Sa pak rrënjë, sa pak antikomunistë, në një mjedis antiartistik!
Kur në Perëndim teatri politik apo kinemaja mund të ndryshojë psikikën dhe mentalitetin e një vendi, apo të denoncojë krimet dhe diktaturat - në Shqipërinë e pas ’90-ës ende nuk ka një refleksion të thellë psikologjik se çfarë ndodhi në regjimin komunist. Nevoja për të kuptuar këto rrënjë dhe shqiptarët e sotëm, e çuan dramaturgun Stefan Çapaliku në shkrimin biblik të një drame “Shën Gjon Kryepremi”, që flet për vitet ’67, që na kujton mungesën e dramës së shkruar antikomuniste, apo dhe mundësinë për të mos qëndruar vetëm një mbrëmje në Tiranë - koha e fushatës politike është krejtësisht anti-artistike. Dramaturgu “thyen” teatrin borxh duke na thënë:
Skena e Akademisë së Arteve është përgjakur nga komedia e zezë e “Shën Gjon Kryepremit”. Komunizmi, mënjanimi i religjionit dhe injoranca e shqiptarëve të viteve ’67 ka bërë që të zëvendësojë figurën e Krishtit me atë të një aparati elektronik, televizionin. Rreth kësaj linje janë vërtitur 12 fshatarë, pse jo të personifikuar edhe si 12 apostujt e njohur të darkës së fundit, ku në krye të vendit nuk qëndron më Krishti ashtu siç kemi lexuar e mësuar, por një mjet informacioni, që ndryshe e njohim me inicialet TV. Regjisori dhe shkrimtari Stefan Çapaliku ka sjellë mbrëmë veprën e tij “Shën Gjon Kryepremi”, e cila i përket stilit “komedi e errët”. Sipas tij, është fjala për një gjini që takohet dhe bashkon komiken me tragjiken. Kjo është një zonë mbi të cilën lëviz vepra dhe bën që të njihet si një komedi e zezë
Mbrëmë keni ngjitur në skenë shfaqjen “Shën Gjon Kryepremi”, me regji dhe tekst tuajin. Cila është historia e kësaj vepre?
Është fjala për një komedi të zezë, të errët, e cila i kushtohet një momenti shumë të rëndësishëm të historisë së re të Shqipërisë gjatë periudhës së komunizmit dhe konkretisht në vitin 1967. Ky është viti që ka shënuar një prej skandaleve më të mëdha në historinë e re. Është mbyllja e kishave dhe xhamive, pra institucioneve religjioze dhe shpallja e Shqipërisë si i vetmi vend ateist i botës. Pikërisht në këtë vit janë vendosur ngjarjet, në një shtëpi “x”, por me kryezot Gjonin si personazhi kryesor i kësaj vepre, e më konkretisht më datë 29 gusht.
Ka domethënie, pikërisht kjo datë e vendosur me kaq saktësi prej jush?
Ngjarjet janë vendosur pikërisht në këtë ditë për shkak se, në kalendarin kishtar është dita e emrit të Shën Gjon Kryepremit, i cili në Bibël është një figurë shumë e rëndësishme, ku fillimisht është njohur me emrin “Gjon pagëzuesi”, sepse në të vërtetë ai i pagëzonte njerëzit. Por më vonë, mbreti Erud vendosi t’i presë kokën e për këtë mori edhe emrin “Gjon Kryepremi”. Mirëpo, në këtë rast ka edhe një koincidencë historike midis faktit që personazhi kryesor mban emrin Gjoni, ku ngjarja zhvillohet më datë 29 gusht në ditën e “Shën Gjon Kryepremi”-t, si dhe në të njëjtën ditë kur po prisheshin kishat dhe xhamitë. Ngjarja më e rëndësishme që ndodh brenda në skenë është ardhja e një televizioni. I pari në qytet në vitin 1967 vjen në shtëpinë e Gjonit. Ardhja e televizionit ka qenë një ngjarje shumë e rëndësishme, e madhe për shqiptarët e asaj kohë. Kjo për arsye se për herë të parë vinte një teknologji e re, dhe ishte i vetmi mjet që ndihmonte shqiptarët për të hapur një dritare dhe për të parë se çfarë ndodh jashtë Shqipërisë, pra për të çarë izolimin. Natyrisht, marrja e një aparati të tillë, të ri e të panjohur më parë nuk mund të mos binte në sy nga të gjithë banorët e lagjes. Për këtë, ata shfrytëzojnë ditën e emrit të Gjonit për ta vizituar atë në shtëpi, por në të vërtetë pas kësaj vizite fshihet diçka tjetër, një arsye më shumë se dita e Gjon Kryemadhit. Ata vijnë për televizionin. Kështu që në shtëpinë e Gjonit hyjnë personazhe shumë simpatikë, interesante mes tyre, spiunë të lagjes, një i sapo dalë nga burgu, kasapi, shitësja e bukës e personazhe të tjerë të lagjes. Gjithë këto personazhe që luajnë janë gjithsej 12. Jo pa qëllim kam zgjedhur një numër të tillë, sepse përkon me darkën e fundit të Krishtit bashkë me 12 apostujt e tij. Por vetë Krishti, i 13-ti mungon dhe në vend të tij është aparati i televizionit.
Çfarë simbolizon televizioni mes 12 personazheve – apostuj në veprën tuaj?
Njerëzit kanë nevojë të besojnë diku, ndërkohë që jashtë prishen religjionet, kurse brenda po lind një religjion i ri që është televizioni. Njerëzit në atë kohë e besonin jashtë mase një media si televizioni, pavarësisht se sot kuotat e besimit janë gjithnjë e në rënie, por fakti që ata vazhdojnë të shikojnë lajmet, thashethemet, e përdorin si mjet kryesor informacioni etj.
Ju thatë se kjo shfaqje i përket zhanrit të komedisë së zezë. Çfarë e bën të veçantë këtë gjini, sipas jush?
Për këtë gjini anglezët përdorin një term që e quajnë “darkness comedia”, pra komedia e errët. Është një gjini që takohet dhe bashkon komiken me tragjiken. Kjo zonë, e cila është shumë delikate, mbi të cilën lëviz vepra bën që të, njihet si komedia e zezë.
Cili është synimi i projektit tuaj? Çfarë ju nxiti për të shkruar këtë vepër?
Të them të drejtën unë nuk kërkoj të sjell një mesazh të caktuar, sepse vepra në të vërtetë nuk shkruhet për të dhënë një mesazh. Unë këtë të fundit mund ta jap edhe shumë më thjesht, pa pasur nevojë që të shkruaj një vepër. Një vepër e tillë shkruhet për të krijuar një atmosferë, realitet që fillon nga hiçi, dhe për t’i bërë njerëzit të vetëidentifikohen mbi atë çka po ndodh përpara tyre. Nëse do të rrimë tek fjala “mesazh”, mund të shtoja se kjo është një vepër që përmban shumë të tillë. Kjo, për faktin se njerëzit kanë nevojë t’u kujtojmë se prej nga vijnë, të rivlerësojnë të kaluarën e tyre, të dinë se kanë ardhur nga epokë e tmerrshme siç ka qenë komunizmi, ku janë cenuar liritë themelore. Kështu, të gjitha këto sëmundje që trashëgon shoqëria jonë ende në ditët e sotme duhet të gjejnë rrënjën e ngulitur diku në atë epokë, nëse mund ta quajmë kështu.
Çfarë ju ka interesuar më shumë të sillnit me këtë tematikë?
Në përgjithësi në teatrin shqiptar nuk ka vepra që i janë kushtuar komunizmit, ose mund të ketë shumë pak, dhe këto mund të jenë deri në dy të tilla. Ndërkohë që po të hedhim sytë nga vendet e tjera që kanë kaluar të njëjtën sëmundje, janë shkruar me dhjetëra e qindra vepra teatrale. Kjo është një arsye e fortë për të sjellë një tematikë të tillë.
Ju theksuat se kishit shkëputur edhe pjesë nga Bibla për realizmin e shfaqjes. Cili ishte roli që luan ky libër?
Bibla është një libër, burim i madh motivesh. Jo më kot letërsia, arti bazohet tek parabola biblike, pasi ajo është një galeri e pafundme. Ajo ndihmon shumë për të gjetur krahasime midis saj dhe realitetit në të cilin jeton. Kështu që kodet biblike janë të pavdekshme dhe nuk njohin mbarim. Në këtë kuptim, ajo çfarë është marrë në këtë rast nga Bibla është asosacioni që krijon personazhi kryesor me fatin e Shën Gjon Kryepremit, i cili në fund të ngjarjes arrestohet.
Në muajin prill ju e vutë në skenën e teatrit të Shkodrës, ndërsa mbrëmë në Tiranë. Si do të vazhdojë turi i shfaqjes suaj?
Akoma nuk e kam vendosur. Për momentin vjen vera, shumë shpejt edhe zgjedhjet apo edhe ngjarje të tjera antiartistike dhe nuk ka atmosferë për teatër. Në këtë rast vlen të përmendim edhe një shprehje latine që thotë “Ku hyjnë armët, hesht muza”. Kështu që kam vendosur që ndoshta në muajin shtator të vëmë një tjetër shfaqje.