Kërcënonte ndërtuesin: Mbyll aktivitetin ose je i vrarë
BERAT - Kërcënonte prej dy vitesh me jetë biznesmenin e ndërtimit, arrestohet 35-vjeçari. Familja e Kastriot Çalës në fshatin Kutalli të Beratit ka përjetuar gjatë kësaj periudhe terror, pasi dikush i kërcënonte me telefonata dhe letra ku u bëhej thirrje të mbyllnin aktivitetin, por edhe me armë. Pas denoncimit të 40-vjeçarit, baba i dy fëmijëve, policia e Beratit u vu në lëvizje dhe arrestoi 35-vjeçarin Kastriot Kuçi nga fshati Pobrat i Komunës Kutalli. Sipas policisë, të gjitha ngjarjet janë të denoncuara njëra pas tjetrës. Pikërisht, më 22 dhjetor 2007 nisi seriali i kërcënimeve dhe tronditjeve për familjen e biznesmenit Çala. Atëherë kur atij iu dërgua një letër kërcënuese. Pak ditë më pas, më 31 dhjetor 2007, Kuçi akuzohet se ka qëlluar me armë në drejtim të banesës së biznesmenit, por pati vetëm dëme materiale të banesës dhe lokalit që ndodhej ngjitur. Duket se situata u qetësua deri në prill të vitit që pasoi, kur autori doli në skenë me telefonata kërcënuese në familjen e bashkëfshatarit. Ai ka vazhduar duke gjuajtur me armë drejt shtëpisë, duke përfunduar me vendosjen e zjarrit në derën e shtëpisë së Kastriot Çalës e së fundi, në fillim të këtij muaji duke gjuajtur sërish me breshëri armë zjarri. Policisë së Beratit, pasi mori të gjitha rastet e denoncimit, iu desh një punë disamujore për të arritur në zbulimin e personit-mister. Me anë të metodave të gjurmimit e përgjimit u arrit të mësohej se autor ishte jo vetëm bashkëfshatari i Kastriot Çalës, por dhe miku e punëtori i tij në firmën e ndërtimit. Vetëm pas arrestimit dhe marrjes në pyetje, 35-vjeçari ka treguar dhe shkakun e serialit të kërcënimeve. “E kërcënova pasi doja që ai ta mbyllte këtë biznes dhe më pas të kisha mundësi vetë të hapja një firmë ndërtimi”, mësohet se është shprehur Kuçi para grupit të hetimit. d.xh