Vlora e Pavarësisë garanton fitoren e mazhorancës më 23 qershor
Atmosferë mbresëlënëse dhe entuziazëm i jashtëzakonshëm në sheshin “Pavarësia”, në Vlorë, ku Partia Demokratike mbylli përmes një mitingu madhështor fushatën elektorale. Deklarata: “Me Koço Kokëdhimën, Rama turpëroi vlonjatët, sepse u ka sjellë rrezikun më të madh përsa i përket pangopshmërisë”
Vlora ishte ndalesa e radhës për Partinë Demokratike, në vijim të turit për mbylljen e fushatës elektorale. Nga sheshi “Pavarësia”, Vlora bregdetare i dha një mesazh të qartë të gjithë Shqipërisë, se alternativa e Partisë Demokratike dhe e kryeministrit Sali Berisha, do jetë alternativa fituese në zgjedhjet e 23 qershorit. Mijëra qytetarë të Vlorës ishin mbledhur në sheshin kryesor të qytetit, duke i dhënë atij ngjyrën blu dhe duke e bërë njësh me detin. Shefi i mazhorancës, duke falënderuar qytetarët vlonjatë për mbështetjen e dhënë, premtoi se mandatin e ardhshëm do jenë vitet e punësimit masiv dhe zhvillimit ekonomik. I gjendur në qyetin e pavarësisë vetëm disa orë pasi kundërshtari i tij politik dhe njëkohësisht kandidat për deputet në këtë qytet, Edi Rama, zhvilloi një “kënd fjale” me ish-ushtarakët në Vlorë, është gjendur disi komod, duke e përqendruar të gjithë fjalimin e tij në kundërpërgjigje në distancë ndaj akuzave që Rama lëshoi në drejtim të tij. “Mos eja këtu e të tregosh idetë e gjyshit tregtar, por kur nuk ke ide për të ardhmen do të merresh me idetë e gjyshit, me idetë e të shkuarës, ty të ka ngelur ora me orën e gjyshit tënd. Vlora sot qarkullon mallra sa ç’nuk qarkullonte tërë Shqipëria në kohën e gjyshit. Mos u trego vlonjatëve, fotot e fuqive armike, por respekto vlonjatët dhe shqiptarët, sepse respekti është detyrimi i parë i çdo politike. Mos kujto më taksën progresive; erdhi bullgari këtu e tha është katastrofë. Tani herë e përmend, herë s’e përmend. Z.Rama, respekto qytetarët, sepse ai është detyrimi ynë i parë. Përsa i përket modelit, zotëri, me këta burra e gra të gjithë shqiptarë na lidh një përpjekje e madhe, kurse ti zotëri je modeli i shkretimit. Një gjë pate në dorë, të votosh ligjet dhe për shpirtin e zi, i bllokove tre vjet rresht. Z.Rama, me këta njerëz na bashkon përpjekja e madhe për një jetë më të mirë, ndaj po ndërtojmë rrugë, tunele, kurse t’i zotëri, në të gjithë fuqinë tënde, votove kundër çdo gjëje”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë e ka quajtur ditën e djeshme si një ditë të bekuar, pasi u realizua bashkimi i Tiranës me Elbasanin, përmes tunelit të Krrabës. “Mirënjohje dhe përshëndetjet më të zjarrta shqiptarëve nga Vlora e Pavarësisë. Zotohem para jush se me deputetët e Vlorës do të ndërtojmë Shqipërinë Evropiane. E kemi marrë Shqipërinë në një kohë shumë të vështirë, vendi ishte pa energji, nuk kishte ujë dhe shkollat po rrënoheshin, NATO dhe BE ishin larg ndeshe. Por në këto vite së bashku me një besim të madh te energjia, forca dhe vullneti ia kemi dalë që të ndryshojmë Shqipërinë, të ecim më shpejt se kurrë në historinë. Rrogat dhe pensionet janë rritur në 8 vjet, infrastruktura në qarkun e Vlorës dhe Shqipërisë është moderne. Sot lëvizim të lira dhe pa viza në të gjithë Evropën, po bëjmë gjithçka që pasuritë ti shndërrojmë në vlera. Sot arrita në Gjirokastër nga Levani për një orë e 4 minuta, sot inauguruan fillimin e baypass-in e Fierit”, tha kreu i selisë blu. Ndërsa ka sulmuar alternativën e majtë, kryeministri u tha qytetarëve të Vlorës se për ta kuptuar atë duhet lexuar modeli i Koço Kokëdhimes, simboli i spekulimeve.
“Unë nuk shkoj në rrafsh personal, por një gjë po ta them. Kam qenë President, kam qënë kryeministër, jetoj në një apartament 125 km katror, se rroga ime aq e përballonte, kurse ti do të vish drejt karriges sime me një vilë 57 m dhe një pallat pesëkatësh. I nderuar zotëri! Familja është familje, ajo është vlera më supreme. Me këtë vlerë bashkohen të gjithë shqiptarët, të çfarëdo që janë. Zotëri, këtë vlerë e shkelmojnë të gjithë ata që ndahen e martohen para çdo fushate elektorale e ti, i tillë je. E së fundi, ke sjellë në Vlorë, Koço Kokëdhimën, njeriun që mezi shkel në fshatin e tij, në Qeparo, sepse mori paret e rrugës dhe i prishi rrush e kumbulla. Ke sjellë në Vlorë rrezikun më të madh përsa i përket pangopshmërisë”, tha kryeministri.
Patozi: Rama, kandidat në Vlorë pasi humbi në Tiranë
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, njëkohësisht kandidat për deputet në qarkun e Vlorës në zgjedhjet e 23 qershorit, deklaroi të dielën ne mbrëmje në Vlorë në mitingun përmbyllës të fushës elektorale, se, "Rama erdhi si kandidat në Vlore pasi humbi në Tiranë". Patozi theksoi se "Rama dhe Partia Socialiste janë aventurë, prandaj çdo banor i kësaj zone, çdo banor i këtij qarku, në 23 qershor do të ecë përpara, i sigurt me Partinë Demokratike". Gjatë fjalës së tij Patozi u kujtoi të pranishmëve se tashme qytetarët janë njohur me dy modele krejtësisht të kundërt, atë të Sali Berishës që mendon vetëm për qytetarët dhe zhvillimin e vendit dhe nga ana tjetër me atë të Edi Ramës që ka treguar vetëm për rritje të taksave. Prandaj, sipas tij, oferta e Partisë Demokratike edhe për katër vitet e ardhshme synon ndryshimin e mëtejshëm të Vlorës dhe standardizimin e të gjithë vendit me investime e projekte konkrete.