Vlerësimi/ Fitorja e zgjedhjeve nga PD, një hap i rëndësishëm drejt integrimit të vendit në BE

Nëndrejtoresha e zyrës rajonale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropën, znj. Nata Menabde, vlerësoi të premten, gjatë takimit me Kryeministrin Berisha në Tiranë, fitoren e zgjedhjeve nga koalicioni i djathtë, i kryesuar nga Partia Demokratike, si një hap të rëndësishëm për vazhdimin e reformave në vend dhe integrimin e tij në Bashkimin Evropian. Zyra e shtypit e kryeministrisë bëri të ditur se zonja Menabde e falënderoi Kryeministrin Berisha për takimin e përzemërt dhe i përcolli përshëndetjet më të ngrohta dhe vlerësimet më të mira nga drejtoresha e OBSH-së, znj. Margaret Chan dhe drejtori i zyrës rajonale të OBSH-së për Evropën, dr. Marc Danzon, për kontributin e Shqipërisë në këtë organizatë, si dhe vizitën e frytshme që ata patën në Shqipëri në mars të 2009. Kryeministri Berisha falënderoi për vlerësimet dhe shprehu edhe një herë vendosmërinë për thellimin e reformave në shëndetësi, në përputhje dhe me parimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Zonja Menabde ka paraqitur kandidaturën për postin e drejtoreshës së zyrës rajonale të OBSH-s në zgjedhjet që do të zhvillohen në muajin shtator 2009.
...