E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia, Vioresin Sinani ende nuk bëhet i gjallë

Oferta Sulmuesi nuk i është përgjigjur ftesës së ish-skuadrës

Vioresin Sinani vazhdon të mbajë peng planet e Vllaznisë për sulmin. Sikurse ishte paralajmëruar nga klubi shkodran, sulmuesi veteran pritej të kthente një përgjigje në lidhjen me ofertën për t’u bërë pjesë e kuqebluve në sezonin e ardhshëm. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Gjasat ishin për një përgjigje pozitive, pasi ai deri tani nuk ka marrë asnjë ofertë nga ndonjë ekip tjetër. Megjithatë Sinani nuk është bërë i gjallë. Ai duket se vazhdon i qetë pushimet jashtë Shqipërisë. Gjithsesi trajneri Mojash Radonjiç është i vendosur për kompletimin e repartit të sulmit. Pas miqësores së fundit ai ka deklaruar hapur se “na duhen edhe dy sulmues cilësorë. Jemi duke punuar për t’i pasur në skuadër dhe shpresoj të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur. Mundësisht na duhen deri më datë 25, kur do të nisemi për fazën përgatitore. Atë ditë ekipi do të jetë i kompletuar me lojtarët që do të nisin sezonin. Nëse vijnë më vonë se kjo datë, nuk do të na hyjnë shumë në punë”. Drejtuesit e klubit shkodran kanë parashikuar të enjten një ndeshje miqësore me skuadrën e Mamurrasit, në fushën e këtij të fundit. Ndërkohë që dje është mësuar se ka shumë mundësi që Vllaznia të ndryshojë destinacionin për fazën përgatitore. Ishte parashikuar Serbia, por shtrenjtimi i çmimeve ka detyruar drejtuesit të zgjedhin për më mirë Maqedoninë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›