Thaçi i kënaqur: Fushatat e partive janë të ndershme
Me gjithë akuzat e partive rivale politike kundër njëra-tjetrës, e kryesisht kundër partisë në pushtet (PDK) gjatë fushatës elektorale, kryeministri Hashim Thaçi është i kënaqur.Ai ka falënderuar dje të gjithë spektrin politik të Kosovës për fillimin e mbarë të fushatës elektorale për zgjedhjet e para të lira, që kanë pjesëmarrje të spektrit shumetnik në Kosovë. Thaçi ka theksuar se ky është mesazhi më i mirë që Kosova po i dërgon qytetarëve të vendit dhe botës demokratike. “Në këtë proces do të fitojë shteti i Kosovës, qytetarët, të gjithë. Uroj të gjithë për punën e tyre të mirë, për avancimin e konkurrencës së vlerave dhe para së gjithash për angazhimet e përbashkëta për shtetin tonë. Tani jemi në mes të fushatës, me besim të plotë se i gjithë procesi do të shkojë shumë mirë, do të jetë demokratik, i ndershëm, që do të reflektojë për të mirën e vendit tonë në gjithë procesin e vazhdimit të njohjeve për pavarësinë e Kosovës, për integrimin në strukturat euroatlantike”, tha ai. Deri tani, shqetësimi i vetëm u përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë është pjesëmarrja e serbëve. Kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, tha gjatë një vizite në komunat e reja serbe që pritet të krijohen, se: “Ne po presim formimin e komunave të reja legjitime që do të dalin nga zgjedhjet, të cilat do të funksionojnë në përputhje me ligjet e Kosovës. Kjo do të krijojë një epokë të re në Kosovë. Të mos spekulojmë, të shpresojmë që sa më shumë serbë të dalin në zgjedhje”. Thirrje serbëve për të marrë pjesë në zgjedhjet e 15 nëntorit, iu ka bërë edhe ambasadori gjerman, Hans Dieter Steinbach. Edhe ambasadori amerikan, Kristofer Dell, iu bëri thirrje serbëve që të dalin në zgjedhjet e 15 nëntorit . Dell u tha serbëve lokalë të mos lejojnë të manipulohen nga Beogradi, prandaj kërkoi nga ata të dalin në votime, për shkak se, siç u shpreh ai, dalja në votime është në interesin e vetë qytetarëve serbë.
Bill Klinton, të dielën në Prishtinë
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton, më 1 nëntor viziton Kosovën, për të marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së tij në sheshin “Bill Klinton”, në Prishtinë. Lajmi u dha nga Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë mbledhjes së Qeverisë. Thaçi ka premtuar një pritje madhështore për mikun amerikan. “Klintoni është njeri i madh, i cili ka bërë shumë për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës”, tha ai. Thaçi ftoi qytetarët që të mblidhen të dielën në sheshin “Bill Klinton” dhe falënderoi të gjitha qeveritë e SHBA-ve për përkrahjen e dhënë popullit kosovar. Ish-presidenti Klinton do t’u drejtohet me një mesazh edhe qytetarëve të Kosovës.