E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjohet Dinamo, katër të shtëna për Shkumbinin

SHKRUAN: Jeton Selimi 07-03-2011 11:20

Blutë kanë bërë ndeshjen e tyre më të mirë që nga muaji janar duke fituar 4-1 me peqinasit, të cilët në Kupë i vunë vërtet në vështirësi kampionët në fuqi

Dinamo ka gjetur ritmin e vërtetë, atë ritëm që i mungonte prej pesë ndeshjes, që prej fitores 1-3 në Elbasan, më 26 janar. Blutë e udhëhequr nga Artan Mërgjyshi kanë arritur të shpartallojnë Shkumbinin e Përparim Daiut, 4-1, duke treguar një formë shumë më të mirë sesa ndeshja e mesjavës për Kupën e Shqipërisë kundër të njëjtiv rival. Në “Qemal Stafa”, Dinamo është udhëhequr nga një Vila në formë të shkëlqyer. Mesfushori durrsak realizoi golin e parë që në minutën e 4-t, pas një aksion të bukur, teksa gjuajtja e tij pësoi edhe një devijim prej mbrojtësve peqinase. Duket se është dita e mirë për blutë kryeqytetas dhe këtë e kupton Igli Allmuça që e fut ndeshjen në kasafortë që në pjesën e parë. Allmuça, një nga më të mirët në fushë së bashku me Vilën, ka gatuar edhe golin e Opokut në minutën e 38-të. Me këtë rezultat mbyllen dhe 45 minutat e para të ndeshjes. Por blutë e nisin të dytën sikundër të parën dhe arrijnë të shënojnë që në minutën e 47-të, duke gjetur edhe golin e 3-0. Autor është Igli Allmuça. Peqinasit janë të pafuqishëm përballë kësaj Dinamoje. Furia e kryeqytetasve plotësohet 10 minuta më pas. Është edhe njëherë Emiljano Vila ai që do të shënojë duke vulosur pokerin blu ndaj peqinasve dhe dike shënuar golin e dytë personal dhe duke u ngjitur në kuotën e 11 golave, aq sa edhe Elis Bakajn, por ky i fundit luan tani në Rumani me Dinamon e Bukureshtit. Duket sikur Dinamo nuk ka ndërmend të rreshtë së shënuari, port ë besuarit e Mërgjyshit e lënë me kaq vrullin ofensiv duke kontrolluar rezultatin e sfidës. Vetëm në minutën e dytë shtesë të krejt takimit, Shkumbini gjen golin e vetëm me Belçev. Dinamo ruan vendin e gjashtë me 33 pikë, e ndjekur nga Shkumbini i vendit të shtatë me 29 pikë.

Mërgjyshi: Dinamo po rikthehet

"Ishte një takim mëse normal dhe i vlerësuar shumë. Kjo sepse e pamë Shkumbinin si një rival tepër të fortë në ndeshjen e Kupës. Arritëm të zhbllokonim shpejt rezultatin dhe kjo na dha shtysë për të shënuar edhe dy herë brenda një pjese. Po rikthehemi te gjendja jonë normale, pra atje ku kemi qënë. Mendoj se bëmë më të mirën dhe shpresoj të vazhdojmë kështu." - ka deklaruar Artan Mërgjyshi, trajneri i Dinamos.

Daiu: Ndeshje zhgënjyese për ne

‘Një takim zhgënjyes sepse pas humbjes në kupë, moskualifikimi ndikoi shumë në gjendjen psikologjike të skuadrës. Gjithashtu, patëm edhe një mungesë të rëndësishme, sulmuesin Altin Grbovic, i cili e mban skuadrën tonë në sulm. Theksoj edhe njehere se skualifikimi nga kupa ndikoi shumë në skuadrën tonë, shpresoj të mos vazhdojë më tej. Dinamo e meritoi fitoren,” – përfundoi trajneri i Shkumbinit, Përparim Daiu.

Superliga

Të shtunën

Flamurtari – Elbasani 8-0

Shënues: Progni 7’, Xhafaj 19’, Grami 23’, 81’, Roshi 35’, Plaku 66’, 89’ (11m), Shehaj 90’

Të dielën

Vllaznia – Besa 2-0

Shënues: Shtubina 2’, Sukaj 31’

Laçi – Kastrioti 3-1

Shënues: Selimi 18’, Dragiçeviç 41’, Hysa 76’/ Piskor 93’ (11m)

Dinamo – Shkumbini 4-1

Shënues: Vila 4’, 57’, Opoku 38’, Allmuça 47’/Belçev 81’

Të hënën

Tirana – Teuta 14:00

Skënderbeu – Bylis 18:00

Renditja

Skuadra N P

1. FLAMURTARI 23 52

2. SKENDERBEU 22 45

3. VLLAZNIA 23 42

4. TIRANA 22 34

5. LAÇI 23 34

6. DINAMO 23 33

7. SHKUMBINI 23 29

8. KASTRIOTI 23 26

9. TEUTA 22 24

10. BESA 23 22

11. BYLIS 22 21

12. ELBASANI 23 12

Pogradeci vijon marshimin drejt superligës

Pogradeci fitoi lehtësisht 4-0 me Luftëtarin në “Gjorgji Kyçyku” në ndeshjen e vlefshme për javën e 21-të, duke thelluar në tetë pikë diferencën me dy ndjekësit e tij më të afërt, Kamzën dhe Tomorin (nga 44 pikë). Kamza barazoi 2-2 në Fier me Apoloninë: Gërxho (p) dhe Da Silva për fierakët; Malo dhe Lame për kamzalinjtë. Tomori fitoi 2-0 me Burrelin me golat e Klodian Arbrit dhe Ilirjan Caushajt. Në Bilisht Sport-Lushnja (3-2), ku golin e fitores për bilishtatët e shënoi japonezi Nakamura. Në ndeshjet e tjera: Gramozi-Gramshi 0-1 (gol i Ziambos); Besëlidhja-Ada 2-0. Në Pukë, ndeshja Tërbuni-Mamurrasi u ndërpre në minutën e 17-të për shkak të gjendjes shumë të keqe të terrenit të fushës së mbuluar nga bora. Të hënën do të luhet Vlora-Partizani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›