetme në Evropën Perëndimore, ndërtoi arsenalin e vet të pavarur bërthamor dhe ishte kampione në krijimin e një kapaciteti ushtarak evropian jashtë NATO-s. Pa e sfiduar hapur lidershipin e SHBA-ve, Franca u përpoq të ndërtonte "Ostpolitik"-ën e vet me Rusinë dhe përdori boshtin e saj me Gjermaninë, për të krijuar një pozicion evropian të politikës së jashtme.
Francezët kanë këmbëngulur më shumë se të gjithë se Evropa ka interesa që nuk janë identikë me ata të Amerikës; në veçanti në Lindjen e Mesme, ku Franca gjithmonë ka mbështetur arabët. Dhe si de Goli, Putini është përpjekur të shpëtojë vendin e tij nga poshtërimi dhe disfata, duke arritur të luajë një rol, që do të ishte në harmoni me ndjenjat popullore të misionit dhe krenarisë kombëtare, me interesat kombëtarë, të interpretuar si "sovranitet".
Ëndrra e golistëve (Gaullist) për të krijuar një qendër të pavarur pushteti asnjëherë nuk u realizua, por roli i "partnerit të bezdisshëm" i dha një aromë të veçantë diplomacisë franceze dhe ajo mund të jetë njëlloj e shëndetshme për Rusinë e tkurrur, krenare, por që nuk mund të jetë hegjemonike më. Roli i "partnerit të bezdisshëm" mund t'i ofrojë Rusisë shpresën e saj më të mirë për pajtimin e përmallimit të saj për pavarësi me realitetet e botës moderne.
*Robert Skidelsky, anëtar i Dhomës së Lordëve të Britanisë së Madhe, është Profesor Nderi (Emeritus) në Universitetin e Uorikut (Warwick University), autor i një biografie të nderuar me çmim kushtuar ekonomistit, Xhon Mejnard Kejns (John Maynard Keynes) dhe anëtar i bordit të Shkollës së Moskës të Studimeve Politike (Moscow School of Political Studies).