E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlora si pjesë e rëndësishme e ndryshimit



Nga Nebil Çika

Ndiej një përgjegjësi, por edhe kënaqësi të veçantë kur shkruaj për Vlorën, kjo jo vetëm për shkak të të qenit vend i lindjes apo origjinës sime, por për atë çka ka përfaqësuar e përfaqëson ky vend e këta njerëz në zhvillimet kombëtare, politike, shoqërore, ekonomike, kulturore, sportive e të tjera. Nuk ka qytet e krahinë në Shqipëri kaq komplekse sa Vlora dhe rrethinat. Terreni dhe njerëzit i ngjajnë aq shumë njëri-tjetrit, sidomos për sa i përket kontrastit të fortë. Në pak vende mund të gjesh ekstreme të tilla natyrore, ku nga deti mund të ngjitesh thikë në 2045 metra në majën me borë të përhershme të Malit të Çikës. Mirëpo këto ekstreme mund t’i gjesh edhe në histori e në karakteret e banorëve të zonës. Vlora krenohet me të drejtë si qyteti i pavarësisë apo i luftës së 1920-s po aq sa turpërohet me 1997-n. Këtu mund të gjesh intelektualë e figura nga më të shquarat në të gjitha fushat, po aq sa mund të gjesh individë apo ngjarje nga më negativet, më të shëmtuarat. Ajo që e bën të veçantë Vlorën në këto ditë ethesh elektorale, është pa dyshim rëndësia politike si kryeqendër e Jugut të Shqipërisë. Nëse do ta kthejmë pak mbrapa kokën, do të dallojmë menjëherë gjurmët që ka lënë orientimi politik i banorëve të kësaj zone në historinë politike të Shqipërisë. Sistemi i ri zgjedhor e rrit dukshëm rëndësinë elektorale, pasi në këtë qark përfshihen edhe Saranda e Delvina, pjesa më dërmuese, më cilësore dhe më përcaktuese në zhvillimet ekonomike e shoqërore të Jugut të vendit. Shumë herë, mbase qëllimisht, por kryekëput gabimisht, kjo zonë është konsideruar si bastion i së majtës historike. Kjo teori bie pa dyshim nga faktet historike dhe sidomos e tanishmja politike. Vlora është krahina ku lufta e klasave, e nisur shumë herët, që në vitin 1942, ka qenë më e ashpra dhe ka shënuar viktimat më të shumta. Vlora ka numrin më të madh në shkallë vendi të të dënuarave dhe përndjekurve politikë të diktaturës. Mjafton ky fakt, por edhe nacionalizmi si karakteristikë thelbësore e banorëve të saj, për të kuptuar se orientimi politik dhe elektoral duhet të jetë i djathtë. Kjo ngelet për t’u verifikuar dhe zyrtarisht në këto zgjedhje që pritet të jenë të parat vërtet të lira dhe të ndershme të organizuara që pas rënies së diktaturës komuniste. Mund të sjellësh shumë shembuj historikë për ketë çështje, por dua të përqendrohemi në aktualitet edhe për rëndësinë politike e sociale të momentit, zgjedhjeve parlamentare.

Mundësia për të rikonfirmuar vlerat

Këto zgjedhje janë pa dyshim momenti më oportun për të manifestuar raportin e qytetarisë me vlerat. Në garë nuk janë vetëm vlerat politike dhe elektorale, por edhe ato morale, intelektuale e civile. Gara e vlerave merr kuptim të drejtpërdrejtë tek burimet njerëzore që partitë apo koalicionet respektive ofrojnë si alternativa elektorale. Trupa elektorale që PD-ja dhe koalicioni i saj kanë ofruar në Vlorë është sa kualitative aq edhe gjithëpërfshirëse. Mund të konsiderohet si vlerësim i lartë politik i lidershipit të PD-së kandidimi në krye të listës së këtij qarku të nr. 2 të saj, nënkryetarit dhe kryetarit aktual të grupit parlamentar Astrit Patozi, një figurë tashmë e njohur në politikën shqiptare.

Ardian Kollozi, deputeti dhe kryetari aktual i degës së PD-së, është një prej vlerave politike më cilësore “Made in Vlora” . Biznesmen i suksesshëm para se të merrej seriozisht me politikë, ai ka manifestuar një ambicie të jashtëzakonshme në karrierën politike të mbështetur tërësisht mbi rregulla të ndershme loje përballë konkurrencës shpesh here të pa ndershme . Ka arritur rezultate befasuese politike e elektorale dhe e meriton të konsiderohet si përfaqësuesi më dinjitoz politik i Vlorës në Parlamentin shqiptar në këto katër vite. Falë integritetit qytetar dhe aftësive organizative, ai pritet të jetë çelësi i suksesit të PD-së në këto zgjedhje.

Laureta Bejkosala mëshiron vlera të dyfishta si përfaqësuese dinjitoze e grave vlonjate, por edhe si pinjolle e një prej familjeve më të nderuara në këtë zonë. Një zgjedhje që ka marrë apriori përkrahjen e publikut të Vlorës.

Kreshnik Çipi! Pa dyshim “qershia mbi tortë” e alternativës së djathtë në Vlorë. Sportisti i famshëm dhe qytetari model i përshtatur mrekullisht në biznesmenin e suksesshëm, ai përbën një alternativë elektorale pothuaj të pakonkurrueshme. Qëndrimi politik dinjitoz edhe në ditë të vështira për PD-në e Vlorës e ka bërë të vlerësueshëm dhe të respektuar edhe nga kundërshtarët politikë, gjë e rrallë kjo sidomos në klimën e acaruar politike të Vlorës.

Por jo vetëm kaq. Leonard Demi, një figurë e njohur e PD-së vjen jo vetëm si një alternativë politike. Zoti Demi përfaqëson një nga familjet më të njohura, më patriotike të Çamërisë, gjë që dëshmon kujdesin e PD-së për ta përfaqësuar me dinjitet këtë pjesë të martirizuar të kombit shqiptar. Fakti që edhe BDI-ja është në koalicion me PD-në, pritet të çojë në një votim në bllok të elektoratit çam për të djathtën që në këtë qark përbën një përqindje të konsiderueshme.

Dua te qëndrojmë pak tek risia e listës se PD-së në qarkun e Vlorës.

Kosta Barka, një nga përfaqësuesit më dinjitozë të minoritetit grek në Shqipëri ka të gjithë të drejtën të pretendojë besimin e kësaj pjese të elektoratit. Duhet thënë se asnjëherë PD-ja nuk e ka vlerësuar më seriozisht se kaq elektoratin e djathtë në minoritet. Z. Barka ka mundësinë të sjellë në Parlament votën, por edhe zërin, dinjitetin dhe interesat e pjesës antikomuniste të minoritetit grek në Shqipëri. Janë me mijëra të pushkatuar, të vrarë në kufi, të burgosur e të internuar nga kjo zonë, votat e të cilëve fatkeqësisht janë shpërdoruar nga përfaqësuesit e deritanishëm elektoralë. Revoltën e parë antikomuniste në Sarandë e kanë bërë banorët e Alikos, një fshat minoritar pas vrasjes në kufi të disa banorëve mes tyre edhe fëmijë në vitin 1990. Nuk ka logjikë politike që të pranojë që vota e familjarëve të tyre, por edhe të mijëra të tjerëve të shpërdorohen për të rikthyer në pushtet ministrin e fundit të Brendshëm të diktaturës, Gramoz Ruçin, apo pinjollëve të ish-Byrosë Politike e sekretarëve të parë që e majta ofron si alternativë të saj elektorale. Kjo vlen edhe për “kryeminoritarin” Bollano, që nuk besoj se mund ta ketë harruar kaq shpejt persekutimin nga komunistët të familjes së tij. Për këto, por edhe për arsye të tjera, unë mendoj se z. Barka është një zgjedhje e spikatur e PD-së. Ka edhe të tjerë, por mendoj se emrat që përmenda, janë të mjaftueshëm për të kuptuar përparësinë e PD-së, burimet e përzgjedhura njerëzore si alternativë elektorale për elektoratin e këtij qarku.

Berisha si garanci e fitores

Burimet njerëzore janë vetëm gjysma e asaj që pritet të garantojnë suksesin e PD-së në Vlorë. Por përpara elektoratit janë vënë edhe sukseset në qeverisje të PD-së dhe sidomos investimet e kryera në këtë zonë. Rruga Vlorë - Sarandë është pa dyshim investimi më i rëndësishëm jo vetëm ekonomikisht i kësaj qeverisjeje. Petrolifera, TEC-i, Porti i Kontejnerëve si dhe dhjetëra projekte të tjera janë ato që përbëjnë bazën e të drejtës së PD-së për të kërkuar votën në këtë qark. Ishte politika e kësaj qeverie që e riktheu Vlorën nga një qytet të bandave dhe trafiqeve të paligjshme në një qytet të punës, investimeve dhe prosperitetit ekonomik e social, në një qytet të qytetarëve, por edhe të turistëve nga e gjithë bota.

Por thelbin e orientimit djathtas të Vlorës pritet ta garantojë Kryeministri Berisha me vizionin dhe programin qeverisës të tij. Vlora ka një psikologji tradicionale konservatore për familjen dhe funksionimin e saj. Kjo psikologji e traditë përputhet natyrshëm me atë që jo vetëm filozofia, por edhe lidershipi i djathtë reflektojnë në këtë aspekt shumë të rëndësishëm politik e qytetar. Kam qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i vizitës së parë, historikë të Berishës në Vlorë pas ‘97-s dhe kam parë nga afër respektin dhe vlerësimin e atij qyteti për të në një situatë presioni të paparë. Por, jam gjithashtu dëshmitar edhe i respektit dhe vlerësimit që Berisha ka për Vlorën, historinë, vlerat dhe qytetarët e saj. Dëshmoj gjithashtu vlerësimin në mënyrë të veçante të tij për rëndësinë politike, elektorale dhe ekonomike të kësaj zone. Duke i bashkuar të dy këto konsiderata, mendoj se Vlora do të jetë një pjesë e qenësishme e vazhdimësisë së ndryshimit. Kam gjithashtu arsye të këmbëngul në mendimin tim të palëkundur se Vlora nuk ka qenë dhe nuk është bastion i të majtës, mendim që ju ftoj ta verifikojmë së bashku në përfundimin e të parave zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në 28 qershor.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›