E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, Amirante: Shpejt marrëveshje mes gjykatave

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese italiane, Francesko Amirante ka zhvilluar një takim me homologët shqiptarë në qytetin e Vlorës. Ai theksoi se së shpejti do të konkretizohet një marrëveshje për shkëmbim eksperiencash mes dy gjykatave. 

VLORE- Kryetari i Gjykatës Kushtetuese italiane ka zhvilluar një takim me homologët shqiptarë në qytetin e Vlorës. Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Italisë e kryesuar nga Francesko Amirante, pas një sërë takimesh në Tiranë është ndalur dhe në qytetin e Vlorës. Një nga cështjet kryesore të trajtuara në këtë takim ishin problematikat e gjykatës kushtetuese shqiptare.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese ,Vladimir Kristo është shprehur se ngritja e një mardhënieje me Gjykatën Kushtetuese italiane, e cila është një ndër më të vjetrat dhe me më tepër eksperiencë , është dicka pozitive.
“ Ramë dakord që të kemi takime të tjera në nivel edhe ekspertësh. Gjykata italiane është me emër edhe në Evropë, është një pikë referimi jo vetëm për gjykatën shqiptare por edhe për gjykatat e vendeve të tjera” theksoi Kristo.
Në takim, homologët italianë kanë sjellë eksperiencat e tyre për sa u takon problemeve të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që pala shqiptare ka parashtruar problematika të ndryshme përsa i përket kësaj cështje.
Amirante theksoi se së shpejti do të konkretizohet dhe një marrëveshje për shkëmbim eksperiencash mes dy gjykatave. (e.n/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›