E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlerësimi për borxhin e Shqipërisë nuk ndryshon, risk zgjedhjet

SHKRUAN: Blerina Hoxha 05-04-2011 11:48

Borxhi i Shqipërisë për vitin 2011 ka marrë vlerësimin stabël B+ nga agjencia amerikane e vlerësimit, Standard & Poors. Vlerësimi mbetet në të njëjtin nivel si dy vitet e shkuara, por nuk përfshihen as në nivelin e mesëm, që përfaqësohet nga zona e verdhë në hartën globale të riskut mbi borxhin. Raporti i vlerësimit është bërë në ditët e fundit të marsit dhe tashmë raporti i plotë ka mbërritur në Ministrisë e Financave. Ndërkohë që shumë vende të botës dhe rajonit, duke përfshirë edhe Greqinë, kanë pësuar rënie në vlerësimin e riskut të borxhit, Shqipëria të paktën ka ruajtur të njëjtin pozicion. Mirëpo, kompania S&P ka specifikuar për këtë vit se, tensionet politike kanë rriskuar perspektivën e vendit. Sipas raportit të S&P, B+, përfaqëson një këndvështrim stabël për qëndrueshmërinë financiare dhe makro-ekonomike të vendit. "Ky vlerësim është një konfirmim i vlerësimit të "Moody's", dhe shpreh besimin e analistëve ndërkombëtare të riskut për ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare", njoftuan burimet në Ministrinë e Financave. Në vlerësimin e saj për riskun e vendit, kompania "S&P" citon si argumente kryesore rritjen solide të ekonomisë, potencialin e saj afatmesëm dhe afatgjatë, prospektet për integrimin europian dhe kuadrin ligjor që mbron investitorët dhe garanton me prioritet pagesat e huave. Gjithashtu, S&P thekson se ekonomia shqiptare ishte nga të vetmet ekonomi europiane që nuk pësoi rënie ekonomike dhe recesion, por përkundrazi u rrit në mënyrë të qëndrueshme, në sajë të politikave të efektshme makro-ekonomike. Gjithashtu SP vlerëson se, mbajtja nën kontroll e inflacionit, ishte një faktor i rëndësishëm i qëndrueshmërisë ekonomike të vendit, gjatë periudhës së krizës ndërkombëtare. Standard & Poors, në vlerësimin për Shqipërinë lajmëron se, polarizimi i skajshëm i klimës politike ka cenuar seriozisht aftësinë e qeverisë për ndërmarrjen e politikave dhe reformave efektive. Kjo situatë, sipas ekspertëve, përveçse rrezikon seriozisht progresin e vendit drejt Bashkimit Europian, është një kërcënim edhe për zhvillimin e ekonomisë dhe qëndrueshmërinë e financave publike. “Niveli i borxhit publik në Shqipëri është i lartë dhe ky vlerësim mund të vihet nën presion, nëse qeveria do të devijojë nga programimet aktuale për borxhin, ose nga faktorë të tjerë të jashtëm”, thuhet në raport. S&P pohon se buxheti mund të vihet nën presion nga faktorë të tjerë, që përfshijnë rritjen e shpenzimeve për pensione, sidomos pas reduktimit të kontributeve në maj të vitit 2009. Një tjetër risk, sipas raportit, është edhe ai i shpenzimeve të larta qeveritare në prag të zgjedhjeve. Ndaj, duke parë këto rreziqe, raporti propozon miratimin e një rregulli fiskal, që do të kufizonte qeverinë të devijojë nga programet e miratuara fiskale.

Vlerësimi i borxhit nga A te D-ja

Agjencitë kryesore të vlerësimit japin nota për bonitetin e borxhit të vendeve. Me të njohurat janë ato të përdorura nga "Moody's", "Standard & Poor's" apo "Fitch", dhe që shkojnë nga AAA për aftësi shumë të mirë pagues dhe praktikisht asnjë rrezik mos shlyerje, e deri në C (Moody's) apo D (Standard & Poor's dhe Fitch) që tregon se, subjekti i vlerësuar nuk ka aftësi shlyerje. Ky sistem i njehsuar vlerësimi redukton pasigurinë e investuesve, lidhur me riskun që paraqesin firmat apo shtetet huamarrëse. Avantazhi për huamarrësit është aksesi në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Vlerësimit të riskut të kredisë së një shteti apo siç quhet ndryshe "sovereign ratings", i kushtohet vëmendje e veçantë, jo vetëm sepse disa nga aktorët më të rëndësishëm në tregjet e kapitalit janë shtete të caktuara, por edhe sepse ky vlerësim përbën bazën për përcaktimin e riskut për emetues të tjerë nga i njëjti vend.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›