Gjirokastër, aksidentoi shoferin e maunes, prangoset 18 vjeçari
Një aksident me pasojë vdekjen, është regjistruar mbrëmjen e së martës në aksin nacional Gjirokastër-Kakavijë. Një shofer mauneje ka humbur jetën në momentin kur kishte dalë nga makina e tij për të kontrolluar ngarkesën dhe menjëherë është përplasur për vdekje nga një autoveturë që kaloi përbri maunes. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Dervician, pranë një pike karburanti rreth 6 km në jug të qytetit të Gjirokastrës.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, viktima Panajot Sorra, 50 vjeç nga Korça kishte ndaluar automjetin e tij tip MAN me targa KO 6245 B anës autostradës jashtë karexhatës për të kontrolluar ngarkesën e automjetit që transportonte gurë dekorativë në drejtim të Korcës nga Greqia. Në momentin që ky shtetas po kontrollonte ngarkesën e kamionit, një automjet tjetër i cili po qarkullonte me shpejtësi, e ka përplasur shoferin e maunes dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Dëshmitarët okularë të ndodhur në vendngjarje, sapo kanë parë të gjithë skenën, kanë marrë me nxitim 50 vjeçarin duke e transportuar menjëherë për në spital. Në momentet e mbërritjes së tij në dhomën e reanimacionit të spitalit të Gjirokastrës, drejtuesi i maunes ka dhënë shpirt si pasojë e plagëve të rënda që kishte pësuar në kokë dhe organet jetike. Dëshmitarët kanë ndihmuar policinë e Gjirokastrës për të identifikuar autorin e shkaktimit të vdekjes së 50 vjeçarit korçar. Edvin Pollo, 18 vjeç, nga Lazarati është autori i përplasjes vdekjeprurëse të viktimës nga Korça, i cili udhëtonte me shpejtësi skëterrë me automjetin e tij tip Peugeot ngjyrë e bardhë me targa GJ 96 96 A. Policia nga ana e vet ka arrestuar disa orë më vonë shkaktarin e vdekjes së Panajot Sorrës duke mos u vënë në kërkim të tij, pasi vetë Pollo u paraqit vullnetarisht në organet policore.