E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, Berisha: Votoni 44, sjell fatin e mirë, 29 është numri i tersit

VLORE- Kryeministri Berisha ka qenë i pranishëm mëngjesin e sotëm në ceremoninë e inaugurimit të Ndërtimit të Impiantit të Trajtimit të ujërave të zeza në Vlorë. Ky investim, sipas kreut të qeverisë e rendit Vlorën në hartën e qyteteve më të pastra të Europës.

“Sot e tutje Vlora, perla e Mesdheut hyn në hartën e qyteteve më të pasrta të Europës dhe botës me impiantin e përpunimit të ujërave të zeza. Pas infrastrukturës rrugore dhe energjike ajo ujore është jetike për zhvillimin e një qyteti, për zhvillimin e një vendi. Vlora është qyteti i infrastrukturës ujore ndër më modernet. Me 26 milionë euro është ndërtuar ujësjellësi që do i japë vlonjatëve ujë 24 orë pa ndërprerje. Vlora e kishte po kaq jetike impiantin”, tha ai.

Kreu i qeverisë teksa ftoi vlonjatët t’i bashkohen sot mitingut përmbyllës të PD në Tiranë, u shpreh se vota për numrin 44 sjell fatin e mirë, ndërsa ajo për numrin 29 sjell ters.

“Ne po bëjmë gjithçka të ecim drejt zhvillimit, ndaj dhe ju bëj thirrjen më të sinqertë qytetarëve të Vlorës që pasnesër të zgjedhin 44. Shqiptarët përvec mundit dhe djersës meritojnë edhe fatin e mirë, ky është numri i fatit të mirë, shqiptarët e dinë këtë, nuk kanë asnjë arsye të prekin numrin e tersit, 29. Ju ftoj sot të gjithëve të festojmë në Tiranë sot në orën 19;44, të festojmë së bashku me shpirtin e fitores, me besim tek e ardhmja”, nënvizoi Berisha.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›