E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakavijë, kapet me 1 kg marijuanë, arrestohet 23 vjeçari

Kapet një emigrant me 1 kg marijuanë. Në tentativë për ta kaluar lëndën narkotike në drejtim të Greqisë, Gentjan Zotaj 23 vjeç nga Mallakastra, është kapur nga shërbimet policore kufitare në Kakavijë, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Sipas burimeve zyrtare bëhet e ditur se specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë arrestuar 23 vjeçarin në tentativë për të kaluar drogën e fshehur në automjetin, të cilin e drejtonte vet ai. Shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë zbuluar marijuanën krejt rastësisht gjatë një kontrolli rutinë të ushtruar në automjetin tip Volkswagen Golf 4, me targa greke YHH 7708, i cili drejtohej nga Zotaj. Marijuana ishte integruar në bagazhin e automjetit, në brendësi të guverit të kasetofonit në një qese transparente me ngjyrë të bardhë. Menjëherë grupi hetimor ka bërë këqyrjen e vendit, ku ishte fshehur lënda narkotike dhe ka rezultuar se në qese kishte një sasi prej 1 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë. Gjatë seancave pyetësore, 23 vjeçari deklaroi se ishte emigrant në qytetin e Artës në Greqi dhe po udhëtonte nga vendlindja e tij Mallakastër, drejt vendit fqinj. Policia nga ana e saj ka kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, duke sekuestruar lëndën narkotike dhe automjetin në cilësinë e provës materiale. Zotaj është arrestuar në flagrancë për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›