Rruga “Durrës-Kukës”, përtej të majtës dhe të djathtës
Nga Nebil Çika
Përfundimi i njërit prej tuneleve të rrugës Durrës-Kukës ka bërë realitet veprën më të madhe infrastrukturore të Shqipërisë, që natyrshëm e kapërcen rëndësinë ekonomike të saj. Padashur të përqendrohemi tek vlera ekonomike, patriotike e shoqërore të kësaj kryevepre të infrastrukturës sonë, pasi njihen mirë nga opinioni publik, dua të përqendrohemi tek simbolika politike e këtij projekti gjigant. Një qeveri apo mazhorancë vlerësohet në fund të mandatit të saj katërvjeçar për realizimin e premtimeve dhe programit qeverisës. Në këtë këndvështrim, vetëm rruga Durrës-Kukës do të mjaftonte që mazhoranca e z. Berisha të kishte të gjithë të drejtën t’u kërkonte shqiptarëve një mandat të dytë, gjë që duket se e ka të siguruar. Rruga Durrës–Kukës nuk është e vetmja vepër infrastrukturore e qeverisë “Berisha”, mirëpo për specifikën e saj ajo merr pa dyshim një rëndësi politike të dorës së parë. Duke mos llogaritur vështirësitë e gjetjes së burimeve financiare, terrenit e të tjera, kjo vepër u vu përballë një pengese politike sa të papritur aq edhe të paprinciptë. Bllokimi dhe pengimi i këtij projekti mbarëshqiptar u bë për rreth dy vjet aksioni më i madh i opozitës socialiste dhe segmenteve shtetërore të kontrolluara prej gjë që natyrshëm ka ndikuar në realizimin kohor të saj. Aktualisht Edi Rama është i vetmi drejtues politik që jo vetëm nuk e ka vizituar këtë vepër madhore, por nuk ka artikuluar ende asnjë fjalë të mirë për të. Besoj se qëndrimi i të majtës ish-komuniste ka qenë sfida apo pengesa më e madhe, e kapërcyer tashmë me sukses, e realizimit të këtij projekti madhështor. Është pikërisht ky qëndrim destruktiv i opozitës që legjitimon këtë rrugë si arritjen simbol të qeverisjes “Berisha”. Në fakt, opozita Rama ka futur “shkopinj në rrota” në çdo projekt apo arritje të qeverisjes, madje edhe në integrimin euroatlantik, mirëpo egërsia dhe paturpësia me të cilën është kundërshtuar apo është përpjekur të sabotohet ndërtimi i kësaj rruge i kalon kufijtë e një opozite politike. Në këtë kontekst, qëndrimi i opozitës ndaj kësaj vepre simbolizon njëherazi edhe qëndrimin e saj ndaj çdo arritjeje politike, ekonomike e shoqërore të këtij vendi gjatë këtyre katër viteve të qeverisjes “Berisha”.
Me gjithë papranueshmërinë e një politike të tillë për publikun apo elektoratin shqiptar, kjo përbën pa dyshim mundësinë më të qartë të orientimit elektoral të tij në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Votuesit shqiptarë vetëm duke analizuar qëndrimet e palëve ndaj kësaj vepre madhore kanë mundësinë të zgjedhin lehtësisht partinë, politikën dhe liderin që duhet të votojnë në qershor. Po të kenë kohë dhe të mendohen, do të shohin se qëndrime të ngjashme janë mbajtur edhe ndaj arritjeve të tjera madhore të qeverisë, si anëtarësimi në NATO, ratifikimi i MSA-së dhe aktualisht kundër përpjekjeve për liberalizimin e vizave me BE-në. Mirëpo besoj se qëndrimet respektive ndaj rrugës janë kontrasti më bardhë e zi, më i dallueshëm dhe i evidentueshëm për çdo shqiptar, pa dallim niveli politik, kulturor apo shoqëror. Ky moment është i vlefshëm edhe për atë kategori të votuesve që për shumë arsye janë të orientuar politikisht dhe elektoralisht majtas, por që e duan këtë vend, zhvillimin dhe prosperitetin e tij. Rruga Durrës-Kukës përbën pa dyshim orientimin dhe qëndrimin më të qartë, më pragmatik dhe sidomos më të sinqertë të dy lidershipëve politikë ndaj zhvillimeve dhe interesave kombëtare të shqiptarëve. Si përfundim, besoj se “përtej të majtës dhe të djathtës”, rruga Durrës-Kukës do t’i mjaftonte çdo votuesi që ka pak respekt për identitetin dhe prosperitetin e tij kombëtar e qytetar, të orientohej drejt në destinacionin e votës së tij, gjë që unë besoj se ka për të ndodhur masivisht.