E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia-Tirana, sot për një biletë shprese

 

Leonard Karaj

Vllaznia-Tirana pritet të jetë ndeshja e shpresës pasi një humbje do ti nxirrte nga “vallja e titullit” ndërsa fitorja do ti rifuste në lojë.
Ankth, tension, shpresë. Në Shkodër i ke të gjitha. Deklarata, thumbime, e deri ofendime. Dy skuadra pretendente, por në ditët e tyre jo më të mira. Dy presidentë që kërkojnë maksimumin nga benjaminët e tyre dhe dy tifozeri në kulmin e durimit. Duket sikur 90 minutëshi i Vllaznia-Tirana do të jetë i fundit i këtij sezoni, ndonëse në realitet nuk është veçse i pari. Shkak për këtë përshtjellim janë bërë vetë ata, protagonistët që do të zbresin sot në “Loro Boriçi”. Kur pritej që Vllaznia e Tirana të rivalizonin njëra-tjetërn në krye të renditjes, nuk kemi veçse dy skuadra që luajnë sot thuajse shansin e fundit për të ëndërruar ende objektivin primar: titullin kampion.
Asnjëherë si më parë ekuacioni i kësaj përballje nuk është veçse me një të panjohur: Kush do të fitojë? Kjo pasi, as barazimi duket se nuk i shpëton as njërën dhe as tjetrën, shumë pikë larg nga vendi i parë që mbahet nga Dinamo. Dhe si për të vërtetuar këtë gjë vijnë në ndihmë edhe deklaratat e dy krerëve të klubeve respektivë, Fushaj dhe Halili. Për shkodranin, humbja e sotme do të thotë “lamtumirë objektivit kryesor”. Me shtatë pikë në tetë ndeshje dhe me vendin e parafundit në renditjen e përgjithshme, Vllaznia e milionave nuk ka asesi të pretendojë më për të kapur një Dinamo me marsh të pestë, plot 13 pikë më shumë se kuqeblutë. Por edhe barazimi nuk do të ndryshonte ndonjë gjë për shkodranët. mesatarja e frikshme, 0.9 pikë për ndeshje dhe optimistin më të thekur të kësaj skuadre do ta demoralizonte deri në kockë. Ndaj në Shkodër e kanë kuptuar mirë kontekstin. Të gjendur përballë kësaj situate tifozeria kuqeblu kërkon vetëm fitore, ndryshe as shprehja “shpresa vdes e fundit” nuk do të kishte vend më për Vllazninë e targuar Roland Luçi.
Nuk ndryshon shumë gjendja e Tiranës. Katër pikë diferencë me shkodranët asesi nuk mund të qetësojnë drejtuesit bardheblu, synimi i të cilëve më shumë se një fitore ndaj Vllaznisë është vazhdimësia në kampionat. Atje lart, para tyre janë Dinamo, Teuta e Apolonia, tri skuadra këto që Tirana i pa mirë në javët pararadhëse (2 humbje, 1 barazim), çka do të thotë se një humbje ose barazim sot në Shkodër, me shumë gjasa do të thoshte dorëzim pa kushte i titullit kampion të fituar pikërisht ndaj kësja skuadre në javën e fundit të sezonit 2008-2009. Fati e do që pikërisht ndaj Vllaznisë, Tirana sërish nën drejtimin e Alban Tafajt të mbrojë trofeun dhe jo vetëm. Ndaj sot më shumë se një përballje kampionati luhet një sfidë shprese. Fituesi rifutet në lojën për titull, humbësit i duhet të riformatojë kërkesat e fillim sezonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›