E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo me mungesa synon kualifikimin

Sot ndaj Sherifit, trajneri Blanko beson te përmbysja e humbjes 1-3 në Moldavi

Nëse Dinamo dëshiron të kualifikohet, sot më shumë se kurrë ka nevojë për një përmbysje historike, e cila do t’i falte turin e tretë të Champions League. Kampionët e Shqipërisë do të zbresin në fushën e “Qemal Stafës” në orën 18.00 për një përballje me moldavët e Sherif Tiraspolit, e vlefshme për ndeshjet e kthimit të turit të dytë të Champions League. Këtë ndeshje blutë do të duhet ta nisin nga pozita të vështira, pasi humbja 3-1 në Moldavi një javë më parë favorizon kundërshtarët. Kështu që Dinamos do t’i nevojitet një fitore 2-0 për të siguruar biletën për në turin tjetër. Një fitore 3-1 e bluve do ta çonte ndeshjen në shtesë dhe në gjuajtjen e penalltive, ndërsa nëse pësojnë qoftë edhe një gol të vetëm dhe synojnë të kualifikohen brenda kohës së rregullt, pa shkuar te 11-metërshat, u nevojitet një fitore me tri gola diferencë. Situata nuk është shumë e favorshme, edhe pse niveli i kundërshtarit, për sa u pa në ndeshjen e parë, nuk ishte shumë i ndryshëm nga ai i kampionëve të Shqipërisë. Mungesat janë në një kalvar të vërtetë në rrugën e Dinamos drejt raundit të tretë kualifikues në Champions. Mungesës së Elis Bakajt, për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e parë, tani i shtohen edhe tri mungesa të tjera, që të gjitha shumë të rëndësishme. Igli Allmuça është i dëmtuar, Papa Diop është zhdukur, ndërkohë që Gjergji Muzaka sapo ka pësuar një fatkeqësi familjare, çka me shumë gjasa e lë atë jashtë ndeshjes së kthimit me Sherifin. Pa u mësuar ende lajmi i keq për Muzakën, trajneri Luis Manuel Blanko kishte planifikuar aktivizimin e Alfredo Rafael Sozës në vend të Diopit dhe të Fatjon Sefës në vend të Bakajt. Putinçanin do ruante vendin në krahun e djathtë të mbrojtjes, me partnerë reparti Pishën, Malakarnen e Xhafën, si në Moldavi, ndërsa në mesfushë Soza do të radhitej prapa dy sulmuesve, Sefa e Martinena, duke pasur prapa krahëve të tij Garsian dhe në krahë Muzakën e Vilën. Tani Blankos do t’i duhet të bëjë modifikime të tjera dhe mundësia më e madhe është që ai të luajë sot me formacionin 4-3-3, duke rreshtuar Sefën në krahun e djathtë të sulmit, në krah Sefës e Martinenës. Përkrah Garsias e Vilës në mesfushë do të jetë Putinçanin, i cili i hap vend në mbrojtje aktivizimit të Malotës. Lezhjani pritet të luajë në qendër, përkrah Pishës, ndërsa Malakarne spostohet në krahun e majtë, ku në Moldavi luajti Xhafa. Ky i fundit do të zërë vendin e serbit në krahun e djathtë të mbrojtjes, i cili është edhe vendi i tij i preferuar. Në këtë mënyrë, përveç rezultatit, Dinamos do t’i duhet të luftojë edhe me ndryshimet e shumta brenda vetes. Koha është shumë e shkurtër për të perfeksionuar skemat, megjithatë bëhet fjalë për lojtarë me përvojë, çka është një mundësi për më tepër frymëmarrje për Blankon. Gjithsesi Blanko u shpreh optimist për përmbysjen, pasi beson se lojtarët e tij e kanë kualitetin e duhur për ta arritur këtë objektiv. Klubi ka premtuar një premio në rast kualifikimi: 110 mijë euro nëse eliminojnë sot Sherif Tiraspolin. Ndërkohë, dje ka mbërritur në Tiranë Sherif Tiraspoli, i cili është akomoduar në hotel “Sheraton”. Pasdite janë stërvitur në “Qemal Stafa”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›