Vllaznia – Skënderbeu, gjithçka “open”

www.albania-sport.com - Vllaznia do të synojë kualifikimin për herë të 28-të midis katër më të mirave të Kupës së Shqipërisë, kur të martën do të përballet me Skënderbeun në “Loro Boriçi” (13:30, hyrja është falas).
Takimi i parë në Korçë, i zhvilluar më shumë së një muaj më parë (10 shkurt) prodhoi një barazim pa gola, edhe pse anglezit të shkodranëve, Xhemjs Feniks, balta në fushën ekstremisht të rënduar i mohoi një gol, ndërsa topi i kuq u ndal pak centimetra lag vijës fatale. Gjithsesi, mesfushori sulmues i Vllaznisë, Feniks, ende nuk ka mbërritur në Shkodër.
Përballja e fundit midis dy skuadrave në Shkodër, ajo e fazës së dytë të kampionatit përfundoi me fitoren e ngushtë 3-2 të Vllaznisë, njëherësh edhe e humbja e vetme gjatë vitit 2010 e Skënderbeut të fuqishëm financiarisht e që vjen pas tri fitoreve rresht në Superligë.
Mesfushori i Vllaznisë, Ndriçim Shtubina, pohoi: “Skënderbeu i tanishëm nuk është ai i disa kohëve më parë dhe këtë e pranojmë të gjithë. Rezultati është i hapur për të dyja ekipet. As nuk e mbivlerësojmë dhe as nuk e nënvlerësojmë”.
Për mbrojtësin Elvis Kraja, një blerje dimërore e 6-herë e fituesve të Kupës, e që luajti pjesën e parë me Skënderbeun (15 ndeshje), beson se objektivi i Vllaznisë për të qenë pjesë për 13-të në finalen e këtij kompeticion është një objektiv i arritshëm. “Objektivi ynë më i afërt është që të kualifikohemi ndaj Skënderbeut”, - thekson shkodran 26-vjeçar.
Sulmuesi më prodhimtar i Vllaznisë, si në kampionat (8 gola) dhe në Kupë (6 gola), Bekim Bala, dëshiron të shënojë ndaj Skënderbeut. “Golat e mi vlejnë atëherë kur Vllaznia triumfon dhe në rastin konkret kundër Skënderbeut”, - thotë 19-vjeçari, i cili në takimin kundër korçarëve do të ketë si partner boshnjakun Sead Haxhibuliç, ndërkohë që vija e parë do të mbështetet nga katër mesfushorë, Shtubina, Nallbani, Belisha dhe Doçi.
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, njëherësh edhe një ish-teknik i Vllaznisë para dy sezonesh, kërkon nga skuadra e tij impenjim maksimal në ndeshjen e kupës, ku sipas tij kualifikimi është i hapur për të dyja ekipet.
I financuar nga një grupim i fuqishëm financiar, Skënderbeu përveç objektivit të madh për të mbijetuar në Kategorinë Superiore, e sheh si të mundshme për të kaluar për herë të 8-t në gjysmëfinalet e kupës, ndërkohë që entuziazmi është përcjellë të lojtarët, sidomos te blerjet dimërore, Malindi, Roshi e Grizha, teksa të sigurta janë mungesat e mesfushorit Vasjan Ballço dhe mbrojtësi Edi Çajku.
Presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo, e shikon çdo ndeshje si finale dhe fitoret nuk duhet të diskutohen për të mos e diskutuar rënien nga Superliga. Fitorja e fundit në kampionat e “redbullistëve” ishte ajo në fushën e vështirë të Besës së Kavajës, por kreu i klubit kërkon të mbetet në historinë Skënderbeut, si i pari që do të çojë kupën në Korçë.
Skënderbeu, një prej skudrave më të vjetra në Shqipëri, pjesëmarrës madje edhe në kampionatin e parë të vitit 1930, si një nga gjashtë ekipet e atij sezoni, së bashku edhe me Bashkimin Shkodran (Vllaznia e sotme), SK Tirana, Teuta, Urani (Elbasani) dhe SK Vlora (Flamurtari i sotëm), ka fituar vetëm një kampionat, atë të vitit 1933 (kampionati i 3-të), përpara se Vllaznia të fitonte kampionatin e parë në vitin 1945 (kampionati i 8-të) e kupën e parë në edicionin 1964-1965, kur mundi në finale 1-0 Skënderbeun.
RRUGA E VLLAZNISË NË KUPË
Në rrugën drejt çerekfinaleve, në turin e parë, Vllaznia eliminoi Tomorin e Beratit: fitoi 4-0 në Berat dhe 5-1 në Shkodër. Në turin e dytë eliminoi Kamzën: fitoi 3-1 në Kamzë dhe barazoi 2-2 në “Loro Boriçi”. Në ndeshjen e parë të turit të tretë Vllaznia barazoi 0-0 Skënderbeun në Korçë.
VLLAZNIA NE KUPE
Pjesëmarrëse: në 57 edicione
Në çerekfinale: 46 herë
Në gjysmëfinale: 27 herë
Në finale: 12 herë
Fituese: 6 herë
Finale të humbura: 6 herë
RRUGA E SKËNDERBEUT NË KUPË
Në rrugën drejt çerekfinaleve, në turin e parë Skëndeberu eliminoi Skraparin: humbi 5-3 në Çorovodë dhe fitoi 9-5 në Korçë. Në turin e dytë eliminoi Apoloninë: fitoi 1-0 në Korçë dhe humbi 2-1 në Fier, duke u kualifikuar me gol në fushën kundërshtare. Në ndeshjen e parë të turit të tretë Skënderbeu barazoi 0-0 Vllazninë.
SKËNDERBEU NE KUPE
Pjesëmarrëse: në 54 edicione
Në çerekfinale: 23 herë
Në gjysmëfinale: 7 herë
Në finale: 3 herë
Fituese: 0 herë
Finale të humbura: 3 herë
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Hene, 15 Mars 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili