Vlora, atje ku nuk ka më mbipopullim turistësh dhe trafik
Për të shkuar në Radhimë sivjet është më lehtë. Radha e gjatë e makinave të një viti më parë, nuk është më. Me të mbërritur, u vendosa tek i njëjti hotel, tek i njëjti person, ku një vit më parë m’u desh të paguaja edhe më tepër për të vetmen dhomë që kishte bosh. Radhima më ka pëlqyer gjithmonë, ndaj edhe nuk hezitova. Më pastër, më qetë…
“U nisa i dyzuar -i thashë, pasi vjet ishte plot. ǒne sivjet ky ndryshim?”
“Nuk po e kemi më klientelën e qëndrueshme - më erdhi përgjigjja. Po gjithë ajo krizë vërdallë, do ndihet edhe këtu. Një familje emigrantësh që më vinte prej 7 vitesh, s’më telefonoi sivjet, një shitës vlonjat erdhi vetëm 5 ditë me familjen, një çifti nga Tirana që s’lë verë pa ardhur, sivjet iu duk më e lirë Turqia… Ja kështu. Shpresojmë për gushtin, se korriku ishte zhgënjyes. Sivjet ka një rënie të njerëzve dhe prenotimeve, gati rreth 20%. Më të prekur janë ata që i kanë shtëpitë më larg detit, pasi në breg preferohen më shumë. Po ta shikosh mungesën, vihet re lëvizja edhe në trafik. Nga Vlora deri këtu vjen më shpejt dhe nuk mbërthehesh nga trafiku i një viti më parë.”
Në banesë asgjë nuk ka ndryshuar, madje edhe në zonën e plazhit. Shtëpia është vetëm pak metra pranë detit. Po ajo çadër e një viti më parë. Po ai arredim. Po ata çarçafë.
Në zonën e Radhimës, thuajse të gjitha shtëpitë afër bregut jepen me qira. Çmimet lëvizen sidomos në sezon. Shtëpitë private të vogla variojnë nga 25 euro deri në 35 nata. Dhe hotelet deri në 50 euro. Për një hyrje të vogël bisedohet me lekë shqiptare. Mund të negociosh nga 20 deri në 25 mijë lekë. Varet nga afërsia ndaj detit dhe përmasat e hyrjes.
Në përgjithësi, shtëpitë janë të tipit garsoniere, kanë kuzhinë për të gatuar dhe arredim të thjeshtë. Në det janë shtuar gurët e hedhur për minimole. Privatizimi i bregut, duket se po vijon edhe më thellë. Diku janë hedhur kujdesshëm, e diku tjetër grumbujt kalojnë deri në shëmti.
Në plazhin publik, ku rikthehet “tradita” falas
Gjej gjithmonë kohën të zbres në qytet për të takuar një mikun tim vlonjat. Verës e gjen në plazhin publik. “Të jesh vlonjat dhe të japësh lekë për të bërë plazh, nuk më duket normale”, thotë ai teksa justifikon ndenjen gjatë gjithë verës në plazhin publik, kur ky i fundit ka mbetur ndër të vetmit vend ku nuk paguhet për të bërë plazh. “Eh, sivjet filloi ca ndryshe - pasi këta që kishin lokale përreth fillimisht na kërkonin edhe lekë për çadër. Vinin me vrap djemtë e vegjël të kërkonin 100-lekshin. Jemi zënë disa herë, deri sa u ankuam në bashki dhe u rivendos që çadrat të ishin falas”. Së bashku me ata që shisnin akullore, fara, kokoshka, pranë çadrave dukej edhe dikush me tabelën e varur në qafë dhe shkruar keq: “Kemi dhoma plaxhi”. “Nuk ka mbetur njeri pa dhënë me qira - më thotë miku im. Fillimisht për studentët dhe tani në verë, i rregullojnë për pushuesit. Por dihet që jo gjithkush është me fat”
Në Zvërnec, ku hera-herës nafta bën shakatë e veta…
Për një peshk të mirë në Zvërnec, ia vlen ta bësh rrugën. Sidomos tani që është e asfaltuar. Edhe pse mungon “komoditeti” i Radhimës, apo Ujit të Ftohtë, një drekë në verandë, rrethuar nga pishat, shijon. Sidomos kur peshku është i freskët. Gjithmonë kjo stinë më sjell këtu. Gjatë rrugës plazhi duket edhe më i rrudhur. Më pak njerëz…
-epidemia krizë u dukërka dhe këtu - i them pronarit që na servir vetë në tavolinë. “Po çfarë krize, mo i dashur. Ne kemi detin në krizë. Epidemi nafte thuaj. Ne thamë shyqyr që po e vinin në terezi këtë pjesë. U pastrua plazhi, ishte mrekulli. Po vinin edhe më shumë njerëz. Por ku të vijnë? Doli njëherë nafta në breg. U trembën njerëzit. Tani kemi parë sërish bregun të ndotur. Janë anije që pastrojnë mbetjet këtu rrotull, derdhin ato naftë, a e derdhin të tjerë kastile që të largojnë njerëzit këtu, nuk e marrim vesh. Ne nuk kemi më punë si më parë. Njerëzit hezitojnë të vijnë të bëjnë plazh”
Një pragmbrëmje në Skelë
Ajo çka nuk ndryshon verës në Vlorë është pasditja. Në trotuarin pranë rrethrrotullimit në Skelë, kalon jo pa vështirësi. Grupe, kryesisht të rinj, mblidhen aty, ndërsa të tjerë kalojnë për të vijuar shëtitjen e pasdites. Fluksi arrin të thyejë madje edhe mitin e “më të fortit”. Pranë trotuarit buzë lulishtes, tezgat risjellin propozime për veshje të stinës, kryesisht për femra, bizhuteri, çanta, me çmime më të ulëta se njësitë që gjen rëndom në zonë. Një tregtar ka gjetur mënyrë më të thjeshtë për të tërhequr vëmendjen. Një zë i regjistruar vjen nga pajisja e vendosur në çantë dhe “hajde celularë të përdorur” kthehet deri bezdisëse për ata që kanë ndalur këmbët pak metra më tej.
Ndodh që në lokalet përballë, apo në ato që vijojnë pranë shatërvanit, të mos gjesh vend në ambientet e jashtme. Një rresht i gjatë tavolinash radhiten deri buzë rrugës. Klientelën e dominojnë të rinjtë. Vetëm pak metra më tej, sheshi pranë lulishtes është kthyer në një megaparkim, ku pjesa fundore mbyllet me radhën e më të vegjëlve, të cilët presin mes zhurmave për të hipur te “makinat fluturuese”, lodrën që muajt e verës e transferojnë këtu.
Jo pushime të gjata, por fundjavë
Fundjava në Vlorë gjithmonë bën të dukshëm ndryshimin. Edhe pse pushuesit kanë nisur të frekuentojnë qytetin bregdetar, më shumë të tillë në qytet mbledh fundjava, kryesisht në bregdet. Këtë verë duket se administrator hotelesh e njësish akomodimi kanë menduar që argëtimi të mos jetë më spontan, duke ofruar alternative të tilla edhe në det. Po kështu një shëtitje me mjetet e lundrimit, do të tërhiqte më tepër. E duke qenë se çmimet në verë nisin të jenë më të kripura, njerëzit kanë nisur të bëjnë diferencat në ato që frekuentojnë, duke dalluar paksa edhe shtresat. Lokale luksoze, apo lokale të tjera më klasike ftojnë për një koktejl më të shtrenjtë, apo çaste relaksi nën një muzikë të qetë, shumë herë live. Diskot verore kanë gjithmonë të përfshirë një “DJ” të njohur. Duket se marketingu i tyre po orientohet nga më të kërkuarat e tregut. Në Vlorë çdo fundjavë gjen emra të njohur “DJ”, të huaj apo dhe shqiptarë. Por ndërsa gjithkush endet mes gustove e hobeve, pse jo edhe një fundjavë kushtuar peshkimit, shumë të tjerë zgjedhin mënyrat e thjeshta për të kaluar disa orë. Në lulishten pranë Aulonës në Ujë të Ftohtë, gjen gjithmonë grupe familjarësh, të rinj, si dhe shumë fëmijë. Këta të fundit u gëzohen lodrave të vendosura për ta. Shumë prindër zgjedhin pasditen këtu, pasi fëmijët mund të luajnë në lojërat e vendosura në natyrë dhe ata mund të vijojnë pushimin e pasdites në baret pranë. Në “lokalet” e vendosura në këto mjedise, nëse mund t’i quash të tilla, pasi disa ngjasojnë me kioskat e para 15 viteve, apo një banak i hapur i thjeshtë, ku duket zgara e qofteve, menuja është edhe më e thjeshtë, ndërsa çmimet shumë të pranueshme. Birrë me krikëll dhe ushqime të çastit afrojnë në tavolina shumë qytetarë. Një mënyrë e tillë shumë praktike duket se ka qenë e këndshme edhe për të huajt që zgjedhin Vlorën për të pushuar, apo si vend stacioni për qëndrimin e tyre.
Kuzhina që propozojnë restorantet është shumë më e larmishme. Ndërsa peshku i freskët dhe frutat e detit nuk mungojnë asnjëherë në lokalet buzë detit, ka pushues që nuk heqin dorë nga tradicionalja. Buzë detit shijon më shumë, ndaj edhe bregdeti mbledh gjithmonë e më tepër rreth vetes. Një fundjavë në Vlorë varion mes kaltërsisë dhe gjelbërimit, një opsion që po bëhet gjithmonë e “më i klikuar” për vendasit, por edhe pushuesit.