TESTAMENTI MORAL DHE ZAKONOR I NJË PATRIOTI
Fadil LUSHI
Të nderuar lexonjës,
Njerëzit që janë njohës të mirë të retrospektivës së Fan Stilian Nolit, do të thonë se ai, në një fjalim të mbajtur në Parlamentin shqiptar në vitin 1924, pos të tjerash, kishte hetuar pesë anarki: të fesë, atë sociale, morale, të idealeve dhe atë patriotike. Mua në opinionet e mia, do më interesojë anarkia e fundit. Është një nocion që shpesh keqpërdoret nga njerëz që nuk kanë këllqe që atë ta ndërtojnë dhe përjetojnë. Ditë më parë, një mik imi, i cili është një herë më i mirë në shkrime se unë, por që, kohë pas kohe e ka merak të bëhet tapë dhe dërrasë, a dini se ç’më tha: “Kam konstatuar se shkrimet i ke paksa të mllefshme ku, në vazhdimësi sillen e përsillen vetëm emra të protagonistëve që kanë histori të lavdëruar, të sajuar dhe të shtrembëruar”. Për këtë dhe arsye të tjera më sugjeroi që ta zgjoja heshtjen time, të tij dhe atë kolektive, sa për të shkruar për disa denigrime të institucioneve dhe për ca emra të nëpërkëmbur! Por para se t’i hetoj opinionet e mia kundrejt një nëpërkëmbjeje të një emri, fillimisht do më duhet t’i referohem Mark Tuenit, i cili dikur kishte thënë: “Nëse një herë e thua të vërtetën, nuk ka nevojë ta mbash në mend”. Dhe këtë thënie të Tuenit s’ka njeri që mund ta kontestojë, por ky nënqiell yni me kësi inventari politik, pseudopatriotik dhe ekonomik, gjegjësisht kjo hapësirë jona e cila sundohet nga ana e të paaftëve, të krijon një ndjesi të shëmtuar, kinse toptan frymojmë në rrëmujën talibane... ka nevojë për ta përsëritur të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, sepse në këtë nënqiell, si me magji, analfabetët licencohen me diploma false, ku tradhtari brenda nate bëhet atdhetar dhe atdhetari tradhtar! Për këtë dhe shkaqe të tjera, unë, një opinionbërës i vockël, në këtë shkrim do të marr guximin që pa lejen dhe pa pëlqimin e pinjollëve të ca familjeve, të identifikoj emrin e patriotit dhe kombëtarit - të axhës Shaban Xheladini, emri, shpirti human dhe veprimtaria atdhetare e të cilit kohë më parë, skajshmërisht do të abuzohet, mjegullohet, denatyrohet dhe asgjësohet nga ana e ca makiavelistëve dhe njerëzve të shtyrë nga militantizmi instinktiv dhe snobizmi i tyre i zbrazët. Ky shtrembërim do të jetë rezultat i disa pazarllëqeve dhe allishverisheve të ulëta dhe jo të ndershme. Këto shtrembërime u bënë në do sokakë të kasabasë së Tetovës dhe përreth saj. Ky denigrim do barazohet me një negativizëm ekstrem, ashtu si “puna e grave pa nivel kulturor, kur zihen mes ballkonesh dhe i thonë fjalën e fundit njëra-tjetrës”. Dhe duke qenë se emri i tij është i lidhur miqësisht dhe historikisht me shumë familje tetovare, gostivarase, shkupjane, dibrane, kumanovare, strugane, ulqinake dhe kosovare..., medoemos duhet që edhe më tej të shkruhet për njeriun i cili që në rini, ishte i ngarkuar për të përfaqësuar vullnetin dhe mendimin e njerëzve të thjeshtë dhe të munduar të vatanit të tyre... për të shkruar për shtrembërimin tronditës dhe qëllimkeq të së vërtetës së një njeriut i cili, edhe pas vdekjes, jeton në mbamendjen e atyre që bashkëjetuan dhe bashkëvepruan me të në “liri” dhe në robëri. Medoemos duhet llafosur historinë e ndërtimit të trashëgimisë politike, duhet llafosur testamentin moral dhe zakonor të tij, një testament të tillë që gjithkush nuk mund ta ketë në pronësinë e tij. Unë nuk do shkruaj për testamentin e pasurisë së tij monetare, sepse një të tillë nuk ua la trashëgimtarëve, pasi atë nuk e kishte, do shkruaj, aq sa do kem teserin dhe takatin e mendjes, për rrugëtimet e tij, për fjalën e thënë të tij në kuvendin e fjalëve. Dhe sot edhe pas disa dekadash, të dyshosh të kaluarën dhe të manipulosh me emrin e Shaban Xheladinit është njësoj sikur të thuash se nuk ekziston ndërgjegjja dhe mendimi shqiptar. Të dyshosh në të kaluarën e tij, është njësoj sikur të thuash se nuk ekzistuaka Burgu Hetimor Qendror në Beograd, në hapësirat e të cilit fjala e tradhtisë asnjëherë nuk i doli nga goja, atë asnjëherë nuk e tha dot, një fjalë që iu kalb në bark e në fyt. Të dyshosh atë të kaluar, është njësoj sikur të thuash se nuk ka ekzistuar dhe nuk ekzistuaka burgu i Zabellës së Pozharevcit, burgu i Idriz Beut, burgu i Mitrovicës së Sremit apo ishulli famëkeq i Goli Otokut, të cilit ishull i “dhuroi” pjesë të rinisë së tij. Është njësoj sikur të thuash se kurrën e kurrës nuk ka ekzistuar Petrova Rupa, ku kërkesat e tij dhe shokëve të tij për më shumë bukë dhe ujë, lëre që asnjëherë nuk listoheshin në kuzhinën e kantierit, përkundrazi ato i konceptonin si marrëzi, provincializëm dhe irredentizëm, në Petrova Rupa ku “ndëshkohej” liria e të menduarit, liria e mbamendjes dhe të folurit shqip të axhës Shaban, Sadudin Gjurës dhe të tjerëve të tillë si ai dhe si ata. Dhe sot trashëgimitë atdhetare dhe historitë e rrugëtimeve të tyre t’i konceptosh si memece, do të thotë që ato histori t’i heshtësh dhe t’i arkivosh në “... lëminë e trashëgimisë së panevojshme”. Të gjithë atyre që do mëtojnë t’i nëpërkëmbin figurat në fjalë, duke përcjellë mesazhe dashakeqe dhe kontraverse, mesazhe këto që fare nuk i shërbejnë të sotmes dhe as të nesërmes, duhet t’u themi troç: Larg duart dhe mendjen nga çatia e tyre atdhetare dhe, sepse ajo strehë as kullon e as pikon. Ajo nuk është çati llamarine e as çati me qerpiç. Dhe kjo çati kurrën e kurrës nuk do ketë nevojë për ustallesha pa mistri! Është një urtësi popullore që përdoret në krahinën e Mirditës që tregon se kur nuk të ka lezet fjala në kuvend, është e njëllojtë sikur ke vdekur edhe vetë.
Të nderuar lexonjës,
Për ta përfunduar këtë shkrim paksa të vonuar, do më duhet t’i referohem një mendimi filozofik të dijetarit Pjetër Mëshkalla ku pos të tjerash thuhet: “Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegjja, e vërteta dhe e mira”.
P. S.
Autori është ish-i përndjekur dhe i burgosur politik.