Edhe një i akuzuar për vrasjen e pesëfishtë

Me kërkesë të autoriteteve maqedonase, Policia e Kosovës ka ekstraduar në Maqedoni shtetasin Shukri Alija, i cili akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e pesëfishtë pranë fshatit Smilkovc, raportojnë mediat në Shkup.
Pas ekstradimit, Alija është vendosur menjëherë në paraburgim.
Disa raporte thonë se Alija nuk figuron në akuzën e ngritur nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë lidhur me vrasjen e pesëfishtë, por ai “konsiderohet si mentor dhe lider i kryerësve të vrasjes”.
Aktakuza e ngritur ngarkon për vepër terrorizëm dhe vrasjen e kryer Alil Demirin, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Azirin, Rami Sejdinin si dhe Haki Hazirin për ndihmën e dhënë gjatë kryerjes së aktit të vrasjes, transmeton Rel.
Incidenti në Smilkovc ka ndodhur më 12 prill të këtij viti, ku janë vrarë katër të rinj maqedonas dhe një peshkatar.
Emri i Shukri Alijas thuhet se është në listën e zezë të Bashkimit Evropian./Indeksonline/