Vllaznia, hap fals në Peqin
Vllaznia frenohet në Peqin dhe nuk arrin të përfitojë nga hapat fals të kryesuesve. Shkodranët janë mposhtur me rezultatin 3-2 dhe nga vendi i tretë tashmë pozicionohen të pestët. Dygolëshi i Sinanit nuk i ka shërbyer skuadrës së Josës, që dorëzohet përpara rrjetave të Klevis Dalipit (2) dhe Arlind Norës. Për Shkumbinin kjo fitore është shumë e rëndësishme, pasi ata ngjiten në vendin e 7-të, 10 pikë larg zonës së "play-out". Shkodranët kanë qenë pa dyshen Lika-Sukaj, të dëmtuar dhe kjo i ka kushtuar jo pak skuadrës, që gjatë gjithë pjesës së parë ka vuajtur presingun e vendasve. Peqinasit kalojnë në avantazh në të 45-ën me Klevis Dalipin, i cili pasi shmang portierin Grima nuk e ka të vështirë të përshëndesë rrjetën. Vetëm 5 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Shkumbini dyfishon shifrat sërish me sulmuesin elbasanas, por reagimi i Vllaznisë ishte i shpejtë: në të 52-ën Sinani realizon dhe rihap shpresat. Në dhjetë minutat e fundit ka pasur kohë edhe për dy gola, ku fillimisht është Nora që shënon për vendasit, ndërsa në të 89-ën Sinani vulos rezultatin final 3-2.