E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një shfaqje teatri për së gjalli

 

“New Directions Publishing Corporation” është themeluar në vitin 1936 dhe prej asaj dite mbetet një prej shtëpive botuese më elitare e me një vëmendje të zgjuar ndaj letërsisë së shkruar në gjuhë të huaja, gjë jo fort e rëndomtë kjo në Amerikë. Ka qenë James Laughlin ai që e themeloi në vitin 1936 nëpërmjet botimit të një antologjie me titull “Drejtimet e reja”. Ai botoi gjithashtu librat e Ezra Paund dhe William Carlos Williams. Po kështu nëpërmjet antologjisë “Five young American Poets” të botuar nga James, u shfaq për herë të parë në publik edhe emri i Tennessee Ëilliams.

Për këtë botues më foli rastësisht një kolegia ime në Tiranë, poetja Luljeta Lleshanaku. Ajo kishte njohje me kryeredaktoren e kësaj shtëpie Barbara Epler dhe më premtoi se do ti shkruante asaj për të më krijuar një kontakt. Dhe me të vërtetë. Pak ditë pasi arrita në New York mora këtë mesazh nga Barbara, të cilin po e citoj përsa më duket me interes për zhvillimet e mëtejshme të këtij rrëfimi:

“I dashur Stefan,

Luljeta më tregoi se ju jeni të njohur. A ndodheni në New York? Është e vështirë me ditë sesi mund të zhvillohen ngjarjet pa u njohur me punën tuaj, por si mik i Luljetës, e cila është e preferuara ime ju do jeni i mirëpritur të më vizitoni dhe ndoshta të sillni me vete edhe përkthimet e teksteve tuaja në anglisht.

Por më duhet të të them që tani se New Directions është shumë e fokusuar te proza tregimtare dhe vetëm një listë shumë e shkurtër poetësh shumë të mirë janë botuar prej nesh. Gjithashtu më duhet të të them se ne nuk botojmë drama sepse e kemi të pamundur që t’i shesim. Bëjnë përjashtim vetëm autorët klasikë si Tennessee Williams, Cocteau, Lorca, Goethe dhe Kleist.

Por ne jemi të hapur të shikojmë prozën tuaj. Si e keni kohën gjatë javës së parë të Shkurtit? Koha më e mirë për mua do ishtë ora 3.30 deri në 4.30. Ditën zgjidhe vetë përveç të Enjtes.

Gjithë të mirat,

Barbara”

I ktheva menjëherë përgjigje dhe i thashë se agjenda ime ishte kaq fleksibël sa ajo mund ta linte takimin edhe në dy të natës e unë do isha gati. Pastaj Barbara u zhduk dhe gjatë kohës që Barbara u zhduk unë thashë me vete se do i prezantohem vetëm si tregimtar, meqënëse kjo i shkoka përshtat shtëpisë së saj botuese. Erdhi dhe java e parë e Shkurtit e ajo hiç.

Atëhere thashë po ja kujtoj unë dhe i shkrova gjithë delikatesë. Pastaj ajo përsëriti pak a shumë të njëjtin orar takimi, përveç të Enjtes.

Mirë. Ose unë nuk kuptoj mirë ose diçka ka këtu. Më le takim katër ditët e javës, pa më caktuar asnjërën prej tyre dhe pa më treguar vendin.

I shkruaj prapë duke i thënë se do ishte mirë që përveç orës 3.30 deri në 4.30, të më thoshte edhe cilën ditë. Më në fund Barbara u përgjigj: “Të Premten”, shkroi ajo thatë. Fantastike! Ishte fantastike. Mund të kisha shans që të botoja diçka timen në Amerikë. Kryevepër!

Mirëpo…, mirëpo… Barbara ende s’më kishte treguar vendin e takimit. Pra, dija ditën, orën dhe më mungonte dimensioni i dytë: vendi. I shkruaj prapë. Dha ajo prapë nuk bëhet e gjallë. Shumë e zënë ndoshta…

2.

E meqënëse bota i ka zgjidhur këto punë me kohë, hap internetin, shkoj te Google maps dhe e gjej menjëhere se ku gjendej zyra e Barbaras. 80 W, 8th Av, 14 Str. Ngjitem në katin e 19-të të asaj godine dhe më del para sysh një pamje e mrekullueshme. Përballë uji i oqeanit, matanë New Jersey dhe majtas Statuja e Lirisë. Barbara hap derën. Unë s’e njoh për fytyrë. Por ajo qesh. Diku te të pesëdhjetat. Duket si irlandeze apo si dikush nga forsajtët e Gollsuorthit. Më fton dhe hyj brenda. Flasim për Luljetën, për peizazhin e bukur që shikon nga dritarja, për drejtorin e Apexartit dhe një moment, papritur ajo kërkon të hyjë direkt e në zemër të çështjes me pyetjen e thukët:

-Ju jeni poet?

Dhe unë që isha përgatitur më së miri i thashë një “jo” të fortë, thua se të qenurit poet ishte një sëmundje e pashërueshme e ngjashme me AIDS.

- Sa keq - tha ajo - sepse ne botojmë kryesisht poezi…

E kuptova. E ç’të kuptuar. Këtë e merrte vesh edhe gomari. Atëhere mu kujtua Kola, personazhi i tregimit “Bukën tonë të përditshme…” të Migjenit, i cili pasi e kishte kuptuar tradhëtinë e së shoqes për bukën e gojës uli sytë dhe pa një vrimë. “Ishte një vrimë shumë interesante”, e mbyll Migjeni. Kështu edhe unë vura re se ajo kishte mbi tavolinën e saj të rrëmujshme një kuti me çamçakëza.

- A mundem një çamçakëz, ju lutem?

- Sigurisht - tha ajo dhe u çua në këmbë që të ma jepte.

Unë shfrytëzova rastin për tu ngritur dhe çamçakëzi kaloi nga kutia e saj në dorën time në mënyrën më ceremoniale të mundshme, si të ishte ndonjë dekoratë.

XIV. After the pyramids - Contemporary Albanian Art

1.

Në New Jersey ndodhet William Paterson University. Ai është universiteti më i famshëm i këtij shteti dhe një ndër personat që jep mësim në të është edhe Bruce Williams. Profesor Bruce jep leksione në spanjisht dhe në estetikën e kinemasë. Por ai është edhe një fans i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Ai ka ardhur në Shqipëri për të parën herë në vitin 1991 dhe që prej asaj kohe vjen shpesh e më shpesh. Së fundmi ai është paraqitur vullnetar te Shkolla e Filmit “Marubi” në Tiranë. Bruce është një njohës i mrekullueshëm i kinemasë shqiptare. Kjo mjaftoi që Bruce të organizonte në aula magna të universitetit të vet takimin me temë: “After the pyramids - Contemporary Albanian Art. With Albanian writer Stefan Çapaliku, Prof. Bruce Williams Ph.D, Albanian actor Anton Lulaj. Ftesa për të realizuar këtë takim erdhi kaq befas sa e pata të vështirë për një farë kohe të përqëndrohesha e të krijoja një ide sesi mund të bëhej interesante një temë për të cilën audienca kishte pak ose hiç informacion.

Për dreq, disa ditë përpara Antonit i nisi një dhimbje e fortë dhëmballe dhe u enjt keqas në fytyrë. Prej kësaj Antoni më deklaronte çdo ditë në telefon se s’mund të vinte atje e se do ishte turp i Zotit të dilte e të lexonte tekstet e mia si aktor me fytyrë të enjtur. Por gjithsesi, Antoni erdhi dhe bashkë me të kishin ardhur rreth 50 vetë në atë takim, çka për Bruce ishte një sukses i madh. Amerikanë dhe shqiptarë bashkë. Mes shqiptarëve ishte edhe një ish kolegu im i Univerisitetit te Shkodrës, Dr. Nuri Gokaj si dhe Ardiana Çipi një ekonomiste nga Tirana e që jetonte në këtë shtet.

2.

Takimi siç merrej me mend mbaroi me pyetje. Pyetjet më mistrece e provokative vinin nga shqiptarët. Madje njëri prej tyre e ngacmoi keqas mikun tim të ri Antonin duke i thënë se ç’kuptim kishte të rrinte në Amerikë si kamarier kur kishte ardhur për tu bërë aktor.

E ndjeva se miku u fye. Ai sapo kishte ndërruar vendin e punës dhe kishte shkuar kamarier te një restorant i shtrenjtë francez. I zoti i këtij restoranti që ndodhej në Ratherford ishte një piktor i dështuar nga Parisi. Pse ishte piktor ai e kishte pagëzuar restorantin me emrin “Castel Mattisse”. Mesa duket ideja e dështimit si artist të pronarit të tij e zemëroi Antonin edhe më shumë se pyetja dhe ashtu i skuqur u çua të përgjigjej.

Unë, tha Antoni, me të vertetë punoj si kamarier, por gjatë kohës që shërbej unë bëj teatër. Mos t’ju duket e çuditshme. Ja për shëmbull: Meqenëse në restorantin tim vijnë vetëm njerëz të përgatitur për të paguar shtrenjtë, ata janë të veshur mësë miri. Dhe për këtë bosi im më ka ofruar një tekst, të cilin unë e recitoj përbukuri.

Ai uspostua. Vuri një karrige përballë dhe mizanskenoi me “sikur” këtë situatë: Hyn klienti dhe ulet. Antoni i afrohet dhe me reverancë i drejtohet klientit (karriges):

Antoni: Good evening and ëelcome to Castel Mattise. (Mirëmbrëma dhe mirëserdhët në Castel Mattise)

Klienti: Thank you (Falemnderit)

Antoni: For your black clothing may I offer you a black lens free napkin? (Për kostumin tuaj të zi a mund t’ju ofroj falas një shami lini të zezë?)

Klienti: Oh… Nice. Thank you. (Oh… Sa këndshëm. Falemnderit)

(Pauzë. Antoni ikën dhe kthehet prapë):

Antoni: Excuse me, has anyone offered you water? (Më falni. A ju ofroi dikush ujë?)

(Klienti që deri më tani ka parë vetëm Antoni nga njerëzit e shërbimit e shikon i çuditur)

Klienti: No. None. (Jo. Askush)

Antoni: May I offer you water? (A mundem unë t’ju ofroj ujë?)

Klienti: Of course, yes. (Natyrisht që po)

Antoni: Would do you like sparkling or still? (A dëshironi me gaz apo pa gaz?)

Klienti: Still! (Pa gaz)

Antoni: We have “Avion” from France o Ratherford finest (Ne kemi “Avion” nga Franca ose Ratherford të shkëlqyer)

Klienti: Ratherford finest, please! (Ratherford të shkëlqyer, ju lutem)

Dhe Antoni vrapon të mbushë një gotë ujë çezme Ratherfordi për t’ia sjellë klientit me gjithë reverancën që meriton një gotë verë Bordoje.

A s’është e gjitha kjo teatër? Të paktën sipas Grotoëskit, po. Mjeshtri e thotë qartë se teatri është një shfaqje përsëgjalli (live) midis një aktori dhe një spektatori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›