Vllaznia, mendjen e ka te Thuni
Shkodranët e ndjejnë veten të kualifikuar, ndonëse janë edhe 90 minuta për t’u luajtur. Tani rivali i tyre është Thuni, skuadra zvicerane që i pret kuqeblutë në turin e dytë
Vllaznia do të luajë sot në orë 19:00 ndeshjen e kthimit kundër Birkirkarasë, takim ky i vlefshëm për turin e parë të Europa League. Skuadra shkodrane është e motivuar që ta mbyllë edhe sfidën e dytë me fitore për të kënaqur publikun e saj. Në Shkodër janë duke u përgatitur për një interesim maksimal të tifozerisë shkodrane për ndeshjen kundër Birkirkarasë. Siç mësohet drejtuesit e skuadrës janë duke u përgatitur për një fluks në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. Në fakt duke u bazuar dhe nga interesimi i tifozerisë për ndeshjen e parë për të ndjekur live sfidën e zhvilluar në Maltë, pritet që ky takim të ndiqet nga shumë sportdashës jo vetëm në shkallët e stadiumit por dhe nga transmetimi live i ndeshjes. Po ashtu dhe premtimi që Vllaznia ka bërë për të zhvilluar një lojë më të mirë dhe cilësore se në ndeshjen e parë pritet të jetë një ndër faktorët kryesore që do të afrojë tifozët. Aq më tepër që kuqeblutë kanë nevojë për mbështetje maksimale, që gjë asnjëherë nuk i ka munguar nga tifozët e Vllaznisë. “Është një ndeshje e rëndësishme dhe nuk duhet ta marrim lehtë, ndonëse kualifikimi është fare afër,” mësohet t’u ketë thënë dje në seancën e fundit stërvitore trajneri Mirel Josa lojtarëve të tij. “Kemi fituar ndeshjen e parë dhe kjo mund të na bëjë që ta mbledhim mendjen për ndeshjen e dytë dhe nëse e bëjmë këtë mund të rrezikojmë. Asgjë nuk ka përfunduar dhe kujdesi asnjëherë nuk është i tepërt.”
Vetëm 17 lojtarë me vete,
Birkirkara vjen e demoralizuar
Kundërshtarja e Vllaznisë në sfidën e sotme në “Loro Boriçi”, Birkirkara, nuk beson aspak te kualifikimi dhe këtë e ka treguar më së miri shpura e lojtarëve që shoqëronte trajnerin Patrik Curmi. Ky i fundit ka grumbulluar vetëm 17 vetë duke u dorëzuar kështu ende pa filluar ndeshja e sotme. Birkirkara nuk ka fituar në tokën shqiptare, ndonëse nuk ka luajtur më shumë sesa një sfidë, atë të sezonit 2004-05 kundër Partizanit, ku u mposht me shifrat 4-2.
Shkodranët nuk dështojnë
ndaj skuadrave malteze
Në të vërtetë përballjet mes skuadrave shqiptare dhe atyre malteze nuk janë të shumta, por Vllaznia bën një përjashtim pasi është përballur edhe më parë me një ekip ishullor. Bëhet fjalë për sezonin 1987-88, kur shkodranët u përballën me skuadrën më të titulluar të Maltës, Sliema Onderers, në kuadër të Kupës së Kupave. Vllaznia dominoi në të dyja ndeshjet duke fituar me rezultatin e përgjithshëm 6-2, 2-0 në Shkodër dhe 4-2 në Maltë
Vllaznia, hera e gjashtë që
kalon turin e parë në Europë
Në të vërtetë duhen edhe 90 minuta që kjo gjë të marrë formë zyrtare, por nëse ia del mbanë të eliminonte Birkirkaranë, shkodranët do të ta kalonin turin e parë për herë të gjashtë në historinë e tyre. Më parë ka arritur të kalojë turin e parë të Kupës së Kupave në sezonin 1987-88. Në sezonin 2001-02 turin e parë të Champions, në sezonet 2004-05 dhe 2007-08 turin e parë të Intertotos dhe në sezonet 2008-09 dhe 2009-10 turin e parë të Europa League.