Vlerësimi i ndërkombëtarëve: Ishte një fitore për demokracinë dhe popullin shqiptar
Fokus/ Zgjedhjet vendore
Zgjedhjet vendore të datës 8 maj u cilësuan nga ndërkombëtarët, si të qeta, që edhe pse në një atmosfere polarizuese, ishin konkurruese dhe transparente. Në raportin paraprak të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, të publikuar pas përfundimit të procesit të votimit, 8 maji vlerësohet si “një ditë qetë, ku votimi vazhdoi relativisht mirë, por procedurat nuk u ndoqën në disa raste”.
Kreu i Misionit Vëzhgues Zgjedhor të OSBE/ODIHR-it, Jonathan Stonestreet, deklaroi se “procesi zgjedhor në Shqipëri për zgjedhjen e drejtuesve lokale ishte transparent dhe konkurrues, por u organizuan me një ambient tejet të polarizuar dhe të mungesës së besimit mes partive”.
Zgjedhjet lokale u monitoruan edhe nga një delegacion i lartë i Parlamentit Europin, i kryesuara nga Eduard Kukan të cilët vlerësuan se “votimi u krye në mënyrë të rregullt dhe të qetë”. Deputetët europiane vunë re se në qendrat e votimit që ata vizituan, procesi ishte në përgjithësi i rregullt dhe i administruar në mënyrë paqësore, prani të vëzhguesve të partive politike në shumicën e qendrave të votimit dhe mirëpriti praninë e vëzhguesve nga shoqëria civile në disa prej këtyre qendrave.
Pas zyrtarëve të lartë të PE-së, edhe drejtoresha e Drejtorisë Politike të Këshillit të Europës, Claudia Luciani, vlerësoi maturinë e treguar nga votuesit shqiptarë, të cilët, sipas saj, ditën e votimit treguan vlera të vërteta europiane. Edhe Bashkimi Europian përmes zëdhënëses Natasha Batler, shprehu vlerësime për pjesëmarrjen masive të qytetarëve shqiptarë në procesin demokratik të zgjedhjeve vendore të 8 majit duke cilësuar ditën e zgjedhjeve, “një ditë të qetë edhe pse në një atmosferë polarizuese”.
Duke vënë në dukje se, BE-ja ka ndjekur me vëmendje zgjedhjet lokale në Shqipëri, Batler theksoi se “përfundimi i procesit sipas standardeve, mbetet prioritet për integrimin europian të vendit”.
Ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu, pasi ndoqi për rreth dy ditë procesin e numërimit në njësinë numër 5 në kryeqytet, deklaroi se “teksa të dyja palët pretendojnë fitoren, është posaçërisht e rëndësishme të pritet që rezultatet të certifikohen në përputhje me Kodin Zgjedhor”. Duke uruar për kapërcimin e vijës së finishit, diplomati amerikan nënvizoi se “ka qenë një fitore për demokracinë shqiptare dhe popullin shqiptar”.
Ndërsa në një deklaratë të përbashkët, pas përfundimit të procesit të numërimit Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, i BE-së, Etore Sekui dhe ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu e cilësuan të rëndësishëm faktin që “procedurat për zgjidhjen e ankesave të jenë të qarta dhe në përputhje të plotë me dispozitat ligjore të Shqipërisë, përfshirë Kodin Zgjedhor”.
Në vijim të procesit zgjedhor, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Catherine Ashton, u bëri thirrje udhëheqësve politikë në Shqipëri që të mbështesin përmbylljen e procesit zgjedhor në mënyrë paqësore, konstruktive dhe me vështrim nga e ardhmja.
Apeli drejtuar udhëheqësve politikë në vend për respektim të procesit zgjedhor dhe ruajtjen e qetësisë, ka ardhur edhe nga Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Filip Gordon.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të kryejë funksionin e tij, në mënyrë konsistente dhe transparente, në përputhje të plotë me ligjin, për të krijuar besim tek popullata dhe për të garantuar integritetin e mandatit të këtij institucioni”, tha Gordon. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit te Evropës, Thorbjorn Jagland iu bashkua thirrjes dhe apelit të partnerëve të tjerë ndërkombëtare ndaj udhëheqësve politikë në Shqipëri për vetë-përmbajtje dhe respektim të plotë të procesit demokratik, pas zgjedhjeve të fundit lokale, pasi sipas tij “shqiptarët meritojnë më mirë”.
Gjatë mbledhjes së Komiteti për çështjet e jashtme në Parlamentin Europian ku u diskutua për zhvillimet politike në Shqipëri dhe zgjedhjet vendore të 8 Majit, kreu i delegacionit të PE-së, Eduard Kukan tha se, “pjesëmarrja e lartë në zgjedhje do të thotë se njerëzit duan zhvillimin dhe integrimin”.
“Përfundimi i këtyre zgjedhjeve do të përcaktojë edhe perspektivën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, deklaroi Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Euroazinë, Tomas Kantrimen, që vlerësoi pjesëmarrjen e lartë në zgjedhjet vendore në Shqipëri, duke thënë se, kjo tregon interesin shqiptarëve për të ardhmen e vendit dhe të demokracisë.
“Mendoj se këto ishin zgjedhjet më të pastërta dhe të drejta që ka parë Shqipëria në historinë e saj. Nuk dua të minimizoj problemet që u shfaqën dhe që vazhdojnë të jenë, por shoh shumë shenja pozitive në mënyrën si u zhvilluan këto zgjedhje”, deklaroi ai.
Ndërsa çështja për rezultatin përfundimtare dhe shpalljen fitues për kryetar të Bashkisë së Tiranës ndodhet në duart e Kolegjit Zgjedhor, ndërkombëtarët apelojnë që Kolegji të marrë vendim duke u mbështetur në ligj.
Ambasadori i SHBA-së deklaroi se “pasi Kolegji Zgjedhor të marrë vendimin ligjor, nuk mbetet gjë tjetër vetëm që kjo të pranohet nga partitë politike, sepse kjo është gjëja ligjore për të bërë”.
Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan, tha se “ekspertë ligjorë dhe ata të Kolegjit Zgjedhor duhet të marrin vendime të mbështetura në ligj dhe nëse ata kanë paqartësi, mund t’u drejtohen institucioneve ndërkombëtare, ndofta Komisionit të Venecias, që ka profesionistë të vërtetë”.
Kukan theksoi se, “procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende, por zhvillimet post- elektorale tregojnë se ka mosmarrëveshje mes partive politike, të cilat shkaktojnë tensione politike dhe çojnë në kërcënimin nga ana e opozitës për të bojkotuar përsëri aktivitetet e parlamentit, gjë që nuk është normale në një shoqëri demokratike, e cila duhet të mbajë gjallë dialogun e vërtetë politik dhe t’i zgjidhë problemet përmes tij.
Ne presim që Kolegji Zgjedhor të marrë një vendim të bazuar në ligj, pa presionin e asnjë prej partive. Ky është detyrim ligjor, deklaron zyrtari i lartë amerikan, Tomas Kantrimen duke nënvizuar se, në aspektin politik, ne presim që të dy palët të shmangin kërcënimet për demonstrata dhe dhunë, nëse nuk u pëlqejnë rezultatet”.