E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESh aplikon më 1 shtator për rritjen e çmimit të energjisë pranë ERE

Më 1 shtator kompania KESh, ashtu si edhe kompanitë e tjera OST dhe CEZ shpërndarje, aplikojnë për çmimin e rritur të energjisë elektrike. Burime nga KESh-i bëjnë me dije se edhe këtë vit do të aplikohet nga kjo kompani për një çmim të rritur, për arsye të shlyerjes së detyrimeve të vjetra dhe gjithashtu për të mundësuar shumë investime që kompania ka planifikuar, pasi vitin e kaluar aplikimi i KESh-it për ndryshim të tarifës së energjisë u refuzua nga Enti Rregullator i Energjisë, ashtu siç u refuzuan tarifat e OST dhe CEZ shpërndarje. ERE mori parasysh mbrojtjen e konsumatorit në mosndryshimin e tarifave. Përsa i përket shtatorit të 2010-ës, kompania KESh në aplikimin e saj për të rritur çmimin e energjisë paraqiti dy skenarë të mundshëm referuar shlyerjeve të detyrimeve të vjetra, si kredi dhe overdrafte; 3, 97 lekë u paraqit çmimi i aplikimit, në qoftë se detyrimet në fjalë do të shlyheshin për 2 vjet; dhe 5,31 lekë, në qoftë se detyrimet do të shlyheshin brenda vitit 2011. Por Bordi i Entit Rregullator të Energjisë la pa ndryshuar tarifat, në këtë mënyrë pritet që ERE në bazë të analizave të saj, por edhe duke u nisur nga detyrimet që kanë kompanitë dhe domosdoshmërinë për të investuar në projekte të ndryshme, pritet të rrisë çmimin e energjisë që do të kërkohet nga kompanitë në fjalë. Si procedurë, më 1 shtator të gjitha kompanitë publike, OST, CEZ, KESh, paraqesin pranë ERE-s aplikimet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, bashkë me programet e investimeve. ERE miraton programin e investimeve duke analizuar domosdoshmërinë e kryerjes së tyre dhe efektivitetit që japin në disa drejtime si: cilësia e furnizimit me energji elektrike dhe zvogëlimi i humbjeve. Gjithashtu merret në analizë në bazë të procedurave dhe metodologjisë që janë të hapura për publikun mënyrën e llogaritjes së tarifave të energjisë elektrike. Deri nga muaji nëntor ERE studion aplikimin, kërkon të dhëna suplementare, bën verifikime, monitorime për të verifikuar të dhënat e paraqitura e më pas zhvillon një seancë dëgjimore publike në mes nëntori, ku CEZ, KESh, OST prezantojnë përpara publikut aplikimet e tyre dhe publiku ka të drejtën e pyetjeve. ERE në këtë rast ndjek gjithë komentet e palëve dhe mbas kësaj bordi i ERE, deri më 15 dhjetor, merr vendim për çmimet dhe tarifat e energjisë elektrike për vitin 2011. Megjithatë, nuk do të thotë që çdo vit të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, sepse në çmim ndikojnë shumë faktorë, disa prej të cilëve ndikojnë në rritje, të tjerë në zbritje. Në ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike në radhë të parë ndikojnë humbjet në rrjet, sasia e investimeve dhe gjithashtu niveli i shfrytëzimeve që bën kompania. Kurse në zbritjen e çmimit ndikojnë disa faktorë të tjerë. Faktor kryesor është prodhimi i energjisë elektrike në vend, detyrimet që ka kompania për të zvogëluar humbjet. Faktorë të tjerë janë rritja e eficencës dhe performanca për zhvillimin e kompanisë etj. Duke qenë se janë faktorë kontradiktorë me njëri - tjetrin, janë faktorët determinues që përcaktojnë edhe ecurinë e çmimeve. Duhet të kemi parasysh se vitin 2010 e në vazhdim kemi patur një rekord historik në prodhimin e energjisë elektrike. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka nisur të mendojë për sezonin e verës, duke marrë parasysh thatësirën që karakterizon këtë stinë dhe ka rritur rezervat e saj hidrike. Për të bërë të mundur një gjë të tillë, sipas njoftimeve zyrtare nga KESh-i, është pakësuar përdorimi i ujit të kaskadës së Drinit, duke siguruar një blerje të energjisë në import. Një gjë të tillë KESH-i tani e ka më të lehtë ta bëjë, pas rezultateve shumë të mira financiare të vitit të kaluar, kur fitimet e realizuara shlyen një pjesë të madhe të borxheve, të marra në vite. Vlera totale e energjisë së blerë në të dyja procedurat e kryera gjatë muajit prill arriti në 3 352 182 euro. Megjithatë, duke qenë se mbeten ende detyrime dhe investime në projekte pritet që KESh të aplikojë për ndryshimin e çmimit të energjisë pranë ERE-s në shtator.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›