E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, 25 piktorë marrin pjesë në ‘Ditët vlonjate të pikturës”

VLORË - Mbi 25 piktorë vlonjatë, nga qytete të tjera të vendit dhe nga Kosova, u përfshinë në edicionin e dytë të aktivitetit të emërtuar “Ditët vlonjate të pikturës”, që u finalizua mbrëmjen e djeshme me një ceremoni ku u prezantuan punimet e realizuara gjatë tre ditëve.

Piktorë të njohur mes të cilëve, Skënder Kamberi, Hilmi Bani, Shpëtim Xhema, Zeqir Alizoti, Isa Musai, Agron Dine, Agron Polovina, Edi Kojani, Ticiana Fejzullai, etj, realizuan punime në pika të ndryshme të bregdetit dhe të qytetit të Vlorës e rrethinave të tij, duke sjellë bukuritë natyrore të kësaj zone. Piro Stefa, organizator i këtij aktiviteti tha se përmes tij u synua të evidentoheshin dhe të promovoheshin vlerat dhe bukuritë natyrore të Vlorës, tani në sezonin turistik, si dhe të krijohej një raport efektiv bashkëpunimi mes artistëve të qyteteve e zonave të ndryshme.

Në ceremoninë përmbyllëse të Edicionit të Dytë të “Ditët vlonjate të pikturës”, që u zhvillua në mjediset e hotel restorant “Monte Karlo”, ishin të pranishëm mjaft intelektualë dhe artistë vlonjatë dhe të ftuar nga qytete të tjera të vendit, si dhe nga Kosova. Piktori Skënder Kamberi, thotë se piktorët janë përçues të vërtetë të vlerave të kulturës, gjë që u provua edhe me pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet.

Në një nga mjediset e këtij objekti turistik, ishin ekspozuar punimet e realizuara gjatë këtyre ditëve, ku mbizotëronte peizazhi, çka përputhet edhe me një nga synimet e këtij aktiviteti për të promovuar bukuritë natyrore të Vlorës.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›