Vllaznia, krizë identiteti

Vllaznia në basketboll për meshkuj përfaqësohet në kampionat me lojtarë të moshës 15-16 vjeç. Aktualisht basketbolli shkodran po kalon ditë të vështira, ndërsa trajneri i kësaj skuadre, Damian Bekteshi, i ka bërë apel instancave përkatëse për të ndërhyrë në mbështetje të ekipit. Sepse Vllaznia, përtej emrit të madh që ka në basketbollin shqiptar, rrezikon të bjerë nga Superliga në fund të sezonit 2022-2023. Dhe kjo u pa qartë edhe në ndeshjen e parë të kampionatit, të cilën Vllaznia e humbi ndaj Apolonisë, 71-81, pikërisht në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”.
“Këto janë mundësitë tona, shumica e lojtarëve janë 16-vjeçarë, por ne do punojmë, do mundohemi të bëjmë më të mirën tonë, të nxjerrim ndeshje pozitive”.
Sipas Bekteshi, nëse nuk do të ketë ndonjë ndërhyrje në merkato, Vllaznia do të vazhdojë të luajë me këto lojtarë me të cilët do ta ketë të vështirë mbijetesën.
“Me këtë skuadër ne do u bëjmë ballë të gjitha ekipeve, në vazhdim nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Do i marrim ndeshjet një e nga një me shpresën dhe dëshirën e madhe se do na afrohet dikush”.
Bekteshi habit edhe kur thotë se për ndeshjen e radhës në kampionat do të duhet ta mësojë nga kalendarin, të cilin Federata Shqiptare e Basketbollit ende nuk e ka dhënë të plotë.