Vlojnë talentët

Shumë talentë kosovarë kanë zgjuar interesim për t’u bërë pjesë e shkollës së futbollit të Arsenalit ‘Arsenal Soccer School’ (ASS), e cila punën në Prishtinë pritet ta nisë në muajin shtator, në bashkëpunim me ‘Sport Development Coaching’ (SDC).
Vetëm gjatë dy ditëve të vikendit, mbi 1600 të rinj iu kanë nënshtruar provave për t’u bërë pjesë e ASS-së, të cilat po mbahen në kompleksin sportiv ‘Prince’ në kryeqytet. Kështu, thonë përfaqësues të kësaj shkolle. Sipas tyre, ky numër pritet të rritet dukshëm të hënën – në ditën e tretë dhe të fundit të testimeve.
“Gjatë dy ditëve, pra të shtunën e të dielën, janë testuar mbi 1600 talentë. Vetëm në ditën e parë janë paraqitur 900 të rinj. Pra, interesimi ka qenë shumë i madh dhe janë paraqitur talentë nga të gjitha vendet e Kosovës, madje edhe më larg, sepse ka pasur edhe nga Vojvodina”, tregoi përfaqësuesi i kësaj shkolle, Bardhyl Sogojeva.
Sipas tij, prej talentëve të testuar, vetëm rreth 500 prej tyre do të kenë mundësi të bëhen pjesë e ‘Arsenal Soccer School’. “Duke i testuar, njëkohësisht jemi edhe duke i klasifikuar. Prej të gjithë këtyre, do t’i përzgjedhim 400 apo 500 të rinj, të cilët do të bëhen pjesë e kësaj shkolle”, tregoi ai.
Të rinjtë po testohen nga ana e katër trajnerëve të ardhur nga Londra, të prirë nga Tony Gervaise, por edhe nga disa trajnerë kosovarë. Sipas Sogojevës, trajnerët nuk do ta kenë aspak të lehtë t’i përzgjedhin më të mirët, pasi konkurrenca është e fortë.
“Jemi shumë të kënaqur me kualitetin e këtyre të rinjve. Vërtet, edhe trajnerët e ardhur nga Londra janë shumë të kënaqur me kualitetin dhe interesimin e këtyre të rinjve. Po mbledhim shënime të detajuara për kualitetet e secilit veç e veç dhe sigurisht se më meritorët do të bëhen pjesë e shkollës”, përfundoi ai.
Organizatorët patën pohuar se do të ishin shumë të kënaqur sikur ta zbulonin qoftë edhe një talent të vetëm në ASS, i cili do të mund të bëhej pa problem pjesë e Akademisë së Arsenalit në Londër.