E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana "poker", shumë vuajtje për të mposhtur Skënderbeun

Tirana gjunjëzon 4-0 Skënderbeun. Një fitore që ka ardhur pas 50 minutave vuajtje, që është hapur me golin e Erbim Fagut dhe është mbyllur me dygolëshin e mesfushorit të kombëtares, Klodian Duro. Me këtë rezultat, bardheblutë ngjiten në vendin e tretë në klasifikimin e Kategorisë Superiore. Një pozicion në të cilin, si rrallë herë në historinë e klubit, Tirana e këtij sezoni është gjendur vetëm në tri raste: fillimisht në javën e 16-të të kampionatit, pas një starti shumë të mbrapshtë të edicionit dhe më pas në javët 19 dhe 20. Ashtu si ka ndodhur edhe përballë kundërshtarëve të tjerë, korçarët kanë bërë rezistencë, duke tentuar të marrin një rezultat pozitiv, që më shumë sesa për renditjen do të ndikonte te morali i skuadrës. Vendasit e fillojnë takimin menjëherë në kërkim të golit të avantazhit. Sinjalin e parë të rrezikshëm e jep mesfushori i talentuar, Jahmir Hyka, por topi i harkuar prej tij përfundon në shtyllë. Bardheblutë rrisin ritmin e lojës, duke provuar pafundësisht me të gjitha mënyrat, megjithatë pa arritur të shënjestrojnë si duhet portën e mbrojtur nga Llapanji. Pjesa e parë e ndeshjes mbyllet me devijimin me kokë të Hykës, që nuk arrin të shënojë vetëm për pak centimetra. Tirana hyn më e karikuar në fraksionin e dytë të lojës dhe goli i avantazhit nuk ka vonuar. Për të përshëndetur rrjetën dhe zhbllokuar rezultatin mendon mbrojtësi Erbim Fagu, pas 52 minutave lojë. 9 minuta më pas është Kçira që dyfishon shifrat: ai del në ndihmë të sulmit dhe me një devijim të saktë me kokë shënon. Pavarësisht avantazhit, që ka siguruar 3 pikët e radhës dhe lajmeve të mira që vinin nga fushat kundërshtare, skuadra e drejtuar nga Sulejman Mema nuk e ka ulur ritmin. Për kampionët në fuqi provojnë edhe Bakalli e Sina, por tentativat e tyre kanë gjetur të përgatitur portierin Llapanji. Për të mposhtur "gardianin" kundërshtar mendon Klodian Duro me goditjet e tij potente nga distanca. Në të 79-ën, "predha" e kuqeziut ka lënë si të ngrirë Llapanjin, që është detyruar të nxjerrë topin nga rrjeta. Duro ka tentuar sërish nga distanca në të 81-ën, tjetër gjuajtje e suksesshme që kurorëzohet me gol.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›