E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat, ulet ritmi i depozitave rritet i kredive

Bankat këtë vit kanë shtuar ritmet e dhënies së kredisë për ekonominë, ndërsa ritmet e rritjes së depozitave në banka po vijnë në ulje. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se teprica e kredisë arriti vlerën e afro 489 miliardë lekëve, me një rritje prej 5 miliardë lekësh, ose 1% brenda një muaji. Pas stepjes së muajit janar, kur portofoli i kredisë kishte ngelur në vendnumëro, shkurti risjell shpresat se, kredia do të vazhdojë gjallërimin që kishte filluar në dy muajt e fundit të vitit 2010. Rritja e kredisë erdhi pothuajse e gjitha në segmentin e biznesit, ku portofoli preku vlerën e 321.3 miliardë lekëve, 5 miliardë lekë ose 1.6% më shumë se në muajin janar. Ndërkohë, kredia për individë njohu një rritje mjaft të lehtë dhe arriti vlerën e 149.8 miliardë lekëve. Një zhvillim surprizë, erdhi nga depozitat, që pasi ishin rritur për afro dy vjet radhazi, në muajin shkurt pësuan një rënie mujore të nivelit të tyre. Totali i depozitave në fund të shkurtit kishte vlerën e 792 miliardë lekëve, me një rënie prej 0.3%, krahasuar me muajin janar. Megjithatë, gjendja e depozitave të sistemit bankar ngelet më se e shëndoshë dhe gjithashtu sistemi vazhdon të jetë mjaft likuid. Raporti mes kredive dhe depozitave për muajin shkurt ishte 61.7%, nga 65.2% që ishte ky raport një vit më parë. Kredia pa shpresë arkëtimi nga bankat arriti në fund të muajit shkurt në 21 miliardë lekë, sipas të dhënave nga shoqata e bankave. Vlera neto e kredive të humbura nga muaji në muaj po rritet për shkak se huamarrësit nuk po kthejnë rregullisht kreditë e marrë para tre katër vitesh. Vitet 2005, 2006 dhe 2007 kredia për ekonominë nga bankat e nivelit të dytë kulmoi. Sipas të dhënave, pjesa më e madhe në këto humbje i takon moskthimit të kredisë nga bizneset, për shkak se ata zotërojnë edhe pjesën më të madhe të kredisë së dhënë nga bankat. Në përqindje, kredia e keqe në fund të vitit që shkoi, rreth 14.5 për qind, sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Cilësia e kredisë vijon të jetë rreziku kryesor, i cili i kanoset bankave në vendin tonë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›