E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia shpartallohet 4-0 në Durrës

Vllaznia shkatërrohet 4-0 në Durrës dhe me mbylljen e fazës së dytë të kampionatit humbin kryesimin dhe trajnerin. Në fakt, menjëherë pas këtij rezultati, që konfirmoi momentin e krizës te kuqeblutë, trajneri Agim Canaj largohet nga drejtimi i skuadrës. Dy humbje në pesë ndeshjet e para të vitit 2009 dhe komprometimi i shanseve për titull ka bërë që tekniku të përfundojë aventurën në Shkodër. Canaj bëhet trajneri i 14-të që largohet pas 22 javëve të Kategorisë Superiore. "Divorci" konfirmon situatën delikate jo vetëm te Vllaznia, por te të gjitha skuadrat elitare, kur mendon se ai është trajneri i pestë që largohet pas pauzës së janarit (më parë kishin lënë postet Liçaj te Flamurtari, Josa te Elbasani, Daliç te Dinamo dhe Daja te Besa). Heronjtë e ditës te Teuta ishin Vila, Mile, Hysa e Ahmeti, që me golat e tyre i dhanë tri pikë shumë të rëndësishme skuadrës së Starovës, në luftën për mbijetesë.

Kryesimi

Edhe pse nuk ka arritur të fitojë në fushën e Lushnjës, Tirana falënderon Teutën dhe merr kryesimin e Superiores. Edhe pse në letër ishin favoritë, bardheblutë e Agustin Kolës nuk janë shfaqur në formën e tyre më të mirë, duke regjistruar barazimin e tretë radhazi pa gola (pas dy ndeshjeve në kampionat dhe Kupë me Elbasanin). 23 herë kampionët ngjiten në kuotën e 41 pikëve, aq sa Vllaznia, por renditen të parët prej golavarazhit më të mirë. gjithsesi, drejtuesit e skuadrës janë ankuar për vendin e parë në klasifikim, pasi pretendojnë se rregullorja nuk e përcakton qartë nëse prej këtij rezultati ata "favorizohen" për fazën e tretë.

Tmerri

Ajo që ka ndodhur në Kavajë mund të cilësohet një ngjarje e llahtarshme për të pranishmit në takimin Besa-Apolonia, e fituar me rezultatin 2-1 nga skuadra e Biturkut. Gjatë një dyluftimi me Fortunat, Spaho i Apolonisë ka rënë në tokë pa ndjenja. Sipas mjekëve të skuadrës fierake, mbrojtësi ka qenë për dhjetë minuta në vdekje klinike, ndërsa më pas e ka marrë disi veten. Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Durrësit, por për shkak të gjendjes së rëndë u shtrua në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Tifozeritë

Partizani fiton 1-0 në fushën e Elbasanit, duke bërë që Faruk Sejdini të ndiejë shijen e humbjes te verdheblutë. Vendimtar ishte goli i Begës, në të 31-ën. Por, shqetësuese ishin episodet në tribunat e stadiumit, të cilat sjellin incidentet e dhunshme edhe në Superiore, pas ngjarjeve në kategoritë inferiore. Tifozët e Elbasanit kanë hedhur gurë dhe më pas rrahur mbështetësit e kuq, të cilët kishin udhëtuar nga kryeqyteti për të ndjekur skuadrën e zemrës.

Të tjerat

Dinamo fiton 5-1 me Bylis, por në këtë rezultat kanë ndikuar edhe drejtuesit e klubit nga Ballshi. Pas një goli në pozicion të dyshimtë jashtë lojë, ata kanë kërkuar "hapjen e portës". Por, kjo nuk mund t‘i mohojë meritat e Plakut dhe Sefës, që shënuan nga dy gola secili. Diferenca me dy kryesueset shkon në -3 pikë. Shkumbini mposht 2-1 Flamurtarin: Deliovski e Turdiu përmbysën avantazhin e vlonjatëve me Galicën.

Superiore/ Java 22

REZULTATET

Teuta-Vllaznia 4-0

Vila 25‘, Mile 70‘, Hysa 82‘, Ahmeti 88‘

Lushnja-Tirana 0-0

Elbasani-Partizani 0-1

Bega 31‘

Besa-Apolonia 2-1

Nana 79‘, Fortunat 81‘ / Haxhibuliç 75‘

Shkumbini-Flamurtari 2-1

Deliovski 61‘, Turdiu 77‘ / Galica 42‘

Dinamo-Bylis 5-1

Plaku 6‘, 90‘, Sefa 49‘, 80‘, Bakaj 50‘ / K. Dalipi 42‘

Klasifikimi

Skuadra N Pikë

1. Tirana 22 41

2. Vllaznia 22 41

3. Dinamo 22 38

4. Shkumbini 22 36

5. Besa 22 32

6. Teuta 22 29

7. Partizani 22 25

8. Elbasani 22 25

9. Flamurtari 22 25

10. Apolonia 22 24

11. Bylis 22 21

12. Lushnja 22 19



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›