E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlora i pret turistët këtë sezon me smog dhe tym nga djegia e plehrave

Ardhja e ditëve me temperature të larta, e ka mbuluar qytetin e Vlorës me një smog të paparë, ditën dhe natën. Ditën, kjo tymnajë që mbulon qytetin, vjen si rezultat i makinave të shumta, që qarkullojnë në gjithë rrugët e qytetit dhe pak nxjerrin vetë tym këto makina e më shumë përhapin tymin e rrugëve ku kalojnë dhe që më së shumti janë të pashtruara me asfalt. Ndërkohë, që më e padurueshme bëhet gjendja në orët e para të natës dhe sidomos gjatë saj, sepse digjen si gjithë këto vitet e fundit, plehrat që janë hedhur me tonelatë në ish fushën e Aviacionit që është ngjitur me qytetin. Janë vetë qytetarët, që e ngrenë me të madhe këtë problem, sepse siç thonë ata vet, prej vitesh marrin premtimin e kandidatëve për deputetë apo për kryetar bashkie se do të merren masa për heqjen e tyre, por askush prej tyre sapo është bërë deputet nuk është kujtuar se ka një magazinë të stërmadhe të tillë me plehra dhe që gjatë verës digjen pothuajse gjatë gjithë natës e shpesh edhe gjatë ditës. Praninë e shumtë të tymrave në qytet, e pranojnë edhe institucionet shtetërore, që nga Bashkia, Prefektura dhe ato shëndetësore, por kur vjen puna për zgjidhjen e problemit, të gjithë ngrenë supet. Edhe agjencia e Mjedisit është në dijeni të këtij fakti dhe po ashtu shpreh shqetësimin për këtë gjë, por nuk afron asnjë zgjidhje. Djegie ka edhe gjatë muajve të tjerë të vitit të këtyre plehrave, por temperaturat e ulta dhe sidomos ditët me shi e shmangin dukjen e tyre në qytet. Por, këto ditë, kur vetë temperaturat janë shumë të larta, një fakt i tillë është shumë evident dhe shumë i ndjeshëm nga qytetarët, për ata që lëvizin apo edhe për ata që janë të detyruar të rrinë në një vend gjithë kohës. Ditën, jo vetëm nëpër rrugët dytësore të qytetit, por edhe në ato kryesore, të mbyt tymi i makinave dhe i pluhurit që përhapin këto makina. Edhe në bulevardin kryesor është një tym shumë i madhe dhe ndonëse, këtu kalojnë edhe në vajtje dhe në ardhje, nxënësit e shkollave dhe prindërit që i shoqërojnë ata, askush nuk kujtohet që të paktën në këto orare, këto rrugë të lagen nga makinat e ndërmarrjes së shërbimit publik për të eliminuar sado pak këtë tym. Më e padurueshme, bëhet atmosfera në fillim të natës. Është koha, kur makinat e pastrimit shkojnë dhe çojnë makinat e para me plehra në vendgrumbullimin e tyre në ish fushën e Aviacionit. Duket, punëtorët që çojnë këto plehra, u vënë flakën atyre që janë tharë gjatë ditës dhe në gjithë qytetin përhapet era e padurueshme e squfurit të djegur, që del prej tyre. Është një atmosferë, që me erën më të lehtë, përhapet në gjithë qytetin dhe askush nuk guxon të rrijë më përjashta. Kjo erë vazhdon gjatë gjithë natës, sepse gjatë gjithë natës vazhdon edhe djegia e këtyre plehrave. Mirëpo ka ardhur koha, kur në qytet po duken turistët e parë, vendas dhe të huaj dhe një atmosferë e tillë nuk është aspak mikpritëse për ata dhe të tjerët, që do të vijnë më pas tyre. Ndaj urgjentisht, Bashkia ka për detyrë të gjejë një mënyrë tjetër, për djegien e plehrave ose ato gjatë këtyre muajve le të konservohen dhe nga fundi i verës të digjen. Djegia e tyre masive siç bëhet këto ditë, do të thotë largim të turistëve, të vetmin burim masiv ekonomik për qytetin bregdetar që gjithë vitin këto muaj shfrytëzon maksimalisht në të ardhurat ekonomike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›