Vllasi nuk shkon ambasador në Beograd

Ish-zyrtari i lartë i RSFJ-së, Azem Vllasi e ka quajtur vetëm “shaka” idenë që ai mund të jetë ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Beograd.
Për këtë çështje Vllasi foli në emisionin Infomagazine të Klan Kosovës ku u analizua marrëveshja e mbrëmshme në Bruksel në mes të Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiq, për hapjen e zyrave ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd.
Sipas Vllasit, kjo ka qenë një lloj barsolete e tij e vjetër.
“Unë e përcjellë kronologjikisht më 1996 e kom leshu këtë ide dhe kjo ka qenë një farë provokimi i butë për palën serbe” ka thënë Vllasi.
Megjithatë, pas 16 viteve ish-lideri komunist nuk do ta pranonte këtë post.
Refuzimin e tij, Vllasi e arsyeton me moshën që ka. Për shkak të vjetëve ai konsideron se nuk do të ishte mirë që të merrte një post të tillë.
Ndërkohë marrëveshja për hapjen e zyrave ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd është vlerësuar pozitivisht nga analisti politik Ardian Arifaj.
Sipas Arifajt Serbia është e detyruar që të zbatojë marrëveshjet për shkak të gjendjes së saj ekonomike.
“Serbia përkundër rezistencës që mundet me e pas është e detyruar për të pranuar të gjitha urdhrat e Brukselit sepse ekonomikisht është shumë e dobët” ka thënë Arifaj./Indeksonline/