E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia kualifikohet në turin e dytë të kupës së Shqipërisë

SHKODËR- Me dy fitore radhazi në kufijtë e një jave ndaj Ilirisë së Fushës Krujës, një në transfertë me rezultatin 0 me 2 në takimin e parë dhe 2 me 1 në takimin e kthimit, të luajtur pasditen e së mërkurës në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, Vllaznia është kualifikuar për në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë.
E veçanta e takimit të kthimit ishte fakti se drejtuesit e Vllaznisë kanë hapur portat e stadiumit duke lejuar hyrjen e tifozëve pa bileta, një veprim që është mirëpritur nga ana e shoqatës së tifozëve të Vllaznisë. Ndërkohë, e veçanta tjetër ishte ajo që tekniku i skuadrës, Shpëtim Duro, aktivizoi në masë elementin e ri, si edhe ato që në ndeshjet e mëparshme kanë luajtur si zëvendësues.

Kuqeblutë kanë arritur të kalojnë në avantazh që në minutën e 17-të me anë të te riut Paulo Markolaj, ndërkohë që në minutën e 40-të është Shtubina, ai që e dyfishon avantazhin në 2 me 0. Gjatë 45 minutave të pjeses së dytë skuadra mike nga Fushë Kruja lëviz më shumë në fushën e lojës, duke u përpjekur të shkurtojë diferencen e golave, dhe këtë në një farë mënyre e arrin edhe me ndihmen e qëndërmbrojtësit shtatlartë shkodran, Klodian Semina, i cili shënon autogol në portën e tij në minutën e 72-të.

Me këtë rezultat, Vllaznia pret “bileten” e kualifikimit për në turin e dytë të kupës së Shqipërisë, ndërkohë që pret e qetë ballafaqimin e së dieles, po në “Loro Boriçi”, këtë radhë për kampionat duke pasur përballë Laçin.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›