Vllaznia i mbyll hesapet me Besën në 29 min
Shkodranët kanë arritur një fitore me shumë vlera, çka i lejon të thellojnë avantazhin në pritje të ndeshjes Tirana-Teuta
Vllaznia i ka mbyllur shumë shpejt llogaritë me Besën, duke arkivuar fitoren pa shumë vuajtje. Shkodranët bënë gjithçka shumë mirë që në pjesën e parë, duke shënuar dy gola. Që në minutën e 2-të Shtubina zhbllokon rezultatin, duke mposhtur Kotorrin, ndërkohë që minutën e 31-të është radha e Sukajt, që shfaqet i papërmbajtshëm dhe realizon një tjetër gol për kuqeblutë. Është pikërisht kjo dyshe që po tërheq ekipin e Josës në këto javë në kampionat dhe kupë. Në pjesën e dytë nuk ka ndodhur asgjë dhe rezultati nuk ka ndryshuar deri në fund. Pas kësaj fitoreje Vllaznia ngjitet në kuotën e 42 pikëve, kurse Besa ka ngecur në vendin e 10-të me 22 pikë. Trajneri Mirel Josa është shprehur jo shumë i kënaqur pas përfundimit të sfidës. “Jam pjesërisht i kënaqur me skuadrën. Ne bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, ishim tepër agresivë dhe nuk i lamë hapësira kundërshtarit dhe nga këto specifika i ndëshkuam. Ndërsa në pjesën e dytë pashë një ekip të përgjumur që e humbi freskinë dhe rrjedhimisht i la hapësira kundërshtarit. Fatmirësisht nuk pësuam gol, por dhe rastet që krijuam në këtë pjesë nuk i shfrytëzuam", përfundoi Josa. Ndërkohë, nga ana tjetër trajneri Gert Haxhiu pranon gabimet e mbrojtjes së tij. "Pashë një lojë përgjithësisht të mirë, të zhvilluar nga skuadra. Në pjesën e parë pësuam dy gola të ardhur nga dy gabimet tona. I pari një gabim i madh nga mbrojtësi ynë që në minutën e 2-të dhe i dyti po prapë nga gabim i mbrojtjes, ku kundërshtaret i shfrytëzoi më së miri dhe na ndëshkoi. Ndryshe prej kësaj, në pjesën e dytë pashë një ekip të rizgjuar dhe që më pëlqeu. por nuk arritëm të shënonim. Kështu mund të them se ishte një ndeshje episodike. Do të luftojmë deri në fund dhe nuk e mendoj asnjëherë rënien dhe shpresoj se nuk ka peë të ndodhur një gjë e tillë."
Laçi nuk e fal Kastriotin
Laçi vazhdoi ecurinë e mirë në kampionat duke fituar 3-1 me fqinjin e tij, Kastriotin e Krujës. Nexhbedin Selimi (18’) dhe kroati Mate Dragiçeviç (41’) mbyllën pjesën e parë me avantazhin 2-0 për laçjanët e Stavri Nicës. Goli i gjashtë sezonal për shqiptaro-zviceranin Selimi. Vilfor Hysa shënoi golin e tretë në minutën e 76-të, duke i mbyllur llogaritë e takimit. Goli i tij i pestë sezonal me fanellën e Laçit. Golin e nderit për Kastriotin e Krujës e shënoi kroati Davor Piskor me penallti në minutë e 93-të. Laçi vazhdon të mbajë vendin e pestë, 34 pikë, një më shumë se Dinamo e vendit të gjashtë, 33 pikë. Për Kastriotin - vendi i 8-të me 26 pikë - kjo ishte humbja e 9-të sezonale. Tri perballjet sezonale: Kastrioti-Laci 3-1, Laci-Kastrioti 2-0 dhe Laci-Kastrioti 3-1.