“Vlerësojmë progresin e arritur kundër korrupsionit dhe reformimin e gjyqësorit”

Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi pret deputetët e Parlamentit Europian
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi priti dje delegacionin e deputetëve të Parlamentit Europian, që ndodhet në Tiranë, në kuadër të takimit të 4-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, BE-Shqipëri. Kryetari i Delegacionit për Marrëdhëniet me Evropën Juglindore, Eduard Kukan në fjalën e tij vlerësoi lart përpjekjet që po bën qeveria shqiptare për të nxitur reformat me qëllim hyrjen sa më shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Në vlerësojmë përpjekjet që keni bërë si në luftën ndaj korrupsionit si dhe progresin arritur në reformën e gjyqësorit por mendojmë se ka ende shumë për të bërë në këtë fushë, ndaj jemi këtu për t’ju mbështetur”, u shpreh Kukan. Më tej në emër të Parlamentit Europian ai shprehu kënaqësinë për fillimin e bashkëpunimit mes forcave politike në parlament. Kukan e konsideroi arritjen e marrëveshjes dhe votimi i tre ligjeve me 3/5 si hapa inkurajues dhe konkretë dhe uroi që kjo klimë pozitive të vazhdojë me qëllim përmbushjen e aspiratave tona integruese. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi pas falënderimeve të rastit për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Europian për Shqipërinë, tha se, “Plotësimi i rekomandimeve të Raport Progresit të Komisionit Evropian është çështje prioritare për Ministrinë e Drejtësisë dhe në përmbushje të tyre, janë bërë hapa si në hartimin e strategjisë për reformën në gjyqësor; miratimin e strategjisë kombëtare për të drejtat e pronësisë si dhe plotësimin e rekomandimeve për përmirësimin e trajtimit të të dënuarve”. Ministri Halimi bëri edhe një pasqyrë të punës së Ministrisë së Drejtësisë në drejtim të hartimit të një paketë ligjore që miratohet me shumicë të thjeshtë dhe që ka lidhje me planin e jashtëzakonshëm të dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë. Ky plan synon përfundimin e dixhitalizimit të gjykatave, inspektimet on-line, regjistrimet audio dhe video të seancave gjyqësore, dixhitalizimin e noterisë, përmbarimit, regjistrimit të pronave dhe sistemit të burgjeve përfshi këtu edhe planin e dixhitalizimit të mbikëqyrjes elektronike të të dënuarve. Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, ministri Halimi u shpreh se kjo luftë kërkon ndërhyrje të forta që lidhen me hartimin dhe miratimin e ligjeve me 3/5, të cilat siç edhe dihet për dy vjet nuk janë miratuar për shkak të bojkotit parlamentar të opozitës. Në emër të delegacionit Kukan u shpreh se, “Kemi arsye të besojmë s raporti i Parlamentit Europian për Shqipërinë do të jetë pozitiv. Ne ju inkurajojmë të vazhdoni punën për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe ju sigurojmë mbështetjen tonë për të arritur rezultatet e duhura”.
...