E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse zgjodha si titull “Të njohura dhe të Panjohura”

17-06-2013 / Nga Donald Rumsfeld

Një kërkim në internet i frazës “të panjohurat e njohura”, në vjeshtë të 2010-s, të jep më shumë se treqind mijë rezultate, një çerek milioni i të cilëve lidhen me emrin tim. Ka edhe një të dhënë tek Wikipidia, ku referenca është kthyer në “poezi” dhe ajo poezi është kthyer në muzikë. Këto rezultate i përkasin vetëm faqes së parë të kërkimit. Sidoqoftë, për një frazë kaq të mirënjohur është ironik fakti, që origjina dhe kuptimi i saj janë krejt të panjohur.
Fillimisht kjo frazë u lidh me mua në fillimin e 2002-it. Nga fundi i një konference shtypi në Pentagon, një gazetar më tha se kishte “ informacione”, që sugjeronin mungesën e një lidhjeje midis regjimit të Sadam Huseinit dhe terroristëve që kërkonin armë të shkatërrimit në masë. Këto informacione të pavërtetuara, sugjeroi pyetësi, ishin provë e mungesës së “lidhjes së drejtpërdrejtë”.
Duke lënë mënjanë, për momentin, përmbajtjen e pyetjes së gazetarit, unë ngrita çështjen e kufizimeve të njohurive njerëzore. Përgjigja ime ishte kjo:
Informacionet se diçka nuk ka ndodhur janë gjithnjë interesante për mua sepse siç e dimë  ka të njohura që njihen. Ka gjëra që ne e dimë që i njohim. Ne po ashtu e dimë se ka të panjohura që njihen, që do të thotë se ne e dimë se ka disa gjëra (që ne e dimë) se nuk i njohim. Por po ashtu, ka të panjohura që nuk njihen, ato që ne nuk e dimë që nuk i dimë. Nëse shohim përmes historisë së vendit tonë dhe vendeve të tjera të lira, kategoria e fundit është më e vështira.
Në vështrimin e parë kjo logjikë duket e errët. Por, prapa gjuhës enigmatike qëndron një e vërtetë e thjeshtë rreth njohurive. Ka shumë gjëra rreth të cilave ne jemi krejtësisht të pavetëdijshëm. Në fakt, ka gjëra rreth të cilave ne jemi kaq të pavetëdijshëm, saqë as nuk e dimë që jemi të pavetëdijshëm për to.
Të njohurat e njohura janë fakte, rregulla dhe ligje, të cilët ne i njohim me siguri. Ne e dimë për shembull se graviteti bën që sendet të bien në tokë.
Të panjohurat e njohura janë boshllëqe në njohuritë tona, por ato janë të tilla që ne e dimë se ekzistojnë. Ne e dimë, për shembull, se nuk i njohim përmasat e vërteta të shtrirjes së programit irakian të armëve bërthamore. Nëse ne bëjmë pyetjet e duhura, ndoshta mund ta mbushim këtë boshllëk, duke e bërë atë një të njohur që njihet.
Kategoria e të panjohurave të panjohura është më e vështira për tu kapur. Ato janë boshllëqe në njohuritë tona, por janë të tilla që ne nuk e dimë se ekzistojnë. Prej kësaj kategorie vijnë surpriza të vërteta. Nëntëmbëdhjetë terroristë, që përdorën avionë udhëtarësh si raketa ushtarake për të shkrumosur tremijë burra, gra dhe fëmijë, ishte ndoshta e panjohura e panjohur më e tmerrshme që ka përjetuar Amerika.
Për herë të parë kam dëgjuar një variant të frazës “të panjohura të njohura”, në një diskutim me ish administratorin e NASA-s, William R. Graham, kur shërbenim së bashku në Komisionin e Rreziqeve nga Raketat Balistike, në fund të 1990-s. Anëtarët e komisionit tonë dypartiak ishin të shqetësuar, se disa raportues nga shërbimi i fshehtë e trajtonin faktin e mungesës së informacionit rreth një aktiviteti të mundshëm, për të nënkuptuar se ky aktivitet nuk kishte ndodhur dhe nuk do të ndodhte. Me fjalë të tjera, nëse diçka nuk mund të provohet se është e vërtetë, atëherë mund të supozohet se nuk është e vërtetë. Kjo çonte në gjykime të gabuara rreth kapaciteteve të raketave balistike të vendeve të tjera, të cilat në disa raste u provuan se ishin më të avancuara se ç`ishte menduar më parë.
Ideja e të panjohurave, të njohura e të panjohura, nxjerr në pah se informacioni që kanë në dispozicion ata që janë në poste qeveritare apo në fusha të tjera të veprimtarisë njerëzore është pothuaj gjithmonë jo i plotë. Kjo thekson rëndësinë e modestisë intelektuale, një cilësi e vyer kjo në marrjen e vendimeve dhe në formulimin e strategjisë. Është e vështirë të pranohet, të njihet, se mund të ketë të panjohura të rëndësishme. Strategët më të mirë përpiqen të imagjinojnë dhe të marrin parasysh çdo mundësi sado e pamundur të duket. Në këtë mënyrë, ata janë të përgatitur dhe të gatshëm për të ndryshuar drejtim, kur këtë e kërkon një informacion i ri që zbulohet papritur, pra kur gjërat që më parë ishin të panjohura bëhen të njohura.
Unë e kam hasur këtë koncept edhe në parathënien e Thomas Schelling tek libri i Roberta Wohlstetter, Pearl Harbor: Paralajmërim dhe Vendim. Aty Schelling përcakton “parashikimin e varfër të mundësive”, si shpjegim parësor për paaftësinë e Amerikës në parandalimin dhe zmbrapsjen e sulmit japonez mbi Havai1. Mesazhi i Schelling është i qartë dhe largpamës. Ne duhet të përgatitemi për mundësinë e një sulmi, nga një armik i paparashikuar, me mënyra të cilat janë të paimagjinueshme. Duke hedhur vështrimin pas në histori, teoricieni ushtarak gjerman i shekullit të 19-të, Carl von Clausewitz thekson vështirësitë e trajtimit të informacioneve të paplota apo të gabuara dhe pashmangshmërinë e surprizave. Disa nga ata që janë të interesuar në filozofi përmendin një thënie të Sokratit se “unë as nuk di e as nuk mendoj se di”. Kjo do të thotë se zanafilla e njohurive është të kuptosh se sa pak di njeriu.
Një e panjohur e njohur për mua ishte se si të shkruaj një libër. Nuk isha përpjekur kurrë më parë. Nuk e dija nëse duhej apo në ç`mënyrë duhet të përfshija qindra mijra faqe dokumentesh nga burime parësore, të arkivës sime për sonale. Unë akoma ruaj letrat e përditshme, që prindërit e mi i dërgonin njeri tjetrit gjatë Luftës së Dytë Botërore, qindra shënime për votimin në Kongres gjatë viteve 60-të, si edhe hollësi nga takimet me presidentin Ford në cilësinë e shefit të kabinetit, për tu siguruar që kërkesat dhe direktivat e tij të zbatoheshin. Unë, po ashtu, kam rreth njëzetmijë memo, të quajtura me humor si “flokë bore”, prej kohës kur isha ministër i mbrojtjes  në administratën e presidentit George W. Bush, disa regjistrime të momenteve të marrjes së vendimeve dhe të tjera  që janë për shembull një shkuarje tek berberi. Mijra dokumente të tjera qëndrojnë në arkivat sekrete në Bibliotekën e Kongresit, Departamentin e Shtetit dhe atë të Mbrojtjes.  Pavarësisht nga volumi i madh, mendova se arkiva ime do të më përforconte kujtesën. Nga njëra anë, dokumentet do të shtonin hollësitë dhe kontekstin e kujtimeve  dhe nga ana tjetër do të ishin një sfidë, për të parë se sa mund të mbaja mend. Një pjesë e arkivës sime do të jetë në formë dixhitale në internet me adresë, www.rumsfeld.com, e cila shoqëron dhe mbështet këto kujtime. Unë po ashtu kam nxjerrë dhe do të vazhdoj ti bëj të disponueshme dokumente të tjerë, që nuk janë cituar në këtë libër, por që sidoqoftë kanë vlerë historike. Jeta ime shtrihet në më shumë se një të tretën e historisë së SHBA-së. Ndërsa mendoja rreth këtyre kujtimeve dhe titullit, ideja e të njohurave dhe të panjohurave mu duk e përshtatshme. Në këtë libër nuk ka vetëm gjëra që njerëzit mendojnë se i dinë rreth jetës sime, por ka edhe gjëra të papritura, që ndryshojnë prej atyre që shumë vetë mund të kenë lexuar, dëgjuar apo imagjinuar. Kjo është e vërtetë edhe për shumë ngjarje që unë kam vëzhguar gjatë viteve në Kongres, gjatë përpjekjeve për të drejtat qytetare dhe kohës së luftës së Vietnamit, deri tek Lufta e Ftohtë dhe detyra e ministrit të mbrojtjes gjatë për udhës së terrorizmit. Të njohurat dhe të panjohurat janë ato të cilat jam përpjekur të paraqes në këto kujtime, atë pjesë të historisë së vendit tonë, në të cilën kam pasur privilegjin të kem qenë pjesëmarrës.
(Shkëputur nga libri “Të njohura dhe të Panjohura”)

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›