E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia bën detyrën, ngre kupën e kampionit!

Pas një pjese të parë jo të mirë për kuqeblutë, gjithçka ndryshon në të dytën, ku shënojnë dy gola

Vllaznia – Laçi 2-0

Vllaznia: Tola, Beqiri, Pelinku (Bushaj 65′), Lekaj, Tafa, Dema, Hasani, Markolaj (Harusha 68′), Shaba, Erkoçeviç, Puka (Guri 46′). Trajner: S.Nikaj
Laçi: Lika, Gjoka, Jahja, Bushi, Xhixha, Laska, Bardhi, Gjonaj, Lamaj, Hoti, Lika. Trajner: E.Syziu
Shënues: Tafa 60′, Erkoçeviç 67′ (11 m)
Gjyqtarë: E.Hoxha, R.Çokaj, G.Koka (Lezhë)

Për të dalë kampione matematikisht, Vllaznisë i duhej të paktën edhe një barazim në ndeshjen e djeshme ndaj Laçit. Fakti fitorja ishte konsideruar punë e kryer (për rrjedhojë edhe festa për titullin kampion), ndikoi jo pak tek futbollistët shkodranë. Ata gjatë pjesës së parë janë treguar të pasaktë para portës kundërshtare, duke humbur shumë raste të pastra shënimi.

Kjo gjë solli jo pak nervozisëm tek të gjithë dhe jo më kot trajner Nikaj zëvendësoi sulmuesin Puka me Gurin në fundin e pjesës së parë. Natyrshëm që pritej fitorja e Vllaznisë, por në fillimin e pjesës së dytë, Laska ka tronditur shtyllën e portës vendase, duke shkaktuar drithërima te të gjithë pjesëtarët e Vllaznisë.

Por pa kaluar shumë minuta në skenë del Amir Tafa. 18-vjeçari, që vetëm tri ditë më parë u kishte shënuar edhe 19-vjeçarëve italianë, do të shënonte një gol të rëndësishëm me kokë, duke i qetësuar të gjithë në “Loro Boriçi”.

Më pas do të vinte edhe goli i dytë dhe i qetësisë. Erkoçeviç fiton një 11 metërsh, që e ekzekuton vetë nga pika e bardhë, duke e çuar në dy numrin e golave për skuadrën e tij. Pas këtij goli, nuk ka më histori kjo ndeshje. Vllaznia për të dytin vit radhazi është kampione e Shqipërisë me 19-vjeçarët.

Shumica e ekipit aktual, ka qenë pjesë edhe e atij të vjetshmit, madje ata janë pjesë e një brezi që kanë fituar edhe dy tituj me 17-vjeçarët. Njëri prej tyre është edhe kapiteni Abaz Karakaçi, një lojtar shumë i rëndësishëm i kësaj skuadre. Ai pati fatin dje të ngrinte i pari kupën e këtij edicioni, duke i lënë vendin më pas fishekzjarreve dhe shampanjës.

Dje Shkodra ka pasur të drejtë të festojë. Tre tituj kampionë brenda një dite, një sukses i jashtëzakonshëm për akademinë “Vllaznia”, e cila nuk e kishte arritur asnjëherë më parë një sukses të tillë në historinë e saj.

Samuel Nikaj: Titulli, për më të mirin!

Trajneri i Vllaznisë U-19, Samuel Nikaj, ka dhënë kontributin e vet të rëndësishëm në arritjen e këtij suksesi. Gjithsesi, për të ka më shumë rëndësi fakti që Vllaznia U-19 po nxjerr lojtarë për ekipin e parë: “Vitin e kaluar kam qenë kampion si zëvendëstrajner, ndërkohë që sivjet si trajner i parë po përjetoj më shumë emocione.

Ashtu siç kam përjetuar jo pak anë të tjera gjatë gjithë kampionatit, sepse ka qenë shumë i vështirë. Megjithatë, tashmë është momenti të gëzojmë. Shpallemi kampionë dhe nuk mendoj se ka ndonjë kundërshtar që të thotë se nuk e meritojmë këtë gjë.

Kemi humbur vetëm 2 ndeshje dhe kemi treguar qëndrueshmëri dhe stabilitet në të gjitha aspektet. Është një brez lojtarësh që premtojnë edhe për Vllazninë e madhe dhe kjo më shumë rëndësi se të gjitha të tjerat.”

Shaba: Po marrim frytet e një pune 4-vjeçare

Drejtor organizativ i akademisë së Vllaznisë, Kujtim Shaba, ka përshendetur të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në këtë sukses të futbollit të moshave në Shkodër. Për Shabën ky sukses nuk do të vinte nëse akademia nuk do të organizohej para 4 vitesh: “Riorganizimi i akademisë së Vllaznisë para 4 vitesh po konkretizohet sezon pas sezoni me trofe të shumtë.

Jo më kot sot (dje) po festojmë tre tituj kampionë njëherazi. Sa i takon suksesit të ekipit të të rinjve, mendoj se ky element që sot gëzon, ka katër vjet që po e bën një gjë të tillë. Duke u nisur nga sezoni kur nën drejtimin tim morëm të parin trofe me 17-vjeçarët.

Në këto suksese natyrisht që kanë një meritë të madhe të gjithë, sportistë e trajnerë, drejtues të klubit dhe media, që na ka qëndruar pranë. Kanë një meritë të madhe të gjithë trajnerët e ekipeve private që ekzistojnë në Shkodër, që nxjerrin elementë të mirë për Vllazninë. Festa të tilla janë të bukura dhe shpresojmë që shpejt të gëzojmë edhe për Vllazninë e madhe kështu.”

Lushnja e mbyll me fitore sezonin

Lushnja – Shkëndija D. 3-1

Lushnja: Harremi, Shurdhi, Biçaku, Sulo, Dërka, Mahmutaj, Leka, Kurteshi, Çepa, Bakiasi, Ikonomi (u aktivizuan: Leka, Shima, Naçi). Trajner: A.Durri
Shkëndija D.: Dallkaj, Hoxha, D.Çullhaj, Blliku, Kola, Teku, Hodo, E.Çullhaj, Koleci, Lapi, Rezi (u aktivizuan: Demaliaj, Mazreku, Dylja). Trajner. H.Muho.
Gjyqtarë: E.Ruci, E.Hidërshanaj, D.Vogli (Fier)

Të rinjtë e klubit lushnjar e kanë mbyllur me fitore këtë sezon, teksa kanë mundur në stadiumin “Roza Haxhiu” Shkëndijën e Durrësit. Që në fillim u duk qartazi supremacia e lushnjarëve, të cilët janë edhe më lart në klasifikim falë individualiteteve.

Në minutën e 24-t, pas një baraspeshe të fillimit të takimit, Bakiasi hap serinë e golave për verdhejeshilët, kur shënon në portën e Dallkajt. Në minutat në vazhdim ka raste të tjera, por fraksioni i parë mbyllet me këtë rezultat. Që në fillim të pjesës së dytë Shima dyfishon shifrat, ndërkohë që golin e tretë e shënon Sulo, i cili bën një inkursion personal dhe e dërgon topin në rrjetë. Është minuta e 75-të kur trefishohet rezultati nga lushnjarët.

Miqtë hidhen në sulm për të shënuar golin e nderit. Djemtë e Muhos e arrijnë në minutën e 87-të me anë të Rezit (golashënuesi i shquar i U-17-ës, tashmë i afruar te 19-vjeçarët), por ky gol nuk mund ta ndryshojë fitoren e lushnjarëve.

Vlora, 11 gola për të siguruar vendin e dytë

Bylis – Vlora 1-11

Bylis: Bako, Feimi, Lala (Tafa 37′), Asllanaj, Krasniqi (Braka 46′), Gjermeni, Rama, Idershai, Kuka, Hajdari, Ferko. Trajner: R.Haxhiaj.
Vlora: Hasani, Gjika, Hodaj, Xholi, I.Hoxha (Luko 46′), Koçani, Dalipaj, Bocaj, Cerova, Hysa, Dulaj (Ibraj 69′). Trajner: G.Mezani.
Shënues: Ferko 8′ / Hysaj 14′, 39′, Dalipi 22′, 34′, Dulaj 18′, Cerova 51′, 64′, 73′, Koçani 59′, 78′, Bacaj 86′.
Gjyqtarë: S.Greca, E.Malo, R.Zeneli (Lushnjë)

Krejt ndryshe ndeshja e të rinjve midis Bylisit dhe Vlorës. Vlonjatët kanë fituar me shifra të thella, 11 1. Megjithëse kanë kaluar të parët në avantazh, vendësit nuk kanë arritur të rivalizojnë ndaj skuadrës së Vlorës.

Miqtë pas pësimit të golit kanë reaguar fuqishëm, kanë krijuar epërsi të plotë ndaj skuadrës vendase në të gjitha drejtimet, e kanë shpëngulur lojën tërësisht në gjysmëfushën e tyre dhe kanë sulmuar pa pushim. Kjo ka bërë që, jo vetëm të barazonin, por pjesën e parë ta mbyllin me fitoren e tyre të thellë 5-1.

Edhe në pjesën e dytë vlonjatët e kanë dominuar takimin në të gjitha drejtimet. Dhe duke vazhduar lojën e tyre sulmuese përballë një mbrojtjeje të shpërfytyruar të vendasve kanë arritur të shënojnë 6 gola të tjerë. Kështu Bylisi ka pësuar një humbje ndofta të papritur në shtëpinë e tij përballë një Vlore që e meritoi plotësisht fitoren e thellë.

Flamurtari e mbyll me humbje sezonin

Flamurtari – Elbasani 1-3

Flamurtari: Dërgjini, Koçani, Lamaj, Deraj, Xhelili, Tahiri (Abdullaj 48′), Nelaj, Azizi (Dervishaj 70′), Qejvani, Xhani. Trajner: A.Behari
Elbasani: Gura, Cani, Gjini, Ozuni, Xhaharaja, Praska (Lulgjuraj 46′), Hila, Lena, Kapaj, Boriçi, Biçika (File 46′). Trajner: A.Hila.
Shënues: Xhani 65′ / Boriçi 48′, Hila 50′, Lulgjuraj (1me3)
Gjyqtarë: K.Cjapi, O.Grabova, H.Troka

Të rinjtë vlonjatë nuk kanë arritur ta mbyllin kampionatin me kokën lart. Në ndeshjen e fundit të sezonit ata janë mundur në fushën e tyre mga ekipi i Elbasanit me rezultatin 1-3. Vlonjtat janë shfaqur më agresivë në fillim të ndeshjes, por kjo nuk i ka trembur lojtarët e Elbasanit.

Pjesa e parë është e balancuar, të dyja skuadrat kanë raste për shënim, por gjuajtjet drejt portës janë të pasakta. Pjesa e dytë nis mirë për elbasanasit, të cilët në minutat e para të kësaj pjesë realizojnë dy gola të shpejtë. Vlonjatët hutohen nga kjo goditje e rrufeshme e kundërshtarit.

Në këto momente paqartësie të mbrojtjes vlonjate Elbasani i shfrytëzon për të realizuar golin e tretë, duke sigurur kështu fitoren. Për Flamurtarin ngushton Xhani, por që nuk mjafton për të shmangur humbjen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›