Vlerësohen 88 olimpiadistë, Kumbaro: Nga ky vit shtohet dhe Olimpiada e gjuhëve të huaja

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ Në ambientet e Kryeministrisë u zhvillua sot ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për 88 olimpiadistë fitues të olimpiadave kombëtare e ndërkombëtare.
Në aktivitetin me pjesëmarrjen e kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro vlerësoi të gjithë olimpiadistët për suksesin e arritur.
“Jemi të gjithë bashkë, 88 fitues të olimpiadave kombëtare në matematikë, fizikë, kimi, biologji, informatikë, gjuhë shqipe dhe letërsi, histori e gjeografi, fituesit e olimpiadës së përbashkët Shqipëri-Kosovë. Është dhe një kategori tjetër për të cilën dua të shpreh mirënjohjen dhe të falënderoj një grup prej jush, që mbasi marrin çmime të para, të dyta e të treta në olimpiadat kombëtare, kanë guximin, dëshirën dhe ambicien të garojnë nëpër olimpiada të tjera ndërkombëtare, sidomos në fushën e matematikës, informatikës dhe shkencës, ku jo vetëm dilni ndër më të mirët, po ngrini lart edhe flamurin kombëtar”, theksoi Kumbaro.
Më tej, në fjalën e saj ajo u ndal tek arritjet e Shqipërisë në rezultatet e Testit PISA 2025, të cilat përmirësim të ndjeshëm të performancës së nxënësve shqiptarë në të tre fushat e vlerësimit, përkatësisht +65 pikë në matematikë, +59 pikë në shkencë dhe +50 pikë në lexim, duke e renditur Shqipërinë në nivelet më të larta të rajonit të Ballkanit Perëndimor në matematikë dhe shkencë.
Nga ana tjetër, gjetjet e PISA evidentojnë për nxënësit shqiptarë nivele të larta kurioziteti, këmbënguljeje përballë detyrave të vështira dhe bindjeje se arsimimi ia vlen.
“U ndjeva jashtëzakonisht krenare që Shqipëria u rrit ndjeshëm në të treja fushat e vlerësimit dhe krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ishte e para në pikët e akumuluara në Matematikë, e para me Malin e Zi në shkencë dhe e treta në lexim. Ju jeni prova më e mirë se sa punë bëhet nga ju, nga familjet tuaja, mësuesit që ju udhëheqin dhe ekipit të sektorit publik e privat të arsimit që kemi synim të përbashkët, të kemi nxënës me aftësi që të jenë jo ata vegël e teknologjisë, por teknologjia të jetë në dorën e tyre për të zhvilluar mendimin kritik. Dua të shuaj edhe disa zëra që nuk e di pse nuk gëzohen për fëmijët e Shqipërisë që dalin të parët por kapen në detaje teknike të cilat përpiqen t’i përdorin për t’u ulur meritat tuaja. Merita është juaja, e shkollës shqiptare, e gjithë mësuesve që ju rrinë mbi kokë”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro njoftoi se nga ky vit, olimpiadave kombëtare do t’u shtohet edhe ajo e gjuhëve të huaja.
Në fund të ceremonisë, olimpiadistëve iu shpërndanë certifikatat dhe dhurata nga kryeministri dhe ministrja e Arsimit.
1 nga 2/a.f/