E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frenohet rritja e çmimeve në tregun e banesave

Gjatë vitit 2008, tregu i banesave është karakterizuar nga frenimi i ritmit të rritjes së çmimeve dhe nga luhatje të indeksit të qirasë, bën të ditur Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të saj mbi statistikat. 

Sipas BSH-së, indeksi mesatar i çmimit të banesave për rrethin e Tiranës, ka rënë me 0.3 për qind në terma vjetorë, në ndryshim nga sjellja në tre vitet paraardhëse, kur indeksi ka shënuar rritje të ndjeshme. Ekspertët bankarë shprehen se frenimi në normën e rritjes së çmimeve të banesave mund të jetë i lidhur si me zbutjen e kërkesës për banesa, ashtu edhe me një rritje të ofertës për to. Këtë fakt e vërteton dhe vrojtimi i Bankës Qendrore mbi aktivitetin kreditues, ku të bie në sy që bankat raportojnë për një rënie të kërkesës së individëve për kredi për blerje banese, si edhe për një shtrëngim të standardeve të kredidhënies për këtë qëllim. Sipas ekspertëve, shtrëngimi i kushteve të kreditimit për banesa, veçanërisht gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit, mund të ketë ndikuar në uljen relative të kësaj kërkese. Ndërkohë, në kahun e ofertës, gjatë vitit 2008 është konstatuar një prirje rritëse e ndërtimeve të reja, duke patur ndikim për një frenim të rritjes së çmimeve. Sipas BSH-së, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, i cili vlerëson ecurinë e kostove të ndërtimit, nuk paraqet ndryshime të theksuara gjatë vitit 2008. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007, ky indeks ka shënuar një rritje 1.4 për qind në tremujorin e katërt të vitit. Ekspertët vërejnë se faktor kryesor në rritjen e këtij treguesi është ndryshimi pozitiv i indeksit të çmimeve të grupit "Shpenzime direkte" me 0.2 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm dhe me 2.4 për qind kundrejt tremujorit të fundit të vitit 2007. Ky grup shpenzimesh zë 67.6 për qind të shpenzimeve totale, duke patur kështu peshën kryesore në shpenzimet e ndërtimit. Brenda këtij grupi, kanë shënuar rritje indekset e nëngrupeve "Shpenzime për paga" prej 1.6 për qind dhe "Shpenzime makinerie" prej 0.3 për qind. Indeksi i çmimeve të nëngrupit "Shpenzime materiale" ka shënuar një ulje prej 0.2 për qind në tremujorin e katërt, por një rritje prej 1.1 për qind në krahasim me fundin e vitit të kaluar. Brenda tij, mund të përmendim uljen e çmimeve të materialeve të ndërtimit prej 0.3 për qind. Indeksi i çmimeve të materialeve elektrike ka shënuar një rritje prej 3.8 për qind për tremujorin e fundit dhe një rritje prej 7.8 për qind krahasuar me fundin e vitit 2007. Ndërkohë, nuk ka ndryshime në përqindjen e fitimeve të parashikuara, vlerësojnë ekspertët. Sipas tyre, zhvillimet në këtë indeks, tregojnë që çmimet në tregun e banesave nuk kanë reflektuar plotësisht ecurinë e kostove të ndërtimit, duke nënkuptuar uljen e marzheve të fitimit për industrinë e ndërtimit. Ecuria e çmimeve të banesave është me rëndësi për industrinë e ndërtimit, për publikun dhe për sistemin financiar në vend. Për vetë rolin që banesat dhe pasuritë e tjera të patundshme luajnë në konsumin afatgjatë të qytetarëve, në sektorin bankar dhe në sistemin financiar, njohja e ecurisë së çmimit të tyre dhe e faktorëve që shkaktojnë ndryshimin e kësaj ecurie, merr rëndësi të madhe. Aktualisht, për të nxjerrë konkluzione mbi prirjet e ecurisë së çmimit të banesave në të ardhmen, është e nevojshme të përmirësohet metodologjia e mbledhjes së informacionit për të siguruar një shtrirje më të madhe gjeografike si edhe një vlerësim më të saktë sipas llojeve të banesave, sipërfaqeve, vendndodhjes, vitit të ndërtimit, mënyrës së financimit, mënyrës së pagesës, etj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›